Ndërlidhjet

logo-print

Nimic ofron ndryshime


Metju Nimic, gjatë konferencës për shtyp në Shkup, 7 korrik '09.

Metju Nimic, gjatë konferencës për shtyp në Shkup, 7 korrik '09.

Ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, gjatë takimeve të sotme në Shkup, u ka ofruar disa ndryshime zyrtarëve maqedonas nga propozimi i tij i fundit për zgjidhjen e çështjes, por nuk ka dhënë detaje se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë. Ndërkohë që në opinion, tashmë një kohë të gjatë, flitet për propozimin Maqedonia Veriore.


Propozimi i tetorit të vitit të kaluar do të jetë bazë për negociatat e mëtejme për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë, ka deklaruar në Shkup ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

Ai, pas takimeve që kishte me krerët më të larë shtetërorë, presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me ekipin negociues, tha se ky propozim ka pësuar disa ndryshime, por që nuk u bënë publike si nga ana e tij, ashtu edhe nga zyrtarë shtetërorë, të cilët madje refuzuan të japin prononcime për mediat.

Ndërkohë, në opinion, tashmë një kohë të gjatë, si propozim i dalë nga ndërmjetësi Nimic përmendet emri Maqedonia Veriore.

“Kam bërë disa ndryshime nga propozimi im i tetorit dhe kam lutur qeverinë ta shqyrtojë gjithë paketën me ndryshimet. Kjo është diskutuar në detaje dhe duhet seriozisht ta shqyrtojnë”, deklaroi Nimic, duke i vlerësuar takimet si shumë produktive.

Ai tha se ka ndjenjën se ndoshta do të ketë ndonjë zgjidhje të kontestit, edhe pse nuk deshi të spekulojë nëse kjo do të ndodhë para nëntorit apo edhe deri në fund të vitit.

“Siç kam thënë edhe më parë, unë nuk përcaktoj afate. 31 dhjetori për mua është vetëm edhe një datë. Por, sido që të jetë, mendoj se mund të vijë deri te zgjidhja dhe kam përshtypjen se kjo ndoshta edhe mund të ndodhë, pasi në takimet që kisha me presidentin, kryeministrin, kam përshtypjen se kanë dëshirë të madhe që të ketë zgjidhje dhe mendoj se të dyja palët kanë vullnet që kjo të arrihet brenda disa muajve”, tha ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

Ai ka përjashtuar mundësinë që në tryezën e bisedimeve të ndodhet gjuha dhe identiteti maqedonas dhe me këtë rast ai ka siguruar se askush deri më tani nuk ka kontestuar një gjë të tillë.

Kemi folur për emrin e shtetit dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar ndonjë zyrtar të ndonjë qeverie të ketë mohuar identitetin apo gjuhën e këtij shteti. Unë, ka një kohë të gjatë që merrem me çështjen e emrit, që nga vitit 1994, dhe e di që ky vend ka identitetin dhe gjuhën e tij dhe mendoj se askush në botë nuk mund t’ua kontestojë një gjë të tillë. Mendoj se njerëzit duhet të jenë të qetë, pasi bëhet fjalë veç për emrin dhe asgjë tjetër”, theksoi Nimic.

Ndryshimet në propozimin e tij të fundit, të tetorit të vitit të kaluar, që asnjëherë në tërësi nuk janë publikuar, ndërmjetësi Nimic do t’ia dorëzojë edhe palës greke, gjatë vizitës së nesërme në Athinë.

Ndërkohë, zyrtarët shtetërorë maqedonas mbeten në qëndrimin që për çdo zgjidhje që do të ofrohet, e për të cilën do të pajtoheshin palët negociuese, fjalën e fundit megjithatë do ta kenë qytetarët, përmes deklarimit në referendum.
XS
SM
MD
LG