Ndërlidhjet

logo-print

Kosova jashtë procesit të liberalizimit


Pasaporta e Republikës së Kosovës

Pasaporta e Republikës së Kosovës

Lënia anash e Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave kritikohet nga analistët, të cilët thonë se ky fakt do t’i getoizojë kosovarët. Reagimi vjen pas propozimit të Komisionit Evropian që t’ua heqë vizat Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi.


Komisioni Evropian propozoi sot heqjen e vizave për tri vendet fqinje të Kosovës. Nëse propozimi miratohet edhe nga organet vendimmarrëse të BE-së, qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian, nga janari i vitit 2010. Kosova është anashkaluar.

Analistët për çështje të integrimeve evropiane e shohin si të rrezikshëm këtë anashkalim.

“Është problematike që Kosova të lihet anash për dy arsye: e para – kjo nuk i ndihmon sigurisë së Evropës, sepse liberalizimi i vizave ka të bëjë me përmirësimin e sigurisë së Evropës dhe sundimin e ligjit në rajon”.

“E dyta është se çfarë sinjali po dërgohet pa i ofruar Kosovës madje as perspektivë evropiane se kur do ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Sinjali është refuzues”.

“Dhe, refuzimi mund të çojë në frustrim politik dhe t’i ulë synimet e qeverisë për të vazhduar me reformat në fushën e sundimit të ligjit”,
shprehet Verena Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

Në anën tjetër, Venera Hajrullahu, një analiste e integrimeve evropiane, mendon se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për kosovarët paraqet një ballafaqim me realitetin.

“Mendoj se na i hap sytë që të shohim realisht se ku gjendemi në këtë proces. Kjo na thërret që t’i intensifikojmë përpjekjet tona në pjesën, e cila është paraqitur si shkas i mospërfshirjes së Kosovës, që është arritja e kritereve teknike për procesin e liberalizimit të vizave”.

“Na alarmon për pocizionin politik që kemi në kuadër të këtij procesi dhe na bën të merremi me pengesat politike, pra atë të mosnjohjes nga 5 shtetet anëtare të BE-së, për ta avancuar procesin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën”,
konsideron Hajrullahu.

Zyrtarë të institucioneve nuk ndjehen të lënë anash. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, është optimist se Kosova shpejt do t’i përmbushë kriteret për liberalizim vizash.

“Ne jemi në drejtim të avancimit të sistemeve dhe të ngritjes së kapaciteteve. Shpresoj se për një kohë të shkurtër do të jemi në gjendje t’i arrijmë standardet dhe parametrat evropianë dhe ky do të jetë çelësi për të hyrë më drejtpërdrejt në proces të liberalizimit të vizave”, thotë Xhelili.

Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, u kërkoi, në Prishtinë, liderëve kosovarë që t’i përmbushin kriteret për liberalizim vizash. Ai e quajti procesin më shumë teknik, sesa politik.

Por, analistja Venera Hajrullahu mendon se në thelb, procesi është politik.

“Duhet të jemi realë dhe të themi se kriteret teknike nuk janë përmbushur dhe Kosova ka ende punë, që t’i arrijë kriteret që janë të njëjta për të gjitha vendet. Megjithatë, nuk është e drejtë të thuhet se çfarëdo procesi i Asociim Stabilizimit është vetëm teknik”.

“Kemi ndërlidhje të madhe të aspektit politik dhe teknik. Vija ndarëse është shumë e hollë dhe mendoj se kemi parë së voni politizim shumë të madh të këtij procesi”,
shprehet Hajrullahu.

Ndërkohë, zyrtarë të institucioneve mendojnë se procesi është më tepër teknik. Zëvendësministri Fatmir Xhelili nuk mendon se ndikimi i pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, është i madh.

“Besoj se është më shumë problem teknik, por natyrisht nuk është edhe pa ndikime politike”, vlerëson Xhelili.

Verena Knaus thotë se me gjithë rëndësinë e kritereve teknike, politika thotë fjalën e saj edhe në këtë proces.

“Është teknik, se janë një sërë obligimesh që shtetet duhet t’i përmbushin. Por, po ashtu është politik, se në rastin e Kosovës, 5 shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo bën që Komisioni Evropian të mos mund ta fusë edhe zyrtarisht Kosovën në këtë proces”,
shpjegon Knaus.

Analistët kritikojnë Qeverinë e Kosovës se me lëshimin e pasaportave të reja, nuk kanë aplikuar menjëherë ato biometrike, të cilat përbëjnë një nga kushtet kryesore, që duhet përmbushur një vend, para se t’i mundësohet lëvizja e lirë në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, zyrtarë të qeverisë thonë se teknikisht nuk janë larg vendeve të rajonit, ndërsa tashmë kanë bërë të ditur se pasaportat biometrike do të lëshohen kah mesi i vitit të ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG