Ndërlidhjet

logo-print

Lushta: Zgjedhjet përgatiten dhe për komunat e reja


Nesrin Lushta

Nesrin Lushta

“Infrastruktura e zgjedhjeve do të përgatitet edhe për komunat e reja, do të emërohen komisionet komunale të zgjedhjeve dhe do ta kenë tretmanin e njëjtë sikurse dhe lokalitetet tjera në Kosovë”, thotë kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.


RADIO EVROPA E LIRË

Zonja Lushta, më 15 nëntor do të mbahen zgjedhjet lokale. Cilat janë sfidat para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe deri ku keni arritur me përgatitjet?

NESRIN LUSHTA
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi për përgatitjen dhe për mbajtjen e zgjedhjeve në pajtim me parimet dhe me kërkesat e Ligjit për Zgjedhjet të Kosovës dhe KQZ-ja kështu edhe e ka kuptuar këtë rol.

KQZ-ja, bashkë me sekretariatin e vet, është duke punuar në mënyrë intensive, që zgjedhjet e 15 nëntorit të vitit 2009 vërtet të jenë të lira, demokratike dhe në përputhshmëri me të gjitha kërkesat që dalin nga ligji.

KQZ-ja deri më tani ka punuar, domethënë janë bërë edhe përgatitjet paraprake. Në rend të parë janë marrë rregullat e punës, domethënë është nxjerrë legjislacioni dytësor, është miratuar plani i punës dhe plani operacional i zgjedhjeve. Është miratuar buxheti, janë bërë edhe parapërgatitjet e tjera.

Mirëpo, prej ditës kur presidenti i Kosovës ka shpallur ditën e zgjedhjeve, përgatitjet janë intensifikuar, në mënyrë që afatet, të cilat dalin nga Ligji për Zgjedhjet, të respektohen plotësisht. Kështu që KQZ-ja ka bërë emërimin e komisioneve komunale të zgjedhjeve. Gjer më tani janë emëruar këto komisione për 28 komuna dhe do të vazhdohet me këtë proces.

Pastaj ka qenë edhe afati në të cilin partitë politike dhe subjektet politike kanë pasur për obligim ta informojnë Zyrën për regjistrimin e partive politike se a do të garojnë apo do të kenë ndonjë ndryshim sa i përket kryetarit të vet ose personave të tjerë dhe sa u përket informacioneve të tjera.

Gjer më tani, 38 subjekte politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, mirëpo kjo nuk do të thotë se procesi i certifikimit ka përfunduar. Përkundrazi, afati për certifikimin e subjekteve politike është 60 ditë para ditës së zgjedhjeve, ashtu që zyra në këtë drejtim është duke punuar.

KQZ-ja dhe sekretariati në përgjithësi janë duke punuar intensivisht që këto data që dalin nga ligji, të respektohen maksimalisht.

Sa u përket sfidave, unë konsideroj se ekzistojnë disa sfida, me të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ballafaqohet. Njëra prej sfidave është lista e votuesve, sepse lista e votuesve duhet të azhurnohet, pasi që merret ekstrakti nga regjistri qendror civil.

Sfidë mund të jetë edhe kyçja e gjykatave në procesin e kundërshtimit të listave të votuesve. Kjo për herë të parë do të ndodhë. Sfidë mund të jetë votimi me kusht dhe votimi me postë, për arsye se këto dy lloje të votimeve mund të prolongojnë procesin e numërimit të votave.

RADIO EVROPA E LIRË
Është hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon një palë zgjedhje, pa ndihmën e ndërkombëtarëve. A shihni ndonjë vështirësi në këtë drejtim?

NESRIN LUSHTA
Po, është e vërtetë se KQZ-ja për herë të parë do t’i organizojë zgjedhjet në Kosovë. Sa i përket kyçjes së faktorit ndërkombëtar, unë mund të them se ndonjë ndihmë teknike nga faktori ndërkombëtar, nga OSBE-ja për shembull, e cila ka organizuar zgjedhjet e kaluara, por edhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, do të jetë e mirëseardhur në pikëpamje të dhënies së ndihmës teknike.

Mirëpo, prapëseprapë theksoj se KQZ-ja është një institucion i vetëm, një institucion i pavarur, i cili sivjet do t’i organizojë zgjedhjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet për të cilat flitet shumë është edhe mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale në vendbanimet ku parashikohet të formohen komunat e reja sipas planit për decentralizim. A do të bëhen përgatitjet edhe për këto lokalitete?

NESRIN LUSHTA
Po, KQZ-ja do t’i bëjë përgatitjet për zgjedhje edhe për këto lokalitete, pa dallim prej vendeve të tjera në Kosovë.

Domethënë, infrastruktura e zgjedhjeve do të përgatitet edhe për këto vende, për këto komunat e reja, pra do të emërohen komisionet komunale të zgjedhjeve, do të përgatiten të gjitha kushtet për punën normale të tyre, andaj këto do ta kenë tretmanin e njëjtë sikurse edhe lokalitetet tjera në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se është një tendencë në rritje e aplikimit të subjekteve politike nga komuniteti serb për pjesëmarrje në zgjedhje. Sa qëndron kjo kur kihet parasysh thirrja e Beogradit për bojkotim?

NESRIN LUSHTA
Siç e thashë edhe më parë, gjer më tani, 38 subjekte politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 15 nëntorit; në mesin e tyre janë edhe 6 nga radhët e komunitetit serb.

Mirëpo, lidhur me çështjen e ftesës së Beogradit për bojkotimin, kjo është një çështje politike me të cilën KQZ-ja nuk mund të merret dhe unë për këtë nuk mund të jap ndonjë koment.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të bëhet me subjektet politike, të cilat nuk e kanë paguar gjobën gjatë zgjedhjeve të vitit 2007? A do të mund të certifikohen ato apo jo?

NESRIN LUSHTA
Subjektet politike, të cilat nuk kanë paguar gjobat nga zgjedhjet e vitit 2007, nuk mund të certifikohen, për arsye se kusht ligjor për certifikimin e tyre është pagesa e këtyre gjobave.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG