Ndërlidhjet

“Brukseli izolon shqiptarët dhe boshnjakët”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë, të mërkurën, shpalli fillimin e projektit të “binjakëzimit” me vlerë prej 2.6 milionë eurosh për forcimin e sundimit të ligjit, ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe në veçanti të asaj kufitare, me qëllim që vendi t’i përmirësojë mundësitë për ta zënë dhe ndërprerë kontrabandën në kufij. Në lansimin e projektit të ri të binjakëzimit për policinë e vijave kufitare dhe administrative u theksua se projekti është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së, që synon t’i trajtojë sfidat e sigurimit të kufijve dhe vijave administrative të Kosovës, përmirësimin e infrastrukturës, teknologjisë informative dhe pajisjeve të Policisë së Kosovës...

LAJM
Të premten, kur edhe skadon afati, Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës do ta deponojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe deklaratën e dytë me kundërargumente ndaj argumenteve të shteteve, të cilat janë deklaruar kundër ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Deklarata e dytë përmban rreth 150 faqe dëshmi dhe komente, të cilat i hedhin poshtë deklaratat e Serbisë dhe të disa shteteve tjera, të cilat më 17 prill ishin deklaruar kundër legalitetit të pavarësisë në GJND. “Faza e dytë e deponimeve ka të bëjë me reagimet ndaj deponimeve tjera që janë bërë në gjykatë. Në afatin e paraparë, ne do ta dorëzojmë materialin e përgatitur, por nuk mund të flasim për detajet e deklaratës, as për nga sasia, as për nga përmbajtja deri në momentin kur të bëhet deponimi pranë noterit të GJND-së”, tha për “Lajm” zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku...

KOHA DITORE
Qeveria e Kosovës ka aprovuar të mërkurën strategjinë vepruese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me kapacitet prodhues deri në 2,000 megavat-orë energji elektrike, duke e cilësuar këtë si “vendimin më të madh shtetëror që nga shpallja e pavarësisë”. Krejt çka ka bërë të ditur Qeveria është se projekti do të realizohet në pesë faza, por nuk është folur për koston e projektit, për kohën se kur do të shpallet tenderi për kompaninë që ta marrë përsipër projektin dhe as kur do të jetë afati optimal i fillimit të ndërtimeve. Është konfirmuar se në fazën e parë të ndërtimit të termocentralit do të jetë 1,000 megavat për fillim, ndërsa për 1,000 të tjerë do të vendoset më vonë. Të gjitha çështjet, përveç çështjes kohore, janë të specifikuara...”

INFOPRESS
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Berim Ramosaj, nuk e kishte zgjedhur strategjinë e duhur për të prezantuar nj ide të tij për kthim “komplet” në shtëpinë e vjetër. Ai as s’e kishte pyetur partinë e madje as prezantuar idenë e tij në strukturat partiake. Kryetari i LDD-së thotë se Ramosaj ishte një lazdran, që kishte ardhur në një mjedis shumë serioz. Për më tepër, profesioni i tij prej ekonomisti nuk korrespondon me rolin opozitar. Ndryshe, tash për tash duket se bashkimi klasik mes LDK-së dhe LDD-së nuk shkon më larg se Berim Ramosaj. Pikërisht për Ramosajn dhe idenë e tij, për bashkimin e pamundshëm me LDK-në, për Mendim Rugovën dhe afrinë e tij me kreun aktual të LDK-së, për zgjedhjet lokale dhe koalicionet e mundshme e të tjera, për “Infopress” flet kreu i LDD-së, Nexhat Daci...

KOSOVA SOT
Deri në përfundimin e procesit të privatizimit kanë mbetur më pak se 200 ndërmarrje shoqërore. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve janë toka bujqësore. Përkundër kërkesës së BSPK-së që të ketë më shumë privatizime me spinof special, ndërmarrje të tilla nuk do të ketë aq shumë. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka deklaruar se privatizimi duhet të shtrihet në çdo skaj të vendit, përfshirë këtu edhe kompleksin turistik malor të Bjeshkëve të Sharrit, Brezovicën, “por ajo që ne duam dhe insistojmë si BSPK, që në NSH që janë në procesin e privatizimit të ketë më shumë spinofe speciale, për të zbutur sadopak papunësinë e madhe që ka kapluar vendin”, tha ai. Kryetari i Bordit të drejtorëve të AKP-së është shprehur se procesi i privatizimit do të vazhdojë në çdo cep të Kosovës, aty ku ka mbetur nga ish-AKM-ja...

EXPRESS
Shtetasit e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ka thënë të mërkurën Komisioni Evropian. Propozimi për heqjen e regjimit të vizave për këto tri shtete nevojitet që të mbështetet nga ministrat e jashtëm të 27 shteteve anëtare të bllokut, votim i cili me gjasë do të bëhet gjatë tetorit. “Ky është një hap historik në marrëdhëniet tona me shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë të mërkurën në Bruksel, Komisionari për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Zhak Barro. “Kjo do të mundësojë lidhje më të afërta ndërmjet qytetarëve të këtyre tri shteteve”, ka shtuar ai. Barrot është shprehur se përderisa Maqedonia ka përmbushur të gjitha kushtet e BE-së, Serbia dhe Mali i Zi duhet të ndërmarrin masa për të rritur menaxhimin e kufijve, politikën e migrimit dhe luftën kundër krimit të organizuar...

ZËRI
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Havier Solana, ua ka bërë shumë të qartë krerëve të institucioneve të Kosovës se pa përmbushjen e detyrave të shtëpisë, nuk do të ketë përfshirje të Kosovës në liberalizimin e vizave... Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Ramë Buja, e ka vlerësuar pozitive vizitën e Solanës në Kosovë...”Mendoj që është një vizitë pozitive dhe e efektshme, jo vetëm për lidershipin udhëheqës, por edhe për qytetarët e Kosovës...”... Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se çdo vlerësim i faktorit ndërkombëtar këto po lexohet vetëm si një fjali e bukur, që mund ta thotë një ndërkombëtar, pa i pasqyruar vërejtjet që, në fakt, nuk janë të pakta. “Qeveria, vlerësimet e bashkësisë ndërkombëtare i lexon ashtu si ka dëshirë dhe jo ashtu siç shprehen institucionet apo personalitetet ndërkombëtare”...

BOTA SOT
Kosova nuk ka marrë pjesë në sukcesionin e pasurisë së ish-Jugosllavisë, në ndërkohë që të gjitha ish-republikat jugosllave e kanë ndarë pasurinë dhe borxhin e të ashtuquajturës “Jugosllavi”. Sipas këtij parimi, edhe pasuria e Kosovës është vlerësuar dhe është ndarë nga ish-republikat jugosllave. Në fakt, pasurinë e Kosovës e ka përvetësuar Serbia. Ndërkaq, me pranimin e Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore, zyrtarët e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare përmendën edhe shifrën prej 381 milionë dollarësh si borxh që Kosova ka ndaj këtyre dy institucioneve ndërkombëtare. Çështja e ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë dhe po ashtu e ndarjes së borxheve që ajo krijesë ka pasur ndaj institucioneve ndërkombëtare, ka qenë temë e shumë debateve jo vetëm në Kosovë...
XS
SM
MD
LG