Ndërlidhjet

“Kosova në listën negative të Shengenit”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Kosova është duke hyrë në një proces kyç për ndërtimin apo shtet-ndërtimin, i cili ka të bëjë me zbatimin e thelbit të Planit të Ahtisarit - ky është krijimi i komunave të reja. Ky proces duhet të përfundojë me zgjedhjet komunale të 15 nëntorit; gjithashtu ky proces duhet t’i ketë dy çështje kyçe për stabilitet në Kosovë: stabilizimi i komunitetit serb poshtë lumit Ibër dhe thyerja e status-kosë në pjesën veriore të Kosovës. Kështu u tha të martën, në konferencën e organizuar nga KIPRED-i, me temën: “Kosova në udhëkryq: Decentralizimi dhe krijimi i komunave të reja”. Me këtë rast, përfaqësuesi i KIPRED-it, Ilir Deda, tha se që nga shpallja e pavarësisë, kemi pasur një relaksim të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe nuk ka pasur incidente të mëdha përveç në pjesën veriore të Mitrovicës...

EPOKA E RE
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, është befasuar me progresit e arritura në Kosovë për rreth një vit e gjysmë nga dita kur është shpallur pavarësia. Solana, pas një takimi të përbashkët me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i ICO-së, Pieter Feith, dhe ai i EULEX-it, Iv de Kermabon, ka thënë se po e ndien veten të lumtur që edhe një herë është kthyer në Prishtinë. Ai ka dhënë fjalë të forta për popullin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Njëherësh ua ka dhënë edhe një mesazh krerëve të institucioneve të Kosovës që pas sukseseve të arritura, mos të flenë, por t’i vazhdojnë angazhimet e tyre në krye të institucioneve për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit...

LAJM
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi me gazetarë, të martën, ka folur për aktivitetet e tij lobuese dhe turnetë e ardhshme nëpër botë, me qëllim sigurimin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, për aktivitetet e fundit të partisë që ai drejton, prurjet e reja dhe organizimin me sukses të Kuvendit të Tretë Zgjedhor. Pacolli ka paralajmëruar edhe njohje të re, ndërsa turneu i ardhshëm lotues është Afrika Perëndimore, rajon ky të cilin Pacolli do ta vizitojë javën e fundit të muajit korrik. “Sot nuk do t’ju gëzoj me një njohje, por kjo do të ndodhë shumë shpejt nga një vend, por jo nga El Salvadori. Presidenti i këtij shteti tashmë e ka nënshkruar dekretin për njohjen e Kosovës dhe do ta bëjë publik gjatë kësaj jave, mirëpo vendimi duhet të kalojë edhe nëpër disa momente”...

KOHA DITORE
Në Bosnjë do ta quanin disi si “fat në fatkeqësi” lajmin që Komisioni Evropian të mërkurën pritet të propozojë në Bruksel, që Kosova të vihet në “listën negative” të Shengenit, që ndryshe quhet edhe si “lista e zezë”. “Në listën pozitive”, apo siç quhet në mënyrë të thjeshtëzuar “listën e bardhë”, janë vendet – qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë të kenë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat janë në zonën e lëvizjes së lirë – atë të Shengenit. Lajm më pak i keq për Kosovën, qytetarët e së cilës do të vazhdojnë të mbesin më të izoluarit në Ballkan për nga mundësitë e udhëtimit në vendet e Evropës Perëndimore, është se futja në listën negative shënon herën e parë që Kosova të përmendet në ndonjë listë...

INFOPRESS
Fletarrestimet e Serbisë janë arma e fundit që ky shtet e përdor ndaj ish-luftëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto akuza dhe fabrikime janë të dështuara dhe të zhurmshme, ka thënë të martën kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se qeveria, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, do të bëjë gjithçka që është e mundur që t’i heqë nga Interpoli të gjitha fletarrestimet e fabrikuara, që Serbia e kohës së Millosheviqit i ka lëshuar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Reagimi i Qeverisë vjen pas arrestimit të fundit të Muharrem Gashit nga organet italiane të sigurimit. Muharrem Gashi, ish-luftëtar i UÇK-së, është akuzuar nga Serbia se ka bërë krime lufte ndaj serbëve në rajonin e Klinës, gjatë luftës...

KOSOVA SOT
Marrëveshja e CEFTA-s prej dhjetorit vazhdon të shkelet nga Serbia dhe Bosnja në raport me Kosovën. Zgjidhja nuk është arritur as në takimin e fundit në Podgoricë. Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, kryesues i komitetit të CEFTA-s do të jetë Serbia dhe kjo nënkupton që edhe viti i ardhshëm do të jetë i vështirë për plasimin e prodhimeve kosovare qoftë edhe në mënyrë transite nëpër Serbi. Bizneset tona edhe më tutje po shfrytëzojnë vendet e treta për t’u bërë pjesë e integruar e tregut rajonal. Bazuar në rezultatet e deritanishme, duket sikur Qeveria ka lënë në heshtje diskriminimin që po i bëhet Kosovës nga vendet anëtare të CEFTA-s, konkretisht nga Serbia dhe Bosnja. Por, këshilltari i ministrit të MTI-së, njëherësh i deleguar i ministrit të MTI-së për CEFTA-n, Fatos Sahiti, thotë se Qeveria nuk e ka neglizhuar aspak marrëveshjen, në veçanti diskriminimin që po i bëhet nga dy vendet anëtare...

EXPRESS
Pas katër vjet procedurash, qeveria merr një vendim për Kosovën e Re. Saktësisht, sot, në një mbledhje të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, do të vendoset që termocentrali aktual Kosova B të shitet vitin tjetër dhe të caktohet viti 2015 për shuarjen e termocentralit Kosova A. Express, përmes burimeve të veta brenda qeverisë, ka mësuar se Kosova e Re fillimisht do të ndërtohet me kapacitete prodhuese prej 1000 megavatesh, ndërkaq kapaciteti prodhues do të rritet edhe me 1000 megavate tjera me fillimin e prodhimit në këtë termocentral. Kostoja e këtij projekti, sipas llogaritjeve të ekspertëve ndërkombëtarë, do të jetë 3.5 miliardë euro. Vendimi për termocentralin Kosova e Re, sipas këtyre burimeve, do të përfshijë edhe dhënien me koncesion të minierës së Sibovcit për 40 vjet kompanisë që do ta fitojë tenderin për ndërtim të termocentralit të ri...

ZËRI
Marrëveshja midis PDK-së së kryeministrit Hashim Thaçi dhe LDK-së së kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, për krijimin e Qeverisë së koalicionit, më 7 janar 2008, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, ka përcaktuar qartë jo vetëm rregullat për funksionimin e koalicionit, por, për më shumë, ka synuar që të përcaktojë edhe rrjedhat politike në vend, nga PDK dhe LDK, për periudhën disavjeçare. Ta zëmë leximi i tanishëm i Pikës 1.1. të kësaj marrëveshjeje tregon qartë synimin e këtyre dy partive më të mëdha, të cilat së bashku kanë 62 deputetë në Kuvendin e Kosovës, që të mos i mbajnë zgjedhjet parlamentare sipas Propozimit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari (më së voni, nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të Pakos së Emisarit Special për statusin e Kosovës të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së)...
XS
SM
MD
LG