Ndërlidhjet

“Bashkimi – i vështirë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Partitë politike, të cilat janë gjobitur gjatë zgjedhjeve të vitit 2007, nuk do të mund të certifikohen nga KQZ-ja, nëse nuk i paguajnë gjobat e tyre. Kjo vlen për PDK-në, LDK-në, AAK-në, AKR-në, të cilat ende nuk kanë paguar borxhet e tyre ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor. Megjithatë, zyrtarë të këtyre partive zotohen se borxhet do të shlyhen brenda afatit ligjor, 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. PDK-ja, partia më e madhe që ka dalë nga zgjedhjet e nëntorit 2007, ka 93 mijë euro të papaguara. Zëdhënësi i saj, Blerand Stavileci, thotë se nuk do të jetë problem dhe se ato do të paguhen brenda afatit ligjor... Në LDK, parti kjo e koalicionit qeveritar, nuk e di shumën e saktë të borxheve që kjo parti i ka KQZ-së. Madje, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për “Kosova sot” se kjo parti nuk ka borxhe të papaguara...

EXPRESS
Nuk do të ketë më miliona euro të fituara në krahë të studentëve. Të ashtuquajturat universitete për afër dhjetë vjet, tash do të jenë kolegje. Kjo për shkak se nuk i plotësojnë kriteret e universiteteve. Pas përfundimit të akreditimit të arsimit të lartë, për “Express” flet Ferdije Zhushi-Etemaj, bartëse kryesore e procesit... “Këto rezultate janë këto që janë. Këto janë gjetjet që pasqyrojnë gjendjen në arsimin e lartë privat në Kosovë. Dhe, ka qenë rekomandim i Bordit që asnjë prej institucioneve private të arsimit të lartë, momentalisht nuk i plotëson kushtet për ta bartur emrin universitet. Prandaj, kemi propozuar që ato të kategorizohen në një kategori tjetër, në një lloj tjetër të institucioneve dhe të jenë ato që kanë më shumë programe, që kanë një diversitet më të madh të programeve, të quhen kolegje, ndërsa ato që janë më të vogla, të quhen institute”...

ZËRI
Vjedhja në Policinë e Kosovës e rreth 50 kilogramëve drogë heroinë në Dhomën e Dëshmive të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, me sa duket jo që del më e komplikuar se që ishte menduar, por as që po i shihet fundi. Ndonëse menjëherë pas këtij skandali është formuar një komision ad-hoc për hetimin e kësaj çështjeje, kryetar i të cilit është zgjedhur Kadri Arifi, ai edhe sot nuk ofron më shumë sesa atë shpjegimin rutinor se “hetimet vazhdojnë”. Ditë më parë, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, u tha kuvendarëve të Kosovës se hetimet janë në rrugë të mbarë, “vetëm pritet të zbulohet se çka në të vërtetë ka ndodhur në Dhomën e Dëshmive”. Së fundmi, kjo çështje është duke u heshtur dhe nuk flitet për të...

BOTA SOT
Misioni i UNMIK-ut duhet të shuhet nëpërmjet rikonfigurimit, i cili duhet të përmbyllet sa më parë, tha të enjten presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në fjalimin e tij vjetor para Kuvendit për punën njëvjeçare të tij. Sejdiu, gjatë prezantimit, tha se është angazhuar edhe në fushën e lobimit, integrimit të vendit në institucione të ndryshme financiare e ndërkombëtare, ndërsa shtroi nevojën për përpjekje më të reshtura në drejtim të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike... Ndërkaq, me këtë rast, shumica e deputetëve të dy partive opozitare, AAK-ja dhe LDD-ja, bojkotuan fjalimin e presidentit Sejdiu, duke u arsyetuar me disa akuza, sidomos për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale...

EPOKA E RE
Kanë kaluar dy vjet e gjysmë që kur Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e VI Zgjedhor u nda në dy funksione, e që më vonë pasoi me krijimin e një partie të re politike – Lidhja Demokratike e Dardanisë, e udhëhequr nga akademik Nexhat Daci. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK-së dhe LDD-së ndarja u kushtoi shumë. LDK-ja për herë të parë humbi primatin e të qenit partia numër një në vend, kurse LDD-ja mbeti në opozitë. Nisur nga kjo gjendje, kanë filluar të dëgjohen zëra për bashkimin e këtyre dy partive. Zëri i parë që thërret publikisht për bashkimin, është nënkryetari i LDD-së, Berim Ramosaj. “Në qoftë se atëherë kishte arsye për ndarje, sot ka dy herë më shumë për unifikim”, ka thënë Ramosaj. LDK-ja e ka mirëpritur nismën e Ramosajt...

LAJM
Kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, do të vazhdojnë të punojnë me frikë deri në vjeshtë, pasi nuk do ta dinë nëse do të rikandidohen në zgjedhjet e 15 nëntorit edhe për një mandat tjetër. Konfirmimi i emrave të tyre apo publikimi i emrave të rinj nga këto dy parti nuk do të dihet deri në shtator. Edhe pse përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së zyrtarisht nuk e tregojnë arsyen kryesore të kësaj vonese, jozyrtarisht brenda këtyre subjekteve politike thuhet se publikimi i emrave tjerë për zgjedhjet e ardhshme lokale, do të degradonte pushtetin aktual nëpër komuna. Ngase, sipas tyre, kryetarët aktualë mund të rebelohen dhe mos t’i përmbushin obligimet që kanë përsipër deri në fund të mandatit...

KOHA DITORE
Zyra Civile Ndërkombëtare u ka sugjeruar liderëve kosovarë që të kenë kujdes me deklaratat e tyre politike rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, përderisa partitë politike serbe vazhdojnë të jenë të ndara pas mesazhit të përcjellë nga presidenti serb, Boris Tadiq, se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Pas rekomandimit të ICO-së, Komisioni Qendror Zgjedhor dhe institucionet akoma nuk janë të sigurta nëse do t’u përmbahen respektimit të ligjit në rastin e emërimit të komisioneve komunale zgjedhore, regjistrimit dhe certifikimit të partive politike serbe për zgjedhjet lokale të vjeshtës së këtij viti, përderisa partitë serbe nuk janë duke respektuar afatet ligjore...

INFOPRESS
Dhjetë vjet pas luftës, është zbuluar një varrezë masive në fshatin Doberqan të Gjilanit. Disa trupa njerëzish janë gjetur të varrosur në një hendek të thellë skaj magjistrales Gjilan-Bujanoc, përkatësisht në fshatin Doberqan. Burimet e gazetës “Infopress”, brenda Policisë së Kosovës, në kushte anonimiteti, kanë bërë të ditur se deri pasditen e së enjtes, Njësia për Krime Lufte dhe pjesëtarë të EULEX-it kanë gjetur disa trupa njerëzish të varrosur në një vend. “Viktimat menjëherë janë nisur drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku aty do t’u bëhet analiza e tërësishme e eshtrave”, thotë burimi...
XS
SM
MD
LG