Ndërlidhjet

logo-print

Imuniteti i ndërkombëtarëve përballë ligjeve kosovare


Komisionari për të Drejtat e Njeriut në KE ka kërkuar nga EULEX-i që të rrisë përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve të Kosovës. Deri më tani, të gjitha misionet ndërkombëtare kanë qenë imune ndaj ligjeve të Kosovës.


Ligjet kosovare vazhdojnë të mos kenë efekt ndaj pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Në emër të imunitetit që gëzojnë, të dhënë nga Rezoluta 1244 apo Plani i Ahtisarit, ata nuk ndiqen penalisht, edhe nëse bëjnë shkelje ligjore.

Në një raport të fundit për Kosovën, Komisionari për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg, ka kërkuar nga misioni evropian për sundimin e ligjit (EULEX) që të rrisë përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“EULEX mund të luajë një rol të madh për të siguruar se sundimi i ligjit po funksionon në Kosovë. Por, Komisionari rekomandon që EULEX-i të përmirësojë përgjegjshmërinë, duke i ofruar Kosovës një mekanizëm efektiv, që sfidon të gjitha sjelljet e supozuara të paligjshme të pranisë ndërkombëtare civile e të sigurisë”.

“Në pikëpamjen e Komisionarit, çdo organizatë ndërkombëtare që vepron si kuazi-qeveri, duhet të mbahet përgjegjëse”,
thotë zëdhënësi i Komisionarit, Stefano Montanari.

Në anën tjetër, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, shpjegon se personeli që punon në këtë mision, ka imunitet diplomatik.

Të njëjtit nuk u nënshtrohen ligjeve vendore. Në rast të shkeljeve të mundshme trajtohen nga drejtësia e shtetit prej nga vijnë. Imuniteti po ashtu mund të hiqet nga shteti përkatës.

“Kemi 27 vende anëtare, që kanë dërguar stafin në Kosovë për të punuar në emër të EULEX-it, por edhe të shteteve veç e veç. U përket shteteve anëtare që të marrin qëndrim për këtë. Mendoj se në raste të tilla, personi përkatës do të trajtohet nga drejtësia e vendit të tij, jo ajo lokale. Pra, shteti e heq imunitetin”,
thotë Limdal.

Por, përvoja me UNMIK-un, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, tregon se nuk është mirë që ndërkombëtarët të mos i nënshtrohen ligjeve vendore.

Avokati Tomë Gashi, njëherësh, këshilltar për çështje ligjore i kryeministrit, tregon se i ka rastisur t’i mbrojë viktimat, të drejtat e të cilëve janë cenuar nga pjesëtarë të UNMIK-ut.

Por, heqja e imunitetit nga ana e OKB-së në Nju Jork ka ndodhur tepër rrallë dhe kjo ka bërë që drejtësia të mos vihet në vend. Gashi frikësohet se këtë privilegj do ta shfrytëzojnë edhe pjesëtarët e EULEX-it.

“Ata, të cilët kanë ardhur në Kosovë që të na mësojnë se si ta respektojmë ligjin, faktikisht nuk e respektojnë, sepse imuniteti ka një lloj aurele, që nuk lejon ndjekje penale për veprime antiligjore”,
thotë Gashi.

Ndërsa UNMIK-ut i ka dhënë imunitet Rezoluta 1244, përfaqësuesve të EULEX-it e ICO-së imuniteti u është dhënë nga vetë institucionet. Kjo është specifikuar në propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, mbi bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

“Ne kemi imunitet diplomatik. Ky na është dhënë nga autoritetet kosovare, në përputhje me ligjet kosovare për imunitet, që janë pjesë e Kushtetutës së Kosoëvs. Kjo nënkupton se nuk kemi detyrime ndaj ligjeve lokale”, tha Limdal, duke shtuar se kjo nuk do të thotë se ndërkombëtarët janë të paprekshëm.

Aktivistë për të drejtat e njeriut kanë evidentuar një sërë rastesh kur ndërkombëtarët kanë bërë shkelje ligjore në Kosovë.

Një nga rastet më të rënda konsiderohet vrasja e dy personave në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt të 2007-ës, nga ana e policëve rumunë.

Vetë prokurori i UNMIK-ut, Robert Din, konkludoi se vrasja është bërë nga njësiti policor rumun, por asnjëherë nuk u akuzua askush, për shkak të, siç u tha, pamundësisë së identifikimit të personit të caktuar, që kishte qëlluar me plumba gome viktimat.

Mekanizmi që ka për qëllim të hetojë shkeljet, që bëhen nga misoni i OKB-së në Kosovë, i quajtur Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut, ka nisur shqyrtimin e këtij rasti. Por, ende s’e ka përmbyllur atë.

Tomë Gashi thotë se deri më tash, ky panel, i konsoliduar më 2007-ën, nuk ka marrë asnjë vendim në favor të qytetarëve të Kosovës.

“Paneli ka qenë çadër për të justifikuar OKB-në, që përfaqësohet këtu përmes UNMIK-ut, që dëshirojnë që t’i respektojmë ligjet, që imuniteti të mos jetë ombrellë për shkelësit e ligjit, por deri më tash nuk ka nxjerrë asnjë vendim që do të ndikonte në respektimin e të drejtave të njeriut, të personave të caktuar, apo grupeve të caktuara”, shprehet Gashi.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Ibrahim Makolli, thotë se është paradoksale që ndërkombëtarët të mos iu nënshtrohen ligjeve kosovare, meqë ato janë në përputhje më të gjitha konventat për të drejtat e njeriut.

“Diçka do të duhej të kihej parasysh. Në raport me të drejtat e njeriut askush nuk duhet të ketë imunitet. Fatkeqësisht, prania ndërkombëtare nuk u është përgjigjur ligjeve dhe drejtësisë kosovare”, tha Makolli.

Ai propozon krijimin e një gjykate për të drejtat e njeriut, duke marrë shembull nga gjykata në Strasburg. Ai thotë se një organ i tillë do të merrte për bazë ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Para saj, sipas Makollit, nuk do të duhej të kishte askush imunitet.
XS
SM
MD
LG