Ndërlidhjet

Jordania konfirmon njohjen e Kosovës


Jordania ka konfirmuar njohjen e Kosovës. Kabineti qeveritar i këtij vendi, në një kumtesë të shkurtër, ka bërë të ditur se “Mbretëria Hashemite e Jordanisë njeh Republikën e Kosovës”.


Mbretëria e Jordanisë ka konfirmuar njohjen e shtetit të Kosovës. Lajmin ia bëri të ditur zyrtarisht, ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, ambasadori i Jordanisë në OKB, Mohammed F. Al-Allaf.

Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, thotë se lobimi për njohjet e reja zhvillohet në vazhdimësi, por për shkak të korrektësisë ndaj vendeve që janë në proces të njohjeve, paralajmërimet për këto njohje nuk bëhen publike pa konfirmime zyrtare.

Duke iu përgjigjur edhe akuzave të opozitës, për një politikë jo shumë aktive në planin e njohjeve, Beqiri thotë se aktivitetet diplomatike nuk janë ndalur kurrë, por njohjet janë vendime që u përkasin vendeve veç e veç.

Qeveria e Kosovës
“Ne mund të ngutemi, sepse është e vërtetë që neve na ngutet, na duhen njohjet, por nuk është i njëjti intensitet edhe nga vendet që e kanë futur në agjendën e tyre, po shohin ta fusin në agjendë, apo janë shumë afër njohjes, çka do të thotë që ne vazhdimisht flasim për sinjale, por asnjëherë për njohje deri në momentin kur njohja të ndodhë zyrtarisht”,
thotë Beqiri.

Sipas zëdhënëses Beqiri, njohjet e Kosovës do të vazhdojnë jo vetëm nga vendet e botës islamike e arabe, por edhe nga vende të Amerikës Latine e vende të kontinenteve tjera.

Në anën tjetër, opozita kritikon angazhimet e tanishme të Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë së Kosovës në planin e lobimit.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se diplomacia kosovare nuk ka strategji veprimi dhe më shumë merr rolin e organit meritor për njohjet, sesa që angazhohet në arritjen e njohjeve të reja.

“Ministria e Jashtme sikur ka qëndrim që të identifikohet me numra, sesa që t’i sigurojë vendit njohje më të mëdha. Nganjëherë është i pakuptueshëm qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, frika e saj se dikush tjetër po ua merr obligimet, detyrimet që i kanë, ndërkaq, në të vërtetë, vetë nuk po janë të gatshëm që t’i kryejnë këto detyrime kushtetuese e ligjore që i kanë”, thotë Makolli.

Zyrtari i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se dinamika e njohjes së Kosovës po varet edhe nga procesi i interpretimit legal të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky proces, sipas tij, ka ndikuar te disa vende që të hezitojnë në marrjen e vendimit.

Ibrahim Makolli
“Gjithsesi kemi parasysh që derisa të vijë qëndrimi i Gjykatës, kjo do të jetë te një pjesë e shteteve si pengesë për ta njohur Kosovën, por, megjithatë, ne besojmë shumë se edhe ky proces do të përfundojë dhe Kosova natyrisht do të ketë në të ardhmen njohje më të mëdha”,
thekson Makolli.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme thotë se procesi i njohjeve nuk është ndalur asnjëherë dhe as nuk do të ndalet. Zëdhënësja Albana Beqiri thotë se ka sinjale pozitive për njohjet e reja që do t’i vijnë Kosovës.

“Kemi sinjale të forta. Ajo që mund t’ju konfirmoj unë zyrtarisht, në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të punës që bëhet këtu, është që sinjalet janë të vazhdueshme”, thotë Beqiri.

Pritjet e lidershipit në Kosovë janë që procesi i njohjeve, pas disa vendeve arabe e islamike, të përfshijë edhe vendet e Amerikës Qendrore dhe Latine.

Ndërkaq, si më problematike paraqitet çështja e njohjes së Kosovës nga pesë vende të BE-së, të cilat në një masë njohjen e Kosovës e kanë ndërlidhur me procesin e interpretimit legal të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Mosnjohja nga këto vende besohet se do të reflektojë edhe në disa procese integruese të Kosovës në kuadër të organizmave ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG