Ndërlidhjet

Britani: Qeveria nën presion për Afganistanin


Londër, 13 korrik '09: Qytetarët protestojnë para zyrës së kryeministrit Gordon Braun.
Londër, 13 korrik '09: Qytetarët protestojnë para zyrës së kryeministrit Gordon Braun.

Derisa kohëve të fundit është rritur numri i ushtarëve të vrarë britanikë në Afganistan, qeveria e kryeministrit Gordon Braun u është nënshtruar kritikave nga opozita, lidhur me mungesën e strategjisë dhe për dështimin që trupat e Britanisë të pajisen në mënyrë adekuate.


Trupat e tetë ushtarëve britanikë, të vrarë vetëm gjatë një dite luftimi në Afganistan, u dërguan në shtëpi.

Britania nuk ka regjistruar numër kaq të lartë të viktimave në Afganistan dhe nuk është e sigurt nëse britaniku i rëndomtë është i përgatitur për këtë nivel të përkushtimit në Afganistan, për një afat të gjatë, pra për luftë reale kundër kryengritësve talibanë, që duket se posa ka nisur.

Britania, aktualisht, i ka të vendosura 9 mijë trupa në provincën jugore të Afganistanit, Helmand.

Në mënyrën klasike guerile, talibanët sulmonin vetëm atëherë kur forcat britanike ktheheshin nëpër bazat e tyre.

Tash, nën politikën e re aktive të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, mijëra trupa elite të ushtrisë amerikane, së bashku me ato britanike, janë vendosur në Helmand, për sigurinë e provincës nga talibanët.

Në Londër, ndërkaq, kryeministri Gordon Braun ka shprehur nevojën e vazhdimit të qëndrimit në Afganistan. Ai vuri në dukje se qeveria ka dyfishuar fondet për fushatën në Afganistan.

“Ishte verë shumë e vështirë, e cila nuk ka përfunduar ende. Por, nëse duam që ta marrim Helmandin nga talibanët, në periudhën afatgjate, nëse duam t’i shkatërrojmë kryengritësit dhe në ketë mënyrë të bëjmë Britaninë dhe botën më të sigurt, atëherë duhet të vazhdojmë me operacionet tona në Afganistan”, ka thënë Braun.

Por, opozita konservatore është duke e sulmuar kryeministrin Braun për mënyrën e sigurisë së trupave britanike dhe pajisjen e tyre.

Lideri opozitar, Dejvid Kamerun, këtë situatë e quan skandaloze, por pajtohet që fushata duhet të vazhdojë.

“Ky është një skandal, në veçanti pasi ka ende mjaft mungesa të helikopterëve, të cilët mund të lëvizin në jug të Afganistanit. Qeveria duhet të merret me këtë çështje si shumë urgjente, por nuk do të jetë në interesat tona kombëtare që Britania të kthehet prapa nga angazhimet për të ndërtuar botë më të mirë dhe të qëndrueshme”, tha Kamerun.

Sekretari i Mbrojtjes, Bob Ajnsvorth, mbron qëndrimet e qeverisë, duke thënë se në betejën ballë për ballë që ushtarët britanikë janë duke zhvilluar në Afganistan, nënkuptohet që ata nuk mund të veprojnë me mjete të sigurisë së lartë apo helikopterë.

Kryeministri britanik ka deklaruar më herët se komandantët e ushtrisë britanike besojnë se janë duke e fituar betejën kundër militantëve talibanë.

Ai e përshkroi objektivin e Londrës si qëllim për të parandaluar çdo kthim të mundshëm të sulmeve terroriste nëpër rrugët e Britanisë dhe tha se kjo po ashtu përfshin eliminimin e rrjeteve terroriste nga Afganistani dhe Pakistani, duke i mbështetur qeveritë e këtyre dy vendeve në luftën kundër talibanëve.

Por, disa analistë janë më pak optimistë.

Në shkrimin e tij në “Fajnanshëll Tajms” (Financial Times), Filip Stiven thotë se perëndimi duhet të përpiqet që të shmangë humbjen aktuale në Afganistan. Sipas tij, lufta nuk mund të fitohet në kuptimin konvencional dhe më e mira që pritet është që të mos lejohet fitorja e talibanëve.
XS
SM
MD
LG