Ndërlidhjet

A po mbetet Kosova e izoluar?


Komisioni Evropian do të sqarojë çështjen e përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave në fillim të nëntorit, thonë në Qeverinë e Kosovës. Problem më vete, thuhet se paraqet mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së.

Kosova mbetet vendi i fundit i rajonit, i papërfshirë në procesin e liberalizimit të vizave.

Qeveria e Kosovës shpreson se ky proces do të sqarohet nga Komisioni Evropian gjatë vjeshtës së këtij viti. Problem më vete, thuhet se paraqet mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve të BE-së.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Kosova po i zbaton kërkesat dhe rekomandimet evropiane në lidhje me përfshirjen e vendeve në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai pret që edhe Brukseli t’i përshkruajë rrugën Kosovës drejt këtij procesi gjatë vjeshtës së këtij viti, përmes raportit të progresit dhe atij të studimit të fizibilitetit.

“Kosova ka bërë disa përgatitje. Kemi miratuar udhëzimin për menaxhimin e integruar të kufijve, kemi autorizuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të udhëheqë procesin e liberalizimit të vizave dhe jemi në përgatitje teknike dhe administrative që kërkohen nga Kosova ta bëjë një gjë të tillë”.

“Kemi marrë sinjalet e duhura nga Komisioni Evropian, që në raportin e progresit, që do të publikohet në fillim të nëntorit të këtij viti, dhe në studimin e fizibilitetit, do të shihet rruga e qartë e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën”,
tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se përfshirja e Kosovës në kuadër të liberalizimit të vizave kërkon edhe konsensusin me pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur.

Sidoqoftë, ai tha se beson që Kosova nuk do të mbetet e izoluar dhe e vetmuar në këtë proces.

“Ajo që dua të them dhe besoj, është se Kosova nuk do të jetë e izoluar. Qytetarët e Kosovës nuk do të jenë të izoluar dhe besoj që Kosova nuk do të jetë e vetme dhe e fundit në këtë proces”.

“Por, procesin e liberalizimit të vizave duhet ta kuptojmë si diçka që kërkohet në mënyrë të dyanshme. Jo vetëm nga pala kosovare, por edhe nga vetë Komisioni apo Unioni Evropian”,
theksoi Kuçi.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Shkumbin Demaliaj, zëvendëskryetar i Komisionit për punë të brendshme dhe siguri, konsideron se mbetja jashtë procesit të liberalizimit të vizave, është shqetësuese.

Ai fajëson institucionet, duke vlerësuar se qeveria nuk e ka bërë punën e duhur që Kosova të mos mbetet një oazë e izoluar në mes të Evropës së integruar.

“Flitet gjithmonë për suksese, mirëpo këtë po e vuajnë qytetarët e Kosovës. Edhe në këtë rast, me mbetjen jashtë mundësisë që të jemi pjesë e liberalizimit të vizave krahas qytetarëve tjerë të Bashkimit Evropian në proceset më tutje, si në rrjedhat e punësimit, por edhe në mundësitë e punësimit të qytetarëve, që mund të jenë në kuadër të integrimit tonë si shtet”, tha Demaliaj.

Duke fajësuar institucionet për moszbatimin e ligjeve, deputeti Demaliaj thotë se ky hendikep është përcjellë dhe me përgatitjen e dokumenteve të udhëtimit të Republikës së Kosovës.

Ai merr shembull pasaportën diplomatike të Kosovës, e cila nuk njihet nga vendet tjera, dhe kjo, sipas tij, sqaron se sa kanë arritur institucionet që të tregohen serioze në përgatitjet për procesin e liberalizimit të vizave.

“Si deputet që posedoj një pasaportë diplomatike, mund të shkoj me të deri në rajon, them në Maqedoni apo në Shqipëri dhe askund tjetër, për shkak se duhet të marrim viza”.

“Thjesht, vetëm shkruan se është pasaportë diplomatike, por nuk posedon diç më shumë se ajo e qytetarëve tjerë të Kosovës dhe pikërisht edhe kjo është pjesë e mosharmonizimit të procedurave me ligjet në fuqi”,
deklaron Demaliaj.

Ndërsa Kosova po pret fundin e vitit që të marrë instruksionet e reja nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, vendet tjera përreth Kosovës paralajmërojnë përfshirjen në këtë proces nga janari i vitit 2010.
XS
SM
MD
LG