Ndërlidhjet

Serbët e veriut kundër zgjedhjeve lokale


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Katër muaj para datës së zgjedhjeve lokale, gjashtë subjekte politike serbe të Kosovës kanë aplikuar për certifikim. Kundërshtarët kryesorë janë në veri, të cilët thonë se ata që do të marrin pjesë në zgjedhje, shkelin interesat e serbëve.


Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor flasin për një tendencë në rritje të partive politike serbe, që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Beogradi zyrtar ka bërë të ditur tashmë se është kundër pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje, ndërkohë që fati i krijimit të komunave të reja varet posaçërisht nga pjesëmarrja serbe. Kundër zgjedhjeve janë edhe liderët serbë të veriut.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në veri të Mitrovicës, Nebojsha Joviq, thotë se pjesëmarrja në këto zgjedhje paraqet veprim kundër shtetit serb.

Nebojsha Joviq
“Ne i kemi pasur zgjedhjet, të cilat i ka shpallur shteti ynë. Ndërsa, zgjedhjet, të cilat i shpall Kuvendi shqiptar, i cili për ne nuk ekziston, janë jolegjitime. Ne vlerësojmë se këto zgjedhje të caktuara nga institucionet jolegjitime, nuk na obligojnë që të marrim pjesë në to, ndërsa, në të njëjtën kohë, vitin e kaluar shteti ynë ka mbajtur zgjedhjet, në të cilat ne kemi marrë pjesë”.

“Andaj, ne, për herë të parë pas nëntë vjetësh, kemi përfaqësuesit tonë legjitimë”,
u referohet Joviq zgjedhjeve lokale serbe, të mbajtura vitin e kaluar edhe në Kosovë.

Ato qenë shpallur të pavlefshme nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, por komunat me shumicë serbe vazhdojnë të udhëhiqen nga kryetarët e dalë nga këto zgjedhje.

Nënkryetari i të ashtuquajturit Asociacion i komunave dhe vendbanimeve serbe, Marko Jakshiq, konsideron se pjesëmarrja në zgjedhjet e nëntorit nënkupton pranim të shtetësisë së Kosovës.

Marko Jakshiq
“Këto zgjedhje mbahen sipas Planit të Ahtisarit, e ky plan ka pasur për qëllim pavarësimin e Kosovës. Serbia si shtet nuk mund t’ia lejojë vetes që t’i ftojë serbët që të dalin në zgjedhje, sepse në atë mënyrë do të legjitimonin dhe legalizonin edhe një shtet tjetër shqiptar në Ballkan”.

“Kjo do të ishte në kundërshtim me të gjitha rezolutat e Serbisë, të cilat janë aprovuar në 4-5 vjetët e fundit”,
u shpreh Jakshiq.

Por, këto qëndrime kundër zgjedhjeve nuk i kanë ndaluar 6 subjekte politike serbe që të konfirmojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

Partia Serbe e Kosovës (SKMS), Lidhja e Pavarur e Socialdemokratëve (SNDS KIM), Partia e Ndryshimit Demokratik, Partia Demokratike Serbe (SDS KIM), Partia Popullore Serbe (SNS) dhe Partia e Pavarur Liberale (SLS) tashmë kanë aplikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u certifikuar.

Nebojsha Joviq kritikon zgjedhjen që kanë bërë këto parti.

”Konsideroj se është jokorrekte ndaj popullit të vet, por është e drejtë e çdonjërit të punojë si mendon se është më mirë. Unë konsideroj se kjo është e dëmshme për komunitetin serb, e me këtë edhe për shqiptarët”.

“E ftoj bashkësinë ndërkombëtare dhe shqiptarët, që të mos bëjnë gabimin, të cilin e ka bërë Sllobodan Millosheviq. Ai ka kërkuar shqiptarët, të cilët dëshironin të ishin më serbë se serbët, ndërsa tash po kërkohen serbët që janë më shqiptarë se shqiptarët”,
tha Joviq.

Sidoqoftë, politikanët serbë, që tashmë janë pjesë e institucioneve, kanë bërë të qartë se interesat e komunitetit serb mbrohen më së miri nëse vetë serbët janë pjesë e proceseve vendimmarrëse në Kosovë.

Këta politikanë alarmojnë se në rast të bojkotimit të zgjedhjeve, do të rrezikohet procesi i decentralizimit, apo krijimit të komunave të reja serbe, siç parashihen me Planin e Ahtisarit.
XS
SM
MD
LG