Ndërlidhjet

Paralajmërohet emërimi i ambasadorëve


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Presidenti Sejdiu tha se është në pritje të marrjes së pëlqimeve nga shtetet përkatëse për emrat e ambasadorëve të Kosovës. Në këtë fazë parashihet emërimi i 18 ambasadorëve, konsujve dhe stafit përcjellës diplomatik.


Kosova është në procesin final të emërimit të ambasadorëve, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu. Në këtë fazë parashihet emërimi i 18 ambasadorëve, konsujve dhe stafit përcjellës diplomatik.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha sot, pas takimit me ambasadorin e sapoemëruar të Austrisë në Prishtinë, Valter Maria Stojan, se ai është në procesin e marrjes së pëlqimeve nga vendet tjera, në lidhje me emrat e ambasadorëve të Kosovës në këto shtete.

Përderisa të mos kthehen përgjigjet lidhur me kandidimet e Kosovës për ambasadorë, Sejdiu tha se nuk e sheh të arsyeshme që t’i zbulojë emrat e këtyre ambasadorëve potencialë.

“Rreth ambasadorëve - unë them se punët janë kryer. Ka mbetur krejt edhe pak. Natyrisht, keni parasysh se s’do t’ju komunikojmë emrat, sepse do të nevojitet agrimani apo pëlqimi nga secili vend ku do të adresohet njeriu i Kosovës, duhet një komunikim normal sipas konventave të Vjenës dhe ligjeve në fuqi, që i ka edhe Republika e Kosovës dhe natyrisht edhe secili vend”, tha Sejdiu.

Përveç 18 ambasadave që Kosova pritet t’i funksionalizojë gjatë këtij viti, Sejdiu e ka lënë të hapur mundësinë që të hapen edhe ambasadat në dy vendet fqinje, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, nëse këto dy shtete janë të gatshme për një nivel të tillë marrëdhëniesh diplomatike.

Ndërkohë, ambasadori austriak, Valter Maria Stojan, tha se Vjena do të vazhdojë angazhimet që edhe Kosova të përfshihet në rrjedhat integruese evropiane e rajonale.

Ai tha se nuk do të dëshironte që ta shihte një Kosovë të izoluar dhe inkurajoi përpjekjet evropiane që edhe Kosova të përfshihet në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Duke drejtuar mesazhe në gjuhën shqipe, ambasadori austriak tha se mbështeste aspiratat e Kosovës si shtet i pavarur për integrim në Bashkimin Evropian.

“Austria do ta përkrahë edhe në të ardhmen Republikën e Kosovës dhe së bashku do të arrijmë atë që stërgjyshërit e Bashkimit Evropian kanë ëndërruar, një Evropë paqësore, prosperuese dhe të sigurt në vete”, tha Valter Maria Stojan.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, shumë vende kanë ngritur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën nga niveli i zyrave ndërlidhëse në ambasada.

Kosova ka hapur dhjetë ambasadat e para gjatë vitit të kaluar, ku punojnë të ngarkuarit me punë dhe sekretarët e parë. Ndërkaq, këtë vit, ishte shpallur konkursi dhe të gjithë, përfshirë dhe të ngarkuarit me punë, patën konkurruar për postin e ambasadorit.

Tani, kur presidenti është përcaktuar për emrat, ka mbetur që të merren edhe pëlqimet nga 18 vendet përkatëse dhe më pas pritet që presidenti Fatmir Sejdiu t’i emërojë ambasadorët e Kosovës, për të përmbushur ngritjen e marrëdhënieve me këto shtete në nivelin e ambasadave.
XS
SM
MD
LG