Ndërlidhjet

Prodhuesit e mishit protestojnë sërish


Prodhuesit dhe përpunuesit e mishit në Kosovë kanë protestuar në Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë tenderin për importimin e mishit, pasi kanë vlerësuar se ky tender bie në kundërshtim me dispozitat ligjore. Një protestë e ngjashme është mbajtur edhe javën e kaluar.

Prodhuesit dhe përpunuesit e mishit në Kosovë protestuan në Prishtinë kundër udhëzimit administrativ të Qeverisë së Kosovës për importin e prodhimeve me origjinë shtazore.

Pakënaqësitë e përfaqësuesve të kompanive që merren me prodhimin dhe përpunimin e mishit, kanë filluar dy javë më herët, kur Qeveria e Kosovës kishte shpallur tender, që në bazë të udhëzimit, të lejojë vetëm një kompani të huaj që ta ketë të drejtën të importojë mish në Kosovë.

Burim Piraj, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishit, shoqatë kjo që ka organizuar protestën, ka kërkuar nga qeveria që të anulojë udhëzimin administrativ, në mënyrë që të drejtë pjesëmarrjeje në tender të kenë të gjitha kompanitë vendore dhe ndërkombëtare, që përmbushin kushtet e caktuara për importimin e mishit.

“Protestat kanë vetëm një mesazh të vetëm, të dëgjohet nga qeveria thirrja jonë për ndryshime të disa neneve, që i konsiderojmë se janë joligjore”, deklaroi Piraj.

Ai tha se nga ky udhëzim, prodhuesit vendorë do të falimentojnë, ndërkaq mbi 4000 punëtorë që janë të angazhuar nëpër kompanitë e përpunimit të mishit, siç u shpreh ai, do të mbesin pa punë.

Edhe Driton Rrahmani, menaxher në kompaninë “Elkos” në Prishtinë, thotë se nga ky udhëzim administrativ do të dëmtohen bizneset kosovare. Ai pohon se me zbatimin e këtij udhëzimi, kompania e tij është e detyruar të zvogëlojë numrin e punëtorëve.

“Në rend të parë, disa nga punëtorët do të humbin punën. Do të thotë, nëpërmes të hyrave vetëm të produkteve të mishit, ne në vit kemi pasur 20 milionë euro qarkullim. Dihet se ne duhet të zvogëlojmë numrin e punëtorëve për aq vlerë sa na kap dhe na dëmton ky udhëzim administrativ”, u shpreh Rrahmani.

Protestën e ka mbështetur edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Haxhi Arifaj, kryetar i kësaj sindikate, thotë se qeveria duhet të anulojë këtë udhëzim, sepse sipas tij, shteti duhet të funksionojë me ligje dhe jo me urdhëresa administrative.

“Me tejkalimin e anës ligjore në këtë rast, te ky vendim i qeverisë, tek këto nene, unë besoj se qeveritarët duhet ta shqyrtojnë prapë këtë vendim që e kanë nxjerrë, që ta marrë formën ligjore tamam si duhet”, tha Arifaj.

Udhëzimi administrativ 07/2009 është ndryshuar të hënën nga Qeveria e Kosovës, ku thuhet se vendet, të cilat përmbushin standardet evropiane për importimin e mishit, do të jenë të liruara nga tenderi. Kështu thotë Flamur Kadriu, shef i shëndetit publik-veterinar në Agjencinë e Veterinës dhe të Ushqimit.

Ai madje thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Evropës, Kandaja, Zelanda e Re, Turqia dhe shtete anëtare të CEFTA-s nuk do të marrin pjesë në tender.

“Me anë të tenderit, i cili është duke u shqyrtuar, do të zgjidhen kompanitë, të cilat do të jenë të interesuara të sjellin mish dhe produktet e mishit vetëm nga shtetet e Amerikës Latine”, tha Kadriu.

Por, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve dhe të Përpunuesve të Mishit, zoti Piraj, tha se qeveria ka bërë vetëm disa ndryshime kozmetike.

“Qeveria ka bërë vetëm ndryshime kozmetike, asgjë thelbësore. Në fakt, ne i kemi bërë lutje kryeministrit që të anulojë tenderin dhe të fshijë nenin 7 dhe 8 të udhëzimit administrativ 07/2009”, deklaroi Piraj.

Sidoqoftë, përveç protestës që u mbajt në kryeqytet, protesta u mbajtën edhe në Prizren dhe në Pejë.
XS
SM
MD
LG