Ndërlidhjet

Anashkalimi i raporteve të auditimit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka shqyrtuar mënyrat se si të rritet transparenca dhe të mos ketë humbje të buxhetit. Është kërkuar nga institucionet që raportet e auditimit, të cilat identifikojnë shkelje të shumta, të mos injorohen, por keqpërdoruesit të ndëshkohen.


Përfaqësuesit e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës thonë së me një kujdes të madh po bëjnë auditimet në institucionet qeveritare dhe në ato, të cilat shfrytëzojnë buxhetin e Kosovës.

Kjo zyrë publikon raporte vjetore për secilën agjenci qeveritare, qoftë në nivelin qendror, qoftë në atë lokal. Por, jo të gjitha rekomandimet që i jep, zbatohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo konfirmohet edhe nga vetë Auditori i Përgjithshëm, Lage Olofson. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se mbetet në përgjegjësi të institucioneve që t’i zbatojnë ose jo rekomandimet.

“Po themi se nëse kanë qenë 100 rekomandime që i kemi dhënë, 40 prej tyre janë zbatuar. Në fakt, rekomandimet janë rekomandime dhe nuk themi se ato duhet të zbatohen dhe kjo është perspektiva jonë që ne e shohim”.

“Kështu që ne po e shohim mënyrën se si të rekomandojmë dhe si ne t’i shprehim këto rekomandime ndaj atyre që i auditojmë, po mundohemi të formojmë një sistem. Nëse ata që janë të thirrur për të kryer punën, nuk e kanë kryer, atëherë ne do të shkojmë te nivelet më të larta të atij institucioni”.

“Gjithashtu ne jemi duke punuar në ndryshimin e ligjeve, në vendimet që do t’i marrë Qeveria ose Kuvendi. Gjithashtu jemi duke punuar në fuqizimin e gjyqësorit”,
tha Olofson.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm është në proces të finalizimit të sezonit të auditimit për vitin 2008/09. Ndërsa, për vitet e kaluara, auditori pati gjetur një varg parregullsish, për të cilat deri tash nuk është ndëshkuar pothuajse askush.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm e vlerëson si të rëndësishme, duke thënë se njerëzit që keqpërdorin buxhetin e shtetit, duhet të dënohen.

“Ka pasur disa raporte të auditimit dhe çështja e Auditorit të Përgjithshëm është që t’i japë rekomandimet e veta, të tregojë se ku kanë qenë mundësitë e keqpërdorimit të shfrytëzimit të buxhetit”.

“Pastaj, është çështje e organeve të tjera, sidomos prokurorisë dhe gjyqësisë, që t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e veta konform ligjeve në fuqi”,
tha Krasniqi.

Këto komente Krasniqi i bëri në një konferencë të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, ku u diskutua për hapat se si të përmirësohet transparenca dhe llogaridhënia në institucionet e Kosovës.

Krasniqi theksoi se është interes i përgjithshëm që institucionet e vendit të forcohen dhe të punojnë duke i respektuar me përpikëri ligjet.

Nga ana tjetër, Kenet Daj, ish-Auditor i Përgjithshëm në Kanada, shpreh shqetësimin se qeveritarët nuk po u kushtojnë vëmendje raporteve të auditimit.

“Duhet të ndryshohet mënyra e publikimit të raporteve të auditorëve. Përvoja ime tregon se qeveritarët më me qejf do të dëgjonin informacionin në media, sesa t’i lexojnë raportet teknike të auditorit”.

“Pikëpamja ime është që përgjegjësia e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm është që të komunikojë me mediat. Është çështje e llogaridhënies. Nëse dikush ka bërë shkelje, ai duhet të shkarkohet. Por, dikush duhet të marrë vendim. Nuk e di se si janë gjërat në Kosovë, nëse burokratët janë të mbrojtur dhe kanë jetë të gjatë”,
tha Kenet Daj.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës është institucion publik i pavarur, përgjegjës për auditimet në qeveri.

Ajo siguron një vlerësim të pavarur të llogaridhënies dhe menaxhimeve financiare të ministrive të Qeverisë së Kosovës, komunave dhe të ndërmarrjeve publike.
XS
SM
MD
LG