Ndërlidhjet

logo-print

Vazhdojnë tensionet në Urumqi

  • RFE /RL

Forcat policore para xhamive në Urumqi.

Forcat policore para xhamive në Urumqi.


Shumica e xhamive janë lejuar të hapen, pasi turma të njerëzve ishin mbledhur dhe kërkonin që t’u lejohej hyrja për t’i kryer shërbimet fetare, edhe pse autoritetet kineze kishin urdhëruar mbylljen e tyre.

Mirëpo, nuk ishte e qartë nëse xhamitë u hapën pas një vendimi tjetër të qeverisë, apo thjesht sepse forcat e sigurimit në terren u shqetësuan, se po t’i ndalnin turmat e njerëzve, mund të shkaktonin trazira të reja. Gjithashtu nuk u sqarua se sa xhami u hapën në qytetin prej 2.3 milionë banorësh.

Më parë, kishte njoftime se xhamitë në kryeqytetin e provincës veriperëndimore të Kinës, Xinjiang, do të jenë të mbyllura të premten.

Një zyrtar i Qeverisë kineze, i cili refuzoi të japë emër, ka thënë sa xhamitë janë mbyllur për shkak të sigurisë publike në qytet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Qin Gang, thotë se Pekini është në gjendje të merret vetë me krizën dhe nuk pret të ketë ndërhyrje nga komuniteti ndërkombëtar.

“Qeveria kineze ka marrë masa vendimtare në përputhje me ligjin. Kjo është çështje e brendshme e Kinës. Nuk ka asnjë arsye që të kërkohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të diskutojë për këtë çështje. Ne shpresojmë se komuniteti ndërkombëtar mund ta shohë të vërtetën, ta kuptojë, si dhe të na mbështesë në përpjekje për të ruajtur unitetin e territorit tonë”, tha zëdhënësi Gang.

Provinca Xinjiang ka qenë prej kohësh vatër e tensioneve etnike, ekonomike dhe e ndasive ndërmjet ujgurëve dhe kinezëve.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Qin Gang, thotë se dhuna etnike e javës së kaluar ishte planifikuar dhe organizuar nga ekstremistët dhe terroristët fetarë.

“Ne kemi arritur të posedojmë të dhëna që flasin se këta njerëz janë trajnuar nga grupet e huaja terroriste, duke përfshirë edhe Al Kaidën. Prandaj, në këtë aspekt ne vazhdojmë t’u kërkojmë vendeve përkatëse forcimin e bashkëpunimit, që shkon në favor të rruajtjes së paqes dhe stabiliteti të Kinës”, tha mes tjerash Gang.

Pekini për trazirat e fundit ka fajësuar Kongresin Botëror të Ujgurëve dhe presidenten Rebija Kader, e cila jeton azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, Kader thotë se këto akuza janë false.

Ajo tha se problemet në Xinjiang vijnë si pasojë e shtypjes që bëhet tash e disa dekada nga udhëheqja komuniste e Kinës.

“Unë shpresoj se do të ketë paqe dhe maturi nga të dyja palët. Po ashtu, shpresoj se Qeveria kineze do t’i ndalojë këto veprime dhe të lejojë që njerëzit të flasin për veten e tyre atë çka ua thotë mendja, pasi në këtë mënyrë mund të ketë paqe dhe stabilitet”, tha Kader.

Ujgurët janë popull me prejardhje turke, që ndajnë gjuhën dhe kulturën nga Azia Qendrore. Shumica prej tyre janë myslimanë. Ujgurët aktualisht përbëjnë pjesën më të madhe të provincës Xinjiang, me rreth 20 milionë banorë.
XS
SM
MD
LG