Ndërlidhjet

Solana fton Kosovën t’i përmbushë kriteret për liberalizim vizash


Havier Solana

Havier Solana

Përfaqësuesi i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Havier Solana, i ka inkurajuar institucionet e Kosovës që t’i përmbushin kriteret e parapara, që edhe Kosova një ditë të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave dhe proceset tjera integruese.


Përfshirja në procesin e liberalizimit të vizave nënkupton arritjen e standardeve të kërkuara, tha sot në Prishtinë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana.

Duke arsyetuar vendimin e BE-së që Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina të mos përfshihen në këtë fazë në kuadër të liberalizimit të vizave, krahas Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilat kanë marrë dritën jeshile të Brukselit, Solana tha se u takon autoriteteve qeveritare të të tria shteteve të mbetura që t’i përmbushin kriteret, ku përfshihet kontrolli i kufijve shtetërorë, pasaportat me standarde evropiane dhe çështje tjera të domosdoshme që ndërlidhen me kalimet kufitare.

“Vetëm tri vende do të përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave këto ditë. Procesi do të vazhdojë tutje dhe dëshirojmë që sa më shpejt edhe vendet tjera t’i përmbushin kriteret dhe procesi të vazhdojë tutje”, tha Solana.

Përfshirja në liberalizimin e vizave, nënvizoi zyrtari i lartë i BE-së, nuk është çështje politike por teknike dhe varet nga vendet veç e veç se sa janë të afta që t’i arrijnë kriteret e parapara.

Solana u tha liderëve kosovarë se nuk është EULEX-i ai i cili do t’i kontrollojë kufijtë apo të prodhojë pasaporta me standarde evropiane. Kjo punë, tha Solana, i përket Qeverisë së Kosovës që ta bëjë.

Ndërkaq duke iu përgjigjur interesimeve të gazetarëve se si ishte e mundur që vendet si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të administruara dhe kontrolluara nga ndërkombëtarët, të mos i mbërrijnë standardet evropiane, Solana sërish adresoi përgjegjësinë tek autoritetet vendore të këtyre shteteve.

“Vendet që kanë një kontroll nga Bashkimi Evropian apo ku janë të dislokuara forcat ushtarake të BE-së, ato nuk do të thotë se kontrollohen. Secili shtet këtu në Ballkan është sovran dhe qeveritë e tyre e kanë përgjegjësinë që të nxjerrin pasaportat dhe çështjet tjera të kërkuara në këtë proces”, tha Solana.

Procesi, vijoi zyrtari i lartë i BE-së, nuk ka përfunduar dhe këtë vit problemin e vizave e kalojnë tri shtete, kurse vitet tjera shtetet në radhë që do t’i përmbushin standardet.

Solana tha po ashtu se është i vetëdijshëm që ka shumë njerëz të mirë nga ky rajon që nuk mund të lëvizin lirshëm dhe shumë njerëz të këqij që u lejohet lëvizja në të gjitha vendet e BE-së, por, siç tha ai, “gjendja është kjo që është”.

Ndërkohë, ai ka lavdëruar shumë të arritura në Kosovë, përderisa i ka rikujtuar liderët kosovarë se Kosova megjithatë ende nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së.

Por, liderët kosovarë thanë se janë shumë të sigurt që perspektiva e Kosovës është evropiane dhe se Kosova nuk do të mbetet jashtë proceseve.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova, në planin e brendshëm, u kushton rëndësi të madhe komuniteteve pakicë, kurse në politikën e jashtme ka raporte të mira me rajonin dhe BE-në.

“Ne do të vazhdojmë me këtë kujdes që kemi, në veçanti ndaj komuniteteve pakicë. Por, në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë në një qasje të mirë të marrjes së rolit të rëndësishëm të partneritetit, në bashkëpunim edhe me vendet fqinje, por edhe me vendet tjera, për të mbërritur një ditë, që ne e duam që të jetë jo e largët dhe e shpejtë, me kualitetet, që të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi, tha se të arriturat e Kosovës janë të mëdha dhe, sipas tij, edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën po e mbështesin fuqishëm atë.

“E ardhmja e Kosovës është e ardhme e sigurt, si pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Të arriturat e Kosovës në periudhën njëvjeçare të pavarësisë janë spektakulare, në këtë kuadër edhe të ndërtimit të institucioneve demokratike, efektive e efikase, të sundimit të ligjit, të luftës së pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, me perspektivë të sigurt dhe të ardhme shumë të afërt edhe për liberalizimin e vizave”, deklaroi Thaçi.

I shoqëruar edhe nga Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Piter Feith, dhe shefi i misionit të BE-së për sundim të ligjit, Iv de Kermabo, Solana ka vizituar edhe misionin e EULEX-it.

Stafit të këtij misioni, ai i ka thënë se EULEX-i do të mbetet i rëndësishëm për të gjitha proceset në Kosovë. Para Prishtinës, Solana ka vizituar edhe Beogradin, Shkupin dhe pritet që të vazhdojë tutje me Podgoricën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG