Ndërlidhjet

Shqetësimet e pensionistëve


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë


Pensionistët kosovarë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira socio-ekonomike, e madje një pjesë e tyre jeton në varfëri ekstreme. Shuma prej 45 eurosh, respektivisht 80 euro në muaj, për pensionistët kontributdhënës nuk mjafton as për gjërat elementare.

Kështu thonë vetë pensionistët dhe udhëheqës të Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës se Kosovës.

Emine Konjufca, 72 vjeçare, merr 45 euro në muaj. Ajo thotë se shuma, të cilën e gëzon në kohën e pleqërisë, nuk mjafton as për barnat, të cilat i nevojiten, ndërkaq për gjërat luksoze, siç thotë ajo, nuk duhet as të mendohet.

Zonja Konjufca thotë se kjo kategori është harruar nga institucionet dhe shoqëria e përgjithshme kosovare.

“Për çdo ditë gjërat po shtrenjtohen. Ju e dini se sa është shporta ushqimore mujore dhe sa marrim ne dhe sa na dalin, edhe nëse jam vetë. Është turp, edhe neve na duhet gjithçka, por dëshira një dhe mundësia tjetër”,
thotë zonja Konjufca.

Sejdi Ndreca është 78 vjeç dhe merr 80 euro në muaj. Ndihma sociale, siç e quan ai shumën prej 80 eurosh, nuk i siguron as gjërat elementare, si ushqimin dhe barnat.

“Nuk mjaftojnë as për një send. As barna nuk mund të blej. Kam qenë në banjë të Kllokotit - 10 ditë më kanë kushtuar 150 euro. Dhe, për ato kam hyrë në borxh, borxhi duhet të kthehet, nuk ke ku t’i marrësh... Vijnë dhe kërkojnë për të paguar rrymën dhe ngrohjen, por nuk kemi me çka. Nuk janë në rregull punët”, shprehet zoti Ndreca.

Por, megjithatë, pensionistët duhet të mbijetojnë, thotë Shaban Kajtazi, sekretar në Bashkimin e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës. Për shkak të kushteve të vështira, ai thotë se disa pensionistë janë të detyruar të ushqehen në kontejnerët e mbeturinave në qytet.

“Është e paimagjinueshme, e pakuptueshme dhe e papranueshme që njeriu, në kushtet e sotme, të jetojë me 80 euro. Po të mos ishte përkrahja e familjarëve, shumë pensionistë sot do të gjendeshin në rrugë, në atë shkallën e varfërisë ekstreme”, thotë zoti Kajtazi.

Edhe Ramë Alihajdaraj, kryetar i Bashkimit të Pensionistëve të Kosovës, pohon gjendjen alarmante të pensionistëve. Ajo që më së shumti i ka goditur ata, sipas tij, është ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të barnave.

“Ky shtrenjtim po shkon në mënyrë zinxhirore dhe të pakontrolluar. Ky trend i rritjes së çmimeve po vazhdon edhe në vitin 2009; sidomos të brengos rritja e çmimit të rrymës për 2.5 për qind. Pensionistët, invalidët e punës dhe të moshuarit më se shumti po i rëndon shtrenjtimi i barnave”, pohon zoti Alihajdaraj.

Por, siç duket, durimit të pensionistëve i ka ardhur fundi, thotë ai, për të shtuar se pas shpalljes së pavarësisë dhe anëtarësimit të Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare, pensionistët kërkojnë trajtim më të mirë nga institucionet vendore.

“Pensionistët e vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për arritjen dhe realizimin e aspiratave shekullore, pritën Konferencën e Donatorëve, pranimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore dhe për këtë qëllim, me vetëdije duruan deri më tani.”

“Por, duhet të dihet se edhe durimi ka fundin e vet dhe tani, pas të gjitha këtyre ngjarjeve, pritjeve dhe premtimeve të parealizuara, për çdo ditë e më shumë po ngrihen tensionet, pakënaqësitë dhe revoltat në mesin e pensionistëve dhe invalidëve të punës”,
u shpreh zoti Alihajdaraj.

Sidoqoftë, në Kosovë llogaritën të jenë më shumë se 60 mijë pensionistë. Sipas Ligjit për Pensione, personat që kanë mbushur 65 vjeç marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa që nga janari i vitit të kaluar, pensionistët kontributdhënës marrin nga 80 euro në muaj.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG