Ndërlidhjet

logo-print

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) tërheq vëmendjen se dështimi eventual i decentralizimit do të ishte një dhuratë për Beogradin, ndërsa do të çonte kah ndarja e Kosovës në vija etnike.


Dështimi i procesit të decentralizimit, sipas Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), do të ketë implikime për vendin.

Suksesi i këtij procesi thuhet se është në të mirë të Kosovës, ndërsa nga dështimi do të përfitonte vetëm Beogradi dhe strukturat paralele serbe.

Në një analizë që i ka bërë këtij procesi, KIPRED vlerëson se janë katër faktorë që do të vendosin për këtë proces - serbët lokalë, Beogradi, Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare.

Rol vendimtar kanë serbët, por, sipas drejtorit të hulumtimeve në KIPRED, Ilir Deda, ata janë të ndarë.

“Kemi tri grupe të ndryshme të serbëve: një pjesë që është e integruar në institucione dhe dy pjesë të tjera që po mendojnë të futen në këtë proces, me dozë skepticizmi, dhe ky skepticizëm rrjedh nga ngecjet në decentralizim dhe nuk duan të kenë instruksione të forta nga Beogradi”, thotë Deda.

Beogradi, sipas Dedës, po pengon procesin e decentralizmit, duke i forcuar strukturat paralele serbe në Kosovë.

Këtë e bën, siç thuhet, për të zvarritur këtë çështje, derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin këshillëdhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
Politikanët serbë mendojnë se pas mendimit të GJND-së, do të ketë raund të ri negociatash, që do të rezultojnë me ndarjen e Kosovës me marrëveshje.

“Politikanët në Beograd janë të bindur se GJND-ja do të mbështesë qëndrimin e Serbisë. Politikanët serbë mendojnë se pas mendimit të GJND-së, do të ketë raund të ri negociatash, që do të rezultojnë me ndarjen e Kosovës me marrëveshje”, shprehet Deda.

Sipas KIPRED-it, faktorët tjerë vendimtarë, qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, kanë ngecur në kohën kur është dashur të ndërmerren masat fundamentale - krijimi me kohë i komunave të reja.

Deri më tani, Deda shpjegon se është marrë vendim vetëm për krijimin e një komune - atë të Kllokotit. Qeveria, sipas Dedës, po i frikësohet bojkotit në veri.

“Veç kësaj, anëtarët e Qeverisë së Kosovës frikohen se nëse serbët nuk dalin në zgjedhjet komunale në veri dhe ka zbatim të suksesshëm të decentralizimit në jug, kjo do të çimentojë vijën ndarëse përgjatë lumit Ibër”.

“Kjo frikë përforcohet më tutje me punën e dobët të EULEX-it në vendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës. EULEX-i ka shfaqur më shumë tendencë të përshtatjes me situatën e tanishme në veri, sesa ta ndërrojë atë”,
deklaron Deda.

KIPRED vlerëson se paqartësitë më të mëdha për këtë proces i ka vetë bashkësia ndërkombëtare.
Palët ndërkombëtare të interesit janë bllokuar nga gara e tri politikave kundërshtuese lidhur me krijimin e komunave të reja...

“Për më tepër, palët ndërkombëtare të interesit janë bllokuar nga gara e tri politikave kundërshtuese lidhur me krijimin e komunave të reja”.

“Disa prej tyre dëshirojnë krijimin e pjesshëm të komunave të reja; një pjesë tjetër dëshiron decentralizimin e plotë, përderisa të tjerët dëshirojnë shtyrjen e procesit deri në pranverë të vitit 2010”,
shprehet Deda.

KIPRED vlerëson se dështimi eventual i procesit të decentralizimit, në rrafshin ndërkombëtar do të interpretohej si një dështim i institucioneve të Kosovës për të zbatuar thelbin e Propozimit të Ahtisarit – decentralizimin.

Në rajon, Serbia do të arrinte një përparësi strategjike për fuqizimin e agjendës së saj për ndarjen e Kosovës.

Ndërkaq, suksesi i decentralizimit duket se do të pengonte ndarjen e Kosovës dhe do të ishte një hap vendimtar për zvogëlimin gradual të rolit të tanishëm negativ të Beogradit drejt shtetësisë së Kosovës dhe interesave të serbëve lokalë.

Me Planin e Ahtisarit parashihet formimi i pesë komunave të reja serbe dhe zgjerimi i një komune aktuale. Kundërshtare e këtij procesi është Lëvizja Vetëvendosje, e cila konsideron se me këtë plan do të krijohen korridore, që i hapin rrugë ndarjes së Kosovës në vija etnike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG