Ndërlidhjet

"Shuhen universitetet private"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Jordania e ka njohur të martën pavarësinë e Kosovës, duke e çuar në 61 numrin e vendeve që e kanë pranuar shtetin e ri, pas një pauze gati dymujore. Ndonëse deri në orët e vona të mbrëmjes Prishtina nuk ka marrë njoftim zyrtar, Ministria e Jashtme ka pranuar se është në pritje të konfirmimit të lajmit, i cili në Kosovë ka arritur gjatë ditës, menjëherë pas marrjes së vendimit nga ligjvënësit në Aman. “Ne ende jemi duke e pritur konfirmimin zyrtar për këtë njohje, mirëpo kemi sinjale të qarta se ky konfirmim do të vijë shumë shpejt”, ka thënë zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku...

INFOPRESS
Zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës, organ ky që mbron të drejtat e njeriut, në një konkurs pune për dy juristë, ua ka mohuar të drejtën e aplikimit atyre që nuk kanë kryer studimet në kohën e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe në Universitetin e Prishtinës. Në konkursin e datës 3 korrik, kjo zyrë kushtin e parë që e kërkon është që aplikuesi të ketë vetëm diplomë të RFJ-së dhe diplomë të Universitetit të Prishtinës. Kjo formë e shpalljes së konkursit është në kundërshtim dhe paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, bazuar në Rregulloren 2001/36 mbi shërbimin civil, e cila aktualisht aplikohet. Po ashtu është në kundërshtim me parimet e Ligjit mbi shërbimin civil, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi...

KOSOVA SOT
Njëmbëdhjetë institucione të arsimit të lartë privat kanë marrë vulën e Qeverisë së Kosovës në bazë të rekomandimeve të Agjencisë për Akreditim të Kosovës. Kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, tha se arsimi dhe edukimi janë prioritet i ekzekutivit. Ai ka vlerësuar punën e MASHT-it dhe kreut të saj, ministrit Enver Hoxhaj. “Ky prioritet synon për të siguruar cilësi dhe për të avancuar arsimin në Kosovë. Strategjia e arsimit të lartë synon që cilësia e arsimit të lartë në Kosovë të matet me parametra dhe standarde evropiane”, tha Thaçi... Duke e arsyetuar vendimin për akreditim, ministri Enver Hoxhaj ka thënë se akreditimi, që ka përfshirë të gjithë bartësit e arsimit privat në Kosovë, ka ndodhur në përputhje me standardet dhe kriteret evropiane...

EXPRESS
Procesi i akreditimit në Kosovë përfundoi. Edhe më tutje Kosova do të ketë vetëm një universitet - atë të Prishtinës. Asnjë nga Bartësit e Arsimit të Lartë Privat nuk është akredituar si universitet. Gjashtë institucione janë akredituar si kolegje, pesë fakultete dhe shkolla tjera profesionale, derisa vetë Universiteti i Prishtinës do të ketë disa degë më pak se që kishte vitet e shkuara. Ky është rekomandimi që ka bërë Agjencia e Akreditimit e Kosovës qeverisë, respektivisht Ministrisë së Arsimit, pas procesit të akreditimit të Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë. Në bazë të rekomandimeve, epitetin e kolegjit mund ta marrin vetëm AAB RIINVES, FAMA, UBT, Instituti për studime të menaxhmentit internacional, VICTORY dhe ILIRIA...

ZËRI
Gjatë qëndrimit të krerëve të shtetit të Kosovës, presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, në Uashington, janë përafruar qëndrimet e Bankës Botërore dhe USAID-it rreth modelit të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”. Luan Shllaku, nga Forumi 2015, i cili e kundërshton fuqishëm modelin për ndërtimin e një termocentrali prej 2100 megavatesh, thotë se deri më tani qëndrimet e USAID-it dhe të Bankës Botërore kanë qenë diametralisht të kundërta rreth “Kosovës së Re”. Sipas tij, skenari i USAID-it parashihet që termocentrali “Kosova e Re”, miniera e Sibofcit, termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B” të kalonin në pronësi të investitorit, ndërsa Banka Botërore parashihte ndërtimin e një termocentrali me një kapacitet, siç ka thënë ai, “më logjik” dhe pa e futur në paketë edhe Kosovën A dhe Kosovën B...

BOTA SOT
Subjektet politike tani si duket kanë filluar të mendojnë më shumë për qeverisjen lokale në Republikën e Kosovës, prandaj gjithashtu edhe për bërjen e koalicioneve parazgjedhore. Mirëpo, disa nga to ndjehen mjaft të forta që në të gjitha komunat të kandidojnë me kandidatët e vet, por as koalicionet nuk i mohojnë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e hapur për koalicione me të gjitha subjektet politike si dhe me grupet e interesave që e mbështesin këtë subjekt, pas raundit të parë zgjedhor, mirëpo nuk është e hapur me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që me të, në këto zgjedhje që janë caktuar të mbahen në nëntor të këtij viti, nuk dëshiron të hyjë në koalicion. Por, edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila tanimë veç ka filluar të lidhë marrëveshje për koalicione parazgjedhore në zgjedhjet komunale, është e hapur me të gjitha partitë, përfshirë ato opozitare dhe të tjera...

EPOKA E RE
Komisioni Evropian, më 14 korrik, në Strasburg, do ta miratojë do t’ua dërgojë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian propozimin për heqjen e vizave Shengen për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, por që regjimi i vizave do të mbetet për Kosovën. Këtë propozim do ta arsyetojnë në konferencën me gazetarë, në Strasburg, komisari evropian për gjyqësi dhe punë të brendshme, Zahk Baro, dhe komisari për zgjerim, Oli Ren, ka thënë për mediet e huaja përfaqësuesi për shtyp i z.Baro, Mikele Çerkon. Çerkon ka thënë se nuk mund t’i publikojë detajet e propozimit të përgatitur nga Komisioni Evropian...

LAJM
Në Sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese janë deponuar gjithsej 23 ankesa private, të cilat presin përgjigje, zgjidhje apo orientim tek ndonjë instancë tjetër. Por, tash për tash, këto ankesa nuk mund të shqyrtohen, meqë gjykata ende nuk është funksionalizuar dhe operacionalizuar tërësisht. Kryetari i sapozgjedhur, Enver Hasani, thotë se deri në shtator nuk do të fillojë shqyrtimi i këtyre ankesave, ndërkohë që nuk tregon se cili do të jetë rasti i parë që dot merret në shqyrtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. “Prioriteti i lëndëve nuk mund të caktohet aty për aty, është një procedurë pak më e komplikuar”...
XS
SM
MD
LG