Ndërlidhjet

logo-print

"Tenderi për mish - i jashtëligjshëm"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Kur emri i Behgjet Pacollit ishte shtyrë në opinion si kandidat potencial i Aleancës për Kosovën e Re për prefekt të Prishtinës, partitë e mëdha ishin detyruar ta marrin garën e 15 nëntorit për kryeqytetin me më shumë nervozizëm. Mbështetja masive e elektoratit të Prishtinës në zgjedhjet e nëntorit 2007 - atëherë AKR kishte dalë partia e dytë pas LDK-së në votimet për kuvendet komunale - si dhe profili biznesor i Pacollit e bënin atë një kandidat interesant potencial. Këtë të diel ai e ka përjashtuar vetën nga llogaritë për prefektin më të rëndësishëm në Kosovë, një post ndoshta po ashtu i dyti vetëm pas kryeministrit sa i përket rëndësisë politike. Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka thënë Expressit se ai nuk do të kandidohet për Prishtinën. “Nuk mund t’ua kthej shpinën gjithë mbështetësve tjerë të AKR-së në rajonet tjera të Kosovës”, ka thënë Pacolli, ndërkohë që ishte rikonfirmuar kryetar i partisë me vota të hapura dhe pa kundërkandidatë, në Kuvendin e tretë të këtij subjekti...

ZËRI
Bazuar në raportet e para të marra nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), duket që të gjitha partitë relevante në Kosovë, si dhe ato që gravitojnë kah grupi i partive të vogla (së paku, në zgjedhjet e deritashme), kanë vendosur që në zgjedhjet e para në shtetin e Kosovës, në ato për pushtetin komunal, të garojnë të vetme, apo të mos hyjnë në koalicion me partitë tjera. Edhe pse baza ligjore përjashton mundësinë që deri më 15 shtator (dy muaj para organizimit të zgjedhjeve, më 15 nëntor) të ndryshojë diçka në këtë aspekt të formimit të koalicioneve parazgjedhore, megjithatë, faktikisht, duket që një opsion i tillë është i mundur, sikurse edhe ai i formimit të partive apo iniciativave qytetare në ndërkohë – sepse certifikimi i mirëfilltë, ai final i konkurruesve në zgjedhjet për qeverisjen lokale bëhet më 25 shtator, apo dhjetë ditë pas përfundimit të afatit konkludues për certifikimin e subjekteve që do të jenë pjesë përbërëse e procesit zgjedhor...

BOTA SOT
Për ata të cilët kanë konkurruar që ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në vendet tjera, ka qenë një proces paksa më i gjatë dhe shumë më i komplikuar. Tani procesi për emërimin e ambasadorëve është në fazën e përfundimtare, së paku në Prishtinë. Mirëpo, edhe pas emërimit të ambasadorëve nga Prishtina zyrtare, ambasadorët e ardhshëm duhet të presin edhe pak derisa të marrin pëlqimin e vendeve ku janë emëruar. Kujtim Shala, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, thotë se procesi i përzgjedhjes së ambasadorëve ka kaluar nëpër faza, të cilat i kërkon Ligji për Ministrinë e Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës. “Aktualisht ky proces është në fazën e fundit dhe kjo fazë nënkupton konsultimet ndërmjet krerëve të shtetit, të presidentit, kryeministrit, ministrit të jashtëm”...

EPOKA E RE
Presidentët e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Ivanov, Topi dhe Sejdiu, të dielën pasdite kanë drekuar së bashku në Ohër. Takimin joformal dyorësh të tre presidentët e kanë vlerësuar të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve dhe komunikimit të ndërsjellë, para së gjithash në planin ekonomik dhe atë kulturor. Në këtë takim, presidentët kanë biseduar edhe për gjendjen aktuale në rajon. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili ka arritur të shtunën pasdite në Ohër, ka zhvilluar takim sy më sy me nikoqirin Gjorgje Ivanov. Siç bëjnë të ditur kabinetet e të dy presidentëve, në takimin e tyre të parë kanë rënë dakord që ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe sa më shpejt të vendosin marrëdhënie diplomatike, si dhe hapjen e selive diplomatike në Shkup dhe Prishtinë...

LAJM
Edhe pse Universiteti i Prishtinës nuk e ka marrë akreditimin për të gjitha programet, ky institucione e ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj për të gjitha fakultetet. Përpara se të publikohen rezultatet e akreditimit, asnjë universitet nuk ka pasur të drejtë ta shpallë konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e parë, pa u ditur se kush do ta marrë akreditimin e kush jo, mirëpo UP-ja ka vepruar ndryshe. Ky universitet, me vendimet e fundit të Qeverisë, e ka marrë akreditimin në nivel institucional, edhe pse Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk e ka kryer akreditimin e plotë të UP-së. Procesi i vlerësimit të programeve në Universitetin Publik do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, meqë të akredituar deri më tash, sipas rekomandimeve dhe vendimeve të Qeverisë, janë Fakulteti Ekonomik, Filozofik, i Mjekësisë, si dhe Fakulteti i Shkencave Aplikative të Biznesit në Pejë me programe të specifikuara...

KOHA DITORE
Tenderi i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit për importimin e mishit dhe produkteve të tij, që është hapur me izë të Qeverisë së Kosovës, është vlerësuar si i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me disa nga nenet ligjore të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Kështu thuhet në një raport të Departamentit për Mbikëqyrje dhe Monitorim të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, një kopje të të cilit e posedon “Koha Ditore”. Ky tender i hapur për “akreditimin e kompanive importuese të mishit” kap vlerën e mbi 20 deri 200 milionë eurove – në raport është konstatuar si një proces përplot shkelje rregullash e nenesh ligjore. Raporti i monitoruesit nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, i realizuar para ndryshimeve të bëra në Udhëzimin administrativ 07/2009, përveçse nxjerr një mori shkeljesh të bëra në procedurat e tenderimit, sipas ligjit në fuqi, del që tenderi të ketë qenë i panevojshëm për t’u hapur në këtë mënyrë...

INFOPRESS
Në shumë raste, problemi i pronave, sidomos në Mitrovicë, ka konotacion shumë të theksuar politik. Kjo duhet pastaj të ndahet nga ana juridike. Dikush ka të drejtë plotësisht ta gëzojë pronën e vet, por për shkak të rrethanave politike nuk mundet. Këtë problem e kemi shumë të theksuar në Mitrovicë. Me gjasë ka edhe në pjesë të tjera të Kosovës, por gjendjen në Mitrovicë ne e njohim të gjithë. Kështu ka thënë në një intervistë për “Infopress” Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Sami Kurteshi. Nuk beson se ndonjëherë do të arrihet moto “të gjithë të barabartë para ligjit”, por më të arsyeshme e sheh atë “askush mbi ligjin”...

KOSOVA SOT
Ndonëse Kosova në periudhën e pasluftës ka hartuar një kornizë mjaft të gjerë të legjislacionit të ri, gjithmonë duke bërë përpjekje për ta harmonizuar atë me standardet më të avancuara të vendeve të BE-së, zbatimi i ligjeve të miratuara në praktikë ende mbetet një dobësi, e cila nuk ka arritur të evitohet në maksimumin e dëshiruar. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, së paku në bazë të deklaratave, janë duke bërë përpjekje maksimale që ta bëjnë monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe nxjerrjen e rekomandimeve të nevojshme për ndryshime dhe plotësime eventuale të atyre ligjeve që hasin në kundërshti me njëri-tjetrin dhe nuk funksionojnë si duhet në sistemin unik legjislativ të vendit... Për dallim nga dy qeverisjet e kaluara, mandati i tretë qeveritar në vend është fokusuar në mënyrë direkte që të mbikëqyrë gjithë sistemin shtetëror se si është duke i zbatuar ligjet...
XS
SM
MD
LG