Ndërlidhjet

Opozita kritikon vendimin e qeverisë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Vendimi për nisjen e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” ka nxitur reagime në mesin e opozitës dhe ekspertëve. Disa kritikojnë qeverinë për shkelje të strategjisë së mëhershme, të tjerët e vlerësojnë të duhur vendimin e qeverisë.


Përfaqësues të opozitës dhe ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të kundërta rreth vendimit të qeverisë, për fillimin e realizimit të projektit më të madh kapital deri më tani në Kosovë - “Kosova e Re”.

Ethem Çeku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe ish-ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur është përgatitur projekti, thotë se qeveria ka shkelur Strategjinë e Zhvillimit Energjetik të Kosovës 2005-2015.

Në këtë strategji, sipas tij, ishte paraparë që termocentrali të ndërtohet me kapacitet instalues 2100 megavate. Ndërkaq, qeveria sot ka vendosur që “Kosova e Re” fillimisht të ndërtohet me kapacitet prodhues prej 1000 megavatesh, e më pas të rritet edhe për 1000 megavate tjera.

Për këtë arsye, Ethem Çeku, vendimin e qeverisë e quan politik.

“Asnjë institucion tjetër vendor dhe ndërkombëtar nuk mund të bëjë ndryshime në parlament. Projekti mund të pësojë ndryshime vetëm me votën e deputetëve të Parlamentit në Parlamentin e Kosovës, sepse strategjia e aprovuar 2005-2015, është aprovuar në këtë Parlament të Kosovës”.

“Dhe, ky parlament e ka fuqinë e plotë, është sovrani, për të ndryshuar në 1000 apo në çfarëdo kapaciteti, në bazë të analizave, të cilat i bëjnë ekspertë eminentë”,
thotë Çeku.

Edhe Besa Gaxherri, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, pohon se Qeveria e Kosovës ka zvarritur tej mase realizimin e këtij projekti.

“Janë gati dy vjet që këta kanë marrë mandatin dhe asnjë hap nuk ka lëvizur tutje. Përkundrazi, ky proces është degjeneruar, ka devijuar dhe situatën e kemi çfarë e kemi”, shprehet Gaxherri.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë, me gjithë zvarritjen e deritashme të projektit, vendimin e sotëm të qeverisë e vlerësojnë si të duhur.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se Oda edhe më herët ka kërkuar nga qeveria që të përshpejtohen procedurat për projektet kapitale.

“Një investim që është paralajmëruar për këtë projekt, rreth 3.5 miliardë euro, është një investim që Kosovës do t’i ndihmojë në të gjitha aspektet, qoftë në sjelljen e investimeve tjera përcjellëse, qoftë në rritjen e vendeve të reja të punës”, thotë Rukiqi.

Por, përfaqësues të opozitës thonë se papërgjegjësia dhe joserioziteti i qeverisë karshi Termocentralit “Kosova e Re” lidhet edhe me tërheqjen nga procesi tenderues i kompanisë energjetike gjermane, RVE AG.

Besa Gaxherri thotë se tërheqja e ofertës së kësaj kompanie është mjaft shqetësuese dhe, siç thotë ajo, paraqet sinjal alarmues për largimin e investitorëve potencialë.

“Vërtet kjo është zhgënjyese, është dëshpëruese, në kohën kur bota po kalon një krizë globale financiare”.

“Përkundër asaj që ne kemi pasur mundësi që t’i shfrytëzojmë momentet e tilla, çfarë i kemi pasur, kjo qeveri nuk është në gjendje që të jetë e përgatitur, të jetë korrekte, të jetë transparente dhe t’i joshë investitorët, por reagon apo vepron në të kundërtën”,
deklaron Gaxherri.

Ndryshe, në deklaratën e saj, kompania RVE AG thotë se është tërhequr nga projekti për shkak të “çështjeve të ndërlikueshmërisë dhe nivelit të projektit”.

Por, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, thotë se tërheqja e kësaj kompanie është mesazhi më i keq i mundshëm për zhvillimin ekonomik, për investimet e huaja dhe, siç u shpreh ai, për pasqyrën jo të mirë të klimës investive në Kosovë.

“Kemi një gjendje mjaft kaotike. Qeveria duhet të bëjë përpjekje maksimale që t’i mbajë në garë kompanitë”, thotë Çeku.

Edhe eksperti Rukiqi konsideron se tërheqja e kompanisë gjermane nuk është sinjal pozitiv për klimën investive në përgjithësi, por në projektin “Kosova e Re”, sipas tij, nuk do të ketë ndikim.

“Kjo nuk do të thotë që edhe ata tre, që janë si konkurrentë, do të tërhiqen dhe do t’i ndjekin hapat e njëjtë. Sigurisht, nuk është sinjal i mirë, nuk është sinjal pozitiv, por nuk besoj se do të dëmtojë konkurrencën për këtë projekt”, vlerëson Rukiqi.

Kostoja e projektit “Kosova e Re”, sipas llogaritjeve të ekspertëve ndërkombëtarë, do të jetë 3.5 miliardë euro.
XS
SM
MD
LG