Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese nuk shqyrton lëndët para shtatorit


Gjykata Kushtetuese, para muajit shtator, nuk do të arrijë të shqyrtojë asnjë kërkesë që i është adresuar deri tani. Kryetari i kësaj Gjykate, Enver Hasani, tha se ende nuk janë krijuar kushtet teknike për punë, që të shqyrtohen mbi 20 lëndë që presin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk do të arrijë të shqyrtojë asnjë kërkesë që i është adresuar deri më tani, para muajit shtator të këtij viti. Aty përfshihet edhe kërkesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me vendimin e presidentit Fatmir Sejdiu për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Kjo është konfirmuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Ai tha se jo vetëm ndonjë kërkesë e partive politike, por asnjë kërkesë tjetër nuk mund të shqyrtohet me urgjencë nga Gjykata, për shkak të mungesës së kushteve teknike për punë.

Hasani tha se Gjykata Kushtetuese ka para vetes shqyrtimin e mbi 20 lëndëve, kurse prioriteti i shqyrtimit të tyre, sipas tij, do të caktohet më vonë.

“Prioriteti i lëndëve caktohet sipas një procedure pak më të komplikuar, për të cilën do të njoftoheni më vonë. Gjykata nuk mund të fillojë të merret me lëndë, sigurisht para shtatorit. Ju e shihini, objekti fizik është ky që është, por që operacionalizimi i tij kërkon edhe pak javë”, tha Hasani.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nuk ka hequr dorë nga marrja e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese, në lidhje me vendimin e presidentit Fatmir Sejdiu që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2011.

AAK beson se sivjet ishte afati kushtetues për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve bashkë me ato lokale. Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, tha se kërkesa apo ankesa e kësaj partie, e mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, do t’i procedohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, gjatë ditëve në vijim.

“Iniciativa do të jetë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe sigurisht që do të mund të ketë mbështetjen edhe të deputetëve tjerë, jo vetëm të opozitës, por edhe të pozitës, që do të na bashkohen në këtë iniciativë”.

“Ne e kemi përgatitur dokumentin, në konsultim me ekspertët tanë juridikë dhe me ekspertë tjerë të jashtëm të aspektit legal-juridik. E kemi përgatitur dokumentin në fjalë dhe shumë shpejt do të jetë i gatshëm për t’u proceduar te Gjykata Kushtetuese”,
tha Ramadani.

AAK dhe mbështetësit e nismës së saj besojnë se Pakoja e Ahtisarit, si bazë e Kushtetutës, parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të lira në të dyja nivelet për këtë vit.

Sidoqoftë, interpretimi i fundit i mbetet Gjykatës Kushtetuese, si institucioni kompetent.

Gjykata Kushtetuese, në përbërje 6 gjykatës vendorë dhe 3 ndërkombëtarë, tashmë është konstituuar dhe ka dhënë betimin para presidentit. Sot, anëtarët e kësaj Gjykate, bashkë me administratën dhe stafin përcjellës, janë vendosur edhe në ndërtesën e re, por aty u tha se ende mungojnë kushtet e domosdoshme teknike për punë të rregullt.
XS
SM
MD
LG