Ndërlidhjet

Nis Kosova e Re


Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Kryeministri Thaçi prezantoi një strategji me pesë pika veprimi, ku secila fazë do të shkojë paralelisht me tjetrën, për të zgjidhur, siç është thënë, problemin kronik të energjisë në Kosovë.


Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Ky parashihet të jetë projekti më i madh që ka nisur të realizojë deri tash Kosova me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Kostoja e këtij projekti, sipas llogaritjeve të tanishme, parashihet të jetë deri në 3.5 miliardë euro.

Kryeministri Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, FMN-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komisionit Evropian dhe ICO-së, janë paraqitur para medieve, duke konfirmuar dakordimin për zbatimin e këtij projekti.

Thaçi tha se ky është projekti më i madh që ka nisur ndonjëherë Kosova me mbështetjen ndërkombëtare, nga i cili, sipas tij, Kosova do të përfitojë shumë në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.

“Është një konkludim i përbashkët i të gjithëve se është një ditë shumë e mirë për Kosovën, është një vendim për projekt historik, më i madhi që ka ndodhur në Kosovë, një projekt, i cili do të bëjë kthesën më të rëndësishme edhe për perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe modernizimin e Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërkohë, mbështetje këtij projekti i kanë dhënë secili nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin, Gjejn Arnitejgj, tha se e konfirmonte publikisht përkrahjen, duke inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë tutje me realizimin e fazave tjera të projektit.

“Grupi i Bankës Botërore do të vazhdojë t’i japë mbështetje të plotë Kosovës në zbatimin e strategjisë energjetike dhe ne urojmë kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës për vendimin që kanë marrë sot”, tha përfaqësuesja e Bankës Botërore.

Në emër të Qeverisë amerikane, zëvendësshefi i misionit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Tomas Jazdgerdi, tha se vendimi për ndërtimin e termocentralit të ri paraqet një përpjekje serioze, që do të gëzojë mbështetjen amerikane.

“Jam i lumtur të jem këtu sot dhe të demonstroj mbështetjen e Qeverisë amerikane për këtë nismë”, tha përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane.

Ai tha po ashtu se pas tre vjetësh, sa ka qëndruar deri më tani në Kosovë, më në fund po sheh një perspektivë të qartë se Kosova do ta tejkalojë krizën e vazhdueshme energjetike.

Sektori energjetik është mbështetur në vazhdimësi nga Komisioni Evropian. Kjartan Bjornson, nga Komisioni Evropian, tha se ndihej shumë i inkurajuar me nismën për këtë projekt, marrë parasysh gjendjen aktuale në këtë fushë.

“Ne e kemi shikuar këtë fushë në dy perspektiva. Shqetësimi i parë ishte se sistemi aktual është i paqëndrueshëm, kurse shqetësimi tjetër është se vazhdimi me prodhimin e rrymës në Termocentralin ‘Kosova A’ paraqet kërcënim për shëndetin e njerëzve”, tha Bjornson, duke inkurajuar qeverinë që të shpejtojë me realizimin e projektit për termocentralin e ri.

Mbështetjen e tyre para kryeministrit dhe qeverisë e kanë rikonfirmuar edhe FMN-ja dhe ICO-ja.

Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë dhe mbështetësve ndërkombëtarë, Termocentrali aktual “Kosova B” parashihet të privatizohet vitin tjetër, ndërkaq do të bëhen përpjekje që Termocentrali “Kosova A”, i cili është quajtur edhe ‘dinozauri i Kosovës’ dhe ndotësi më i madh i ambientit në këtë vend, të shuhet plotësisht deri në vitin 2015.

Ndërkohë, do të bëhen përpjekje që pas procedurave paraprake dhe fillimit të punës, termocentrali i ri, i quajtur “Kosova e Re”, të prodhojë fillimisht 1 mijë, e më pas deri në 2 mijë megavat.

Vendimi për Termocentralin "Kosova e Re" parashihet të përfshijë edhe dhënien me koncesion të minierës së Sibovcit për 40 vjet kompanisë që do ta fitojë tenderin për ndërtim të termocentralit të ri.

Edhe pse nevojat e Kosovës mendohet të jenë nga 700 deri në 800 megavat, Qeveria mendon ta eksportojë rrymën dhe në këtë plan thuhet se do të ndërtohet edhe Hidrocentrali i Zhurit, me kapacitet prej 300 megavatesh.

Me këto vendime, Kosova synon që nga importuesi të kthehet në eksportuesin më të madh të energjisë në rajon. Përfitimet nga eksporti besohet të jenë mundësi për kthimin e mjeteve që Kosova mendon t’i marrë nga mbështetësit ndërkombëtarë për fillimin e zbatimit të këtij projekti.
XS
SM
MD
LG