Ndërlidhjet

Bota dënon incidentet në Kinë


Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me trazirat, të cilat shpërthyen sërish në veriperëndim të Kinës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për përmbajtje, në mënyrë që të mos përsëritet dhuna e së dielës, ku në Ksinjang u vranë rreth 156 njerëz.

Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” për zhvillimet në këtë rajon të Kinës.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për shkak të raporteve që flasin për një numër të lartë të njerëzve të vdekur dhe të plagosur nga dhuna në Urumqi në perëndim të Kinës”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs.

Fuqitë evropiane shfaqën po ashtu brengat e tyre në lidhje me incidentet e së martës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do të flasë me presidentin e Kinës, Hu Xhintao, për përkeqësimin e situatës në vendin e tij, gjatë takimit të ardhshëm të G8-ës në Itali.

“Do të kemi mundësinë t’ia drejtojmë këto pyetje presidentit kinez në L’Akila. Unë do ta shfrytëzoj këtë mundësi”, tha Merkel para gazetarëve në Berlin.

Franca, ndërkohë, njoftoi se Bashkimi Evropian është duke zhvilluar diskutime se si të reagojë në lidhje me dhunën në Urumqi.

Edhe Organizata e Konferencës Islamike dënoi incidentet e fundit dhe i bëri thirrje Pekinit që t'i vë para drejtësisë personat përgjegjës.
XS
SM
MD
LG