Ndërlidhjet

Nënshkruhet marrëveshja Nabuko


Ankara - Nënshkrimi i marrëveshjes, 13 korrik '09.
Ankara - Nënshkrimi i marrëveshjes, 13 korrik '09.

Gazsjellësi planifikohet të bëhet funksional në vitin 2014. Ai është i gjatë 3300 kilometra, do të kushtojë 7.9 miliardë euro dhe zvogëlon varësinë energjetike të Evropës nga Rusia.


Katër shtete të Bashkimit Evropian dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin e tubacionit të gazit natyror, duke reduktuar në këtë mënyrë varësinë e BE-së nga Rusia.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ai i Bullgarisë, Sergej Stanishev, kryeministri i Rumanisë, Emil Bok, ai i Hungarisë, Gordon Bajani dhe kancelari i Austrisë, Verner Fajman, nënshkruan marrëveshjen ndërqeveritare për këtë projekt.

Erdogan e cilësoi marrëveshjen si “një moment historik” dhe theksoi se “puna nuk ka përfunduar me nënshkrimin e saj, në të kundërtën ajo tani ka filluar”.

Tubacioni 3300 kilometrash planifikohet të bëhet funksional në vitin 2014 dhe marrë parasysh kapacitetin për pompimin e 31 miliardë metra kubgazi nga Deti Kaspik nëpërmjet Turqisë në Austri dhe në Ballkan, duke anashkaluar Rusinë, vlerësohet se do të kushtojë 7,9 miliardë euro.

Erdogan tha se korniza legale për konstruktimin e tubacionit do të përfundojë kur Nabuko t’i ketë nënshkruar marrëveshjet veç e veç me të gjitha shtetet pjesëmarrëse brenda periudhës gjashtëmujore.

Për shkak të rëndësisë së marrëveshjes, komisionari i BE-së, Hose Manuel Baroso, emisari special i Shteteve të Bashkuara për energji në Euroazi, Riçard Morningstar, dhe kryeministri i Irakut, Nuri Al Maliki, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

Me këtë rast, komisioneri evropian, Baroso, u shpreh:

“Tubacioni i Nabukos ka rëndësi kruciale për sigurinë e energjisë së Evropës dhe të Turqisë. Ai siguron shumëllojshmërinë e burimeve dhe të rrugëve dhe bashkon një treg të konsumatorëve me furnizues të besueshëm dhe rrugë tranzite të besueshme”, tha Baroso.

Një e katërta e gazit natyror, i cili përdoret aktualisht në Evropë, vjen nga Rusia, me ç’rast disa shtete të Evropës jugore bazohen ekskluzivisht në furnizimet nga Rusia.

Projekti i Nabukos ka për qëllim të mënjanojë përsëritjen e reduktimeve që kishin ndalur furnizimin për Evropën gjatë dimrit, gjë që kishte nxitur akuza ndaj Rusisë për përdorimin e gazit si armë politike.

Kancelari i Austrisë, Verner Fajman, theksoi rëndësinë e projektit Nabuko.

“Për ne, Nabuko nënkupton bashkëpunim e jo konfrontim. Ne mendojmë se të gjitha rrugët shtesë dhe resurset e furnizuesve duhet të zhvillohen”,
theksoi ai.

Dy banka evropiane kanë konfirmuar deri më tani mbështetjen financiare për tubacionin për gaz natyror, por analistët thonë se mund të ketë vështirësi në sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare për projektin, për shkak të krizës ekonomike globale.
XS
SM
MD
LG