Ndërlidhjet

logo-print

“Sinjale dekurajuese të serbëve”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Qeveria e Kosovës e ka emëruar Behxhet Halitin drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës. Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shala, të hënën bëri të ditur se me pëlqimin e ICO-së dhe me pëlqimin e panelit profesional, ndër 18 kandidatët që konkurronin për këtë post, Behxhet Haliti ka qenë kandidati më i kualifikuar për këtë detyrë. “Sipas procedurave, të cilat i përcakton edhe Ligji mbi zgjedhjen e drejtorit të ATK-së, javën e kaluar janë shpallur rezultatet përfundimtare të konkursit, në konsultim paraprak me ICO-në”. Por, deputetët kanë shprehur mendime të ndryshme se a do të ketë debat për këtë post në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Gani Koci, deputet i PDK-së, tha për “Lajm” se ende nuk e di se kur do të kalojë në seancë plenare miratimi i kandidaturës së Behxhet Halitit si drejtor i ATK-së, pasi kjo është në varësi të propozimit të MEF...

KOHA DITORE
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, “shumë mirë” e luan rolin e zëdhënësit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Të paktën kështu duket qytetari numër një i Kosovës në perceptimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci. Në një intervistë për gazetën, në selinë e tij në “Velani”, opozitari Daci ka shuar shpresat se ndonjëherë do të zdritet plaçkitja e provave kriminale në stacionin e policisë në Prishtinë, fundprillin e këtij viti. Ai ka thënë se LDD-ja, në zgjedhjet komunale do ta zhgënjejë shumëkënd, e edhe analistët e “mëdhenj”. Daci nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicioneve në zgjedhjet lokale të nëntorit edhe me partinë ku është “plakur” si politikan – LDK-në, për të cilën është shprehur se ndjen dhimbje. Ai ka thënë se grindja PDK-AAK është duke u bërë me paramendim dhe për qëllim ka fokusimin e publikut tek kjo luftë verbale, duke lënë në eklips subjektet e tjera politike...

INFOPRESS
Në kuadër të projekteve për rindërtimin e shtëpive për të zhvendosurit e Komunës së Mitrovicës, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të hënën për ndarjen e mjeteve shtesë prej 300 mijë eurosh për të mundësuar kthimin e të zhvendosurve në këtë komunë. Në mbledhjen e kabinetit të ministrave, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se projektet për rindërtimin e shtëpive në Mitrovicë janë gjithmonë të mirëseardhura për Qeverinë e Kosovës, andaj, duke u bazuar në një gjë të tillë, Thaçi ka propozuar para anëtarëve të kabinetit të tij që të miratojnë 300 mijë euro mjete shtesë për kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre. “Rindërtimi i shtëpive në Mitrovicë ka ndërtuar një klimë të re komunikimi dhe integrimi ndëretnik në kohën kur po lëvizim drejt integrimit të qytetit”, është shprehur kryeministri Thaçi...

KOSOVA SOT
Pas debateve të shumta, Qeveria miratoi ndryshimin e udhëzimit administrativ 07/2009, për importimin e mishit në Kosovë, duke iu mundësuar kompanive vendore që të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me kompanitë e huaja. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ndryshimi që është bërë në këtë udhëzim, u jep të gjithëve të drejta të barabarta me rastin e shpalljes së tenderit. Kuçi ka thënë se kryeministri ka kërkuar të premten nga ekspertët dhe grupet punuese që të bëhen ndryshimet adekuate. “Pas konsultave me përfaqësues të bizneseve është bërë një ndryshim në nenin 8, që ka qenë një lëshim. Tani ndryshimi u jep të drejta të barabarta të gjithëve. Më herët në këtë nen ka qenë se autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, përmes tenderit ndërkombëtar, do të bëjë përzgjedhjen e kompanisë ndërkombëtare, kurse tani ky nen thotë se autoriteti kompetent, përmes tenderit ndërkombëtar, do të bëjë përzgjedhjen e kompanive për importimin e mishit”, tha Kuçi...

EXPRESS
Afati zyrtar për certifikimin e subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit përfundon të martën në orën 16, ndërkohë që deri në ditën e parafundit asnjë subjekt politik serb nuk kishte dorëzuar aplikacionin përkatës që do të lejonte garimin e tyre në 5 + 1 komunat e reja me shumicë serbe, projektet përgatitore për krijimin e të cilave janë duke vazhduar. Situatë e tillë mbretëron si në komunat aktuale me shumicë serbe në veri të Kosovës (Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok), ashtu edhe në komunën e Shtërpcës, në brendi të Kosovës. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale ka qenë çështje që ka brengosur më së shumti institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë që nga koha kur kanë filluar përgatitjet për to...

ZËRI
Kosova e pavarur ka sjellë më shumë paqe e stabilitet për tërë rajonin, ka thënë dje para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Koksal Toptan, kryetar i Parlamentit të Madh të Turqisë. Ai ka premtuar angazhimin e diplomacisë turke në shërbim të njohjeve të reja të Kosovës së pavarur, ndërkaq ka siguruar kosovarët se Turqia mbështet tërësisht ruajtjen e integritetit dhe unitetit territorial të Kosovës. Këto komente dhe qëndrime të politikës turke ndaj Kosovës, Toptan i bëri gjatë një fjalimi para Kuvendit të Kosovës, në një seancë solemne të thirrur për nder të vizitës së tij. I pritur dhe përcjellë me duartrokitje në Kuvend, Toptan falënderoi shtetin e Kosovës për përkujdesin që tregon ndaj pakicës turke, marrë parasysh se turqit në Kosovës drejtojnë një ministri në Qeveri dhe mbajnë tri ulëse në Kuvend...

BOTA SOT
Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Kosovës, të hënën, ka diskutuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe ka konstatuar se disa ligje të miratuara nga Kuvendi nuk po zbatohen sa duhet. Kryetari i këtij komisioni, Rrustem Mustafa, tha se së bashku me deputetët e këtij Komisioni kanë propozuar mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Policinë e Kosovës, i cili nuk po zbatohet... Deputeti Mustafa shprehu shqetësimin e madh edhe për policët serbë, të cilët janë kthyer në punë, që kanë qenë deri tani të suspenduar. “Duke e ditur që ata njerëz që një vit e gjysmë janë paguar nga ne, ne duhet të dimë se ku kanë qenë deri sot, a janë ritestuar apo kanë filluar punën ashtu siç kanë qenë”, tha kryetari Mustafa. Ndërkaq, Shkumbin Demaliaj, anëtar i këtij komisioni, tha se “ne gjatë gjithë kohës dhe punës që e kemi bërë në komision, dy herë radhazi rekomandimet tona kanë hasur në vesh të shurdhër dhe se nga Kryesia e Kuvendit nuk po gjejmë mbështetje për kërkesat e tona dhe punën tonë si komision”...

EPOKA E RE
Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë të hënën se është tepër e nevojshme që të mbështetet edhe Kosova në liberalizimin e vizave. Ndërsa, duke komentuar vendimin e Komisionit Evropian që pasaportat biometrike të Republikës së Serbisë të mos vlejnë për asnjë qytetar të Kosovës, pa vizën përkatëse, ai ka thënë se Kosova tashmë ka institucionet dhe pasaportën të njohur ndërkombëtarisht. “Ne e kemi thënë dhe e përsërisim se do të jetë tepër i nevojshëm inicimi për mbështetjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Kosova ka institucionet e veta të pranuara ndërkombëtarisht, ka pasaportat e veta që e identifikojnë atë”, ka deklaruar i pari i vendit...
XS
SM
MD
LG