Ndërlidhjet

“Kryetari i gjyqit nën hetime”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Ndonëse ishte paralajmëruar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si instanca më e lartë juridike në vend, të themelohej dhe të jetë funksionale në pjesën e parë të këtij viti, ajo nuk pritet të fillojë shqyrtimin e lëndëve para vjeshtës së këtij viti. Edhe pse ditë më parë është kompletuar zgjedhja e nëntë gjyqtarëve, si dhe formalisht është inauguruar ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ajo nuk pritet të jetë funksionale para muajit shtator. “Gardianët” e Kushtetutës së Kosovës kanë thënë se vonesat në fillimin e punës së Gjykatës Kushtetuese kanë të bëjnë me çështje teknike dhe logjistike, e jo me ndonjë arsye tjetër....

BOTA SOT
Policia e Kosovës, saktësisht më 30 qershor të këtij viti, u kishte dhënë afatin fundit policëve serbë të Kosovës që të kthehen në Policinë e Kosovës, dhe mu në ditën e fundit të këtij ultimatumi janë rikthyer 307 pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët në këtë mënyrë iu kanë përgjigjur kushtit të vënë nga Ministria e Punëve të Brendshme për t’u kthyer në polici. Shumica e serbëve të rikthyer në Policinë e Kosovës ishin nga rajoni i Gjilanit, kurse disa të tjerë nga rajoni i Prishtinës, por ishte edhe një pjesë e tyre që ishin kthyer edhe në policinë kufitare. Të gjithë policët e rikthyer në Policinë e Kosovës janë vendosur përsëri në vendet e tyre të mëhershme të punës. Zyrtarët policorë thonë se ata vazhdojnë duke punuar detyrat e tyre me rregull dhe bashkëpunimin e vlerësojnë si të mirë me policët serbë dhe nuk mungon në aspektin e kryerjes së përgjegjësive...

EPOKA E RE
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Berim Ramosaj, i cili që një javë e më tutje publikisht po kërkon bashkimin e LDD-së me LDK-në, në një intervistë për “Epokën e re”, të hënën, ka thënë se këto dy pati politike, konkretisht liderët e tyre, Fatmir Sejdiu e Nexhat Daci, duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për t’ia shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit dhe për t’u bashkuar në një subjekt të vetëm politik. Ka treguar se projekt-ideja e bashkimit është qëllimmirë. Me të nuk ka qëllim të humbin në zgjedhje as Nexhat Daci e as Fatmir Sejdiu. Ramosaj, si ekonomist i mirë, në përpilimin e projektit ka bërë edhe parallogaritë se çfarë mund të fitojnë LDK-ja e LDD-ja, nëse bashkohen në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit...

LAJM
Qytetarët e Republikës së Kosovës edhe për një kohë të pacaktuar nuk do të mund të udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian pa u pajisur me viza. Madje, Kosova ende nuk e ka të nënshkruar as marrëveshjen kontraktuale me Komisionin Evropian për kriteret që duhet plotësuar, edhe pse, sipas zyrtarëve, Qeveria ka filluar t’i plotësojë disa prej tyre. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Kosova i ka bërë disa përgatitje të njëanshme sa i përket procesit të liberalizimit të vizave me BE-në... Edhe Edon Cana, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Integrime Evropiane, tha të hënën për “Lajm” se Kosova nuk është shteti i vetëm në rajon që ende nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, ngase, sipas tij, jashtë këtij procesi ende mbetet Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina...

KOHA DITORE
Vrasja e burrave, plaçkitja e grave dhe dhunimi i femrave të reja kanë qenë disa nga veprat e kryera nga forcat policore dhe paraushtarake serbe në Komunën e Deçanit, ka thënë dëshmitarja K-58, në vazhdimin e procesit gjyqësor në Tribunalin e Hagës kundër ish-ndihmësministrit të Brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq. Dëshmitarja okulare nga Gllogjani, e cila ishte paraqitur në këtë cilësi edhe në gjykimin “Milutinoviq dhe të tjerët”, ka rrëfyer për përvojat e tmerrshme të disa familjeve shqiptare nga fshatrat e rrethinës së Deçanit, të cilët pak ditë pas fillimit të bombardimeve ishin mbledhur në një shtëpi në fshatin Beleg të kësaj komune, prej nga më pas ishin depërtuar në Shqipëri...

INFOPRESS
Komandanti i trupave të KFOR-it, Gjuzepe Emilio Gaj, ka thënë se reduktimi i KFOR-it pritet të nisë nga janari i vitit të ardhshëm. Në një intervistë për “Infopress” komandanti në largim i KFOR-it thotë se diku nga janari do të mbesin veç 10 mijë trupa të KFOR-it. Më pas, shton ai, ai proces do të rrjedhë në të njëjtën mënyrë, duke pasur parasysh vendimet e Këshillit të Aleancës së NATO-s dhe gjendjen në terren. Tash për tash, thotë se gjendja e sigurisë është e qetë dhe stabile... “Procesi i planifikimit të reduktimit të trupave po vazhdon dhe për këtë arsye mund të them se sa më herët Komanda Supreme për Evropë ta shohë të përshtatshme, do ta lëshojnë një rekomandim për Këshillin për të implementuar lëvizjen në “fazën kalimtare 1”, e cila nënkupton reduktim të mundshëm të trupave në 10 mijë nga janari 2010”...

KOSOVA SOT
Pasi është miratuar në Kuvendin e Kosovës në leximin e parë Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, shqyrtimi dhe amendamentimi i tij për të ardhur deri te drafti final, i cili duhet të miratohet në Kuvend, në versionin e spastruar nga të gjitha elementet që e bëjnë ta paqartë dhe paraqesin dykuptimësi ose ngarkesë të panevojshme, duket se do të jetë në procedurë, e cila do të marrë një kohë mjaft të gjatë. Në këtë projekt, i cili ka për qëllim luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë publikë, janë angazhuar edhe ekspertë të KE-së, të cilët janë duke dhënë kontributin e vet nëpërmes komenteve të tyre në punën e Komisionit për Legjislacion...

EXPRESS
Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj, po hetohet për shkelje të ligjit. Ai dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme e ka lëshuar nga paraburgimi një biznesmen kosovar, i cili e kishte rrahur gruan e tij. Për këtë person, kryetari Nokaj dyshohet se ka prishur vendimin e kolegjit të gjyqtarëve të kësaj gjykate, të kryesuar nga Mejdi Dehari. Për këtë biznesmen, Anton Nokaj ka përpiluar një vendim të ri. Ai e liron biznesmenin nga paraburgimi, edhe pse kolegji i gjyqtarëve ia kishte vazhduar atij këtë masë. Ky vendim është në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye, Prokuroria e Kosovës, saktësisht kryeprokurori Hilmi Zhitia, ka nisur hetimet ndaj kryetarit dhe njëkohësisht gjyqtarit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj...
XS
SM
MD
LG