Ndërlidhjet

Daci: Zërat për bashkim me LDK-në, pa asnjë bazë


Nexhat Daci
Nexhat Daci

Duke i komentuar zërat se Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të bashkohen, lideri i LDD-së, Nexhat Daci, thotë se nuk ka asnjë të vërtetë në këtë çështje dhe vlerëson se ato janë qesharake.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Daci, Kosova është njohur së fundi nga Jordania, duke e çuar në 61 numrin e shteteve që kanë njohur vendin. Si e shihni këtë proces dhe sa ka ecur Kosova 16 muaj pas pavarësisë?

NEXHAT DACI
Çdo njohje është një sihariq i mirë, por ende nuk e kemi arritur 50 përqindëshin e votave që na duhen për anëtarësim. Mendoj se është një proces mjaft i vështirë, po shkon ngadalë, por, megjithatë, po ecën.

Ngadalësimi i procesit të njohjeve vjen në radhë të parë edhe nga situata e brendshme në Kosovë. Nuk po arrijmë të ofrojmë shumë argumente që jemi duke ndërtuar shtet funksional, shtet demokratik të bazuar në Kushtetutë dhe në ligj.

Prandaj, njohjet do të shkojnë ngadalë, do të rritet numri, por me një ngadalësi. Nuk do të kemi kohë apo “tajming” që kemi paramenduar se do ta arrijmë. Nuk është ndonjë arsye e shqetësimeve që të humbim vetëbesimin.

Unë mendoj që zhvillimet në përgjithësi, pas futjes së Kushtetutës në përdorim, nuk janë pozitive. Nuk ofrojnë garanci që qytetari mund të bëjë gjumë të rehatshëm, se ka një shtet që funksionon mbi bazat e Kushtetutës dhe të ligjit.

Nuk ka një siguri të garantuar institucionalisht, sepse gjysma e institucioneve, apo më tepër se gjysma e (institucioneve) të sigurisë, nuk janë ndërtuar. A mund të mendohet një shtet, dy vjet pavarësi, që nuk e ka inteligjencën e vet?

Ka vetëm një njeri në atë shërbim dhe nuk ka shtetas normal që mund të thotë se është i mbrojtur prej informacioneve ose dezinformacioneve që vijnë nga të gjitha qarqet botërore dhe në kufij.

Prandaj, politika e brendshme ka stagnime, ka recesion, kemi rritje të inflacionit, kemi rritje të papunësisë, kemi rritje të varfërisë dhe aty-këtu ndonjë depërtim i vogël në ndonjë segment.

A mund të mendoni një bujqësi që është baza e zhvillimit të çdo shteti në botë - nuk ka asnjë lloj përkrahjeje. Dhe, çuditërisht, kam përshtypjen se qeverisja në Kosovë i duket sikur po qeveris një shtet të huajin diku në Afrikë, në Azi, në Mars apo në ndonjë planet tjetër, e jo që ka të bëjë me shtetin dhe shtetasit e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë sot kanë bojkotuar fjalimin e presidentit. Pse e bënë një gjë të tillë?

NEXHAT DACI

Këtë me shumë të drejtë dhe unë i përkrah, sepse një president që e injoron opozitën në tërësi, nuk ka arsye opozita që ta respektojë.

Ishin bërë konsultimet për zgjedhjet lokale, me ftesën e presidentit. LDD-ja ka qenë e pranishme në të gjitha konsultimet. Asnjë parti opozitare, parlamentare ose jashtëparlamentare nuk ka nominuar 15 nëntorin si datë të zgjedhjeve.

Të gjithë kanë kërkuar një afat tjetër dhe besoj se kanë arsye deputetët e një partie parlamentare që nuk janë të respektuar – pse ta respektojnë dikë?!

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, në një deklaratë tuajën, së fundit, e keni quajtur presidentin Sejdiu si zëdhënës të kryeministrit. Përse mendoni kështu?

NEXHAT DACI
Pikërisht është fjala e konsultimeve për zgjedhjet lokale, sepse në të gjitha takimet që është marrë pjesë, ka marrë pjesë edhe LDD-ja dhe në të gjitha informacionet që qarkullojnë edhe nga vetë partia e presidentit, nuk ka qenë në opsion ajo datë fare.

Ajo datë ka qenë vetëm datë e kryeministrit dhe e ka shpallur presidenti, që ka të drejtë kushtetuese. Por, ne vlerësojmë që ai ka kryer vetëm rolin e zëdhënësit dhe mjerisht nuk është vetëm kjo.

Domethënë, ka shumë arsye të mendojmë se nuk kemi president kushtetues, që duhet të jetë president i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk kemi president që ka aftësi që t’i tubojë partitë opozitare dhe ta dëgjojë mendimin e tyre për rrjedhat politike, për rrjedhat e sigurisë, për rrjedhat e ekonomisë, për rrjedhat e shkencës, të arsimit.

Është i mjaftueshëm që çka i thotë kryeministri, ta zbatojë. Ndoshta është e vrazhdë, ndoshta nuk i përgjigjet nivelit të kulturës dhe akademik të liderit të LDD-së, por ndjenja në LDD është e këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët zgjedhjet. Pra, përpara janë zgjedhjet lokale, për të cilat ju patët këmbëngulur të mbahen në tetor. Ndërkohë, flitet për koalicione të mundshme parazgjedhore. Me kë do të hyjë LDD-ja në koalicion?

NEXHAT DACI
Për zgjedhjet lokale qëndrimi është që të dëgjohet vullneti politik i degëve të LDD-së, do të thotë i komunave, dhe mbi këtë bazë nuk përjashtohet asnjë mundësi reale, sepse, çuditërisht, edhe në mandatin e kaluar kemi pasur në disa komuna koalicione qeverisëse me parti të ndryshme. Në parim, shkojmë vetë.

Por, ju e keni parë që ne me Prizrenin kemi startuar një frymë të re, të marrjes së një numri të madh të partive të vullnetit politik të spektrit të ndryshëm dhe nuk do të jemi përjashtues vërtet në asnjë qendër.

Por, veçanërisht në qendrat e mëdha ne shkojmë me kandidatë shumë të fuqishëm, që kanë autoritet jo vetëm brenda LDD-së, por edhe brenda popullatës atje.

Nuk përjashtojmë asnjë mundësi nëse një degë e LDD-së në një qytet jep argumente që duhet të shkojë me ndonjërën parti, ne nuk do ta kundërshtojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi të koalicionet, ka pasur zëra për një bashkim të mundshëm mes LDD-së dhe LDK-së. Sa qëndron një pohim i tillë?

NEXHAT DACI
Unë mendoj që këto vijnë nga qarqe që kanë funksione të caktuara, por janë krejtësisht në periferi të rrjedhave.

Dhe, vullneti i tyre për të qenë siç kanë qenë ndonjëherë diçka, ose për ta tërhequr mediumin përkatës për të thënë që ky qenka aktual, dalin, por nuk ka asnjë të vërtetë nga ajo. Bile janë aq periferike, saqë janë qesharake.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka konsideroni si sfidë më të madhe për vendin, si në rrafshin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar?

NEXHAT DACI
Në rrafshin vendor, unë mendoj se sfida kryesore është kushtetutshmëria në Kosovë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial.

Sfida e dytë është ambienti stabil politik, në radhë të parë politik dhe i sigurisë. Këtyre ndoshta u paraprin gjendja ekonomike dhe sociale e popullatës.

Çuditërisht, kur kemi pritur të gjithë që me pavarësimin tonë, do të fillojmë t’i realizojmë resurset që na i ka dhënë Perëndia, resursin njeri dhe ato natyrore, ne bëjmë gafe të atilla që po të ishte edhe situata pas Luftës së Dytë Botërore, do të qeshte gjithkush me ne.

Në rrafshin ndërkombëtar, është fitimi i autoritetit kombëtar të Kosovës siç ishte diku deri para vitit 2006.
XS
SM
MD
LG