Ndërlidhjet

(S’) ka bashkim të LDK-së me LDD-në


Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se e mirëpret rikthimin e ish-zyrtarëve të saj në parti, përfshirë edhe ata të Lidhjes Demokratike të Dardanisë. Rikthimi, thuhet se do të duhej të ishte pa kushte dhe në baza individuale.


Bashkimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë mbetet çështje e ideve dhe nismave të individëve brenda këtyre dy partive, pasi që strukturat udhëheqëse e përjashtojnë një mundësi të tillë.

Nisma e nënkryetarit të LDD-së, Berim Ramosaj, për ribashkimin e LDK-së dhe LDD-së, kundërshtohet nga partia e tij, ndërkaq LDK-ja i hap dyert që ta pranojë atë dhe individët tjerë në parti mbi bazat e vullnetit personal.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se dyert e LDK-së janë të hapura për individët që duan të rikthehen në këtë parti.

“Jemi dëshmitarë të gjithë të shprehjes së interesimit të individëve dhe një pjese të anëtarësisë për rikthim në Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK i mban dyert e hapura për kthim të atyre që kanë shkuar apo për anëtarësim të ri. Dhe, ne presim që mund të jetë një moment edhe kthimi i një pjese edhe nga Lidhja Demokratike e Dardanisë”, deklaroi Manaj.

Manaj tha se LDK-ja si parti politike nuk e ka shqyrtuar çështjen e bashkimit me LDD-në, përveç ftesës që u dërgon të gjithë ish-zyrtarëve të saj që të rikthehen. Ai tha se kthimi i individëve në LDK mund të bëhet pa kushte.

“Asnjë kushtëzim, prej askujt, por as prej zotit Daci, nuk do të jetë i pranueshëm”,
tha Manaj.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Dardanisë ka kundërshtuar nënkryetarin e saj, Berim Ramosaj, për idenë e bashkimit.

Sekretari i Përgjithshëm i LDD-së, Lulëzim Zeneli, thotë se LDD-ja nuk është shkaktare e thyerjeve që sollën deri te ndarja e LDK-së dhe nuk mund të pritet që LDD-ja ta riparojë dëmin e bërë nga dikush tjetër.

“Në asnjë zhvillim pozitiv nuk mund të realizohet ndonjë formë e lidhjes, përderisa lidershipi aktual i LDK-së vazhdon me politikën e njëjtë, politikë që solli deri tek ndarja e LDK-së së presidentit Rugova”, theksoi Zeneli.

Ndërsa dy partitë politike mbajnë qëndrime të ndryshme në lidhje me mundësinë e bashkimit, ideatori i kësaj nisme, Berim Ramosaj, thotë se beson në këtë bashkim. Sipas tij, ky do të jetë një proces që mund të zgjasë, por që në fund të gjithë do ta kuptojnë se është më i dobishmi.

“Mendoj se kjo është një çështje racionale, nuk e ka kuptimin e një bumi, e ka kuptimin e një bashkimi që vjen si rezultat i interesit të qytetarëve dhe elektoratit dhe nuk është momenti e as koha që të bisedohet në nivele të larta, forume të partisë; kur të vijë në ato nivele, duhet të jetë puna gati e kryer”, tha Ramosaj.

Ndryshe, si LDK, ashtu edhe LDD, deklarohen se mbështesin dhe ndjekin vizionin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

LDD u formua si parti politike pas Kuvendit të fundit zgjedhor të LDK-së, i cili përfundoi me ndarje, grushte dhe ndërhyrje të forcave të rendit. Që atëherë, LDK drejtohet nga Fatmir Sejdiu, ndërkaq LDD nga Nexhat Daci.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, LDK mori 25 mandate në Kuvend dhe u përfshi në koalicionin qeverisës me PDK-në, përderisa LDD fitoi 11 mandate dhe kaloi në opozitë.
XS
SM
MD
LG