Ndërlidhjet

Universiteti Veror heq paragjykimet për Kosovën


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës tash nëntë vjet shërben për studime shtesë dhe të favorshme për studentë nga mbarë bota, por edhe si rast që të hiqen paragjykimet negative për Kosovën dhe jetën në këtë vend. Kështu thonë disa studentë të vendeve të ndryshme të botës, të cilët janë duke vijuar kurset në edicionin e sivjetmë të Universitetit Veror të Prishtinës.


Matfila Manovsta, student nga Rusia, është duke vijuar kurset në Universitetin Veror Ndërkombëtar në Prishtinë. Ai thotë se është tejet i kënaqur me organizmin dhe programet arsimore, të cilat po ndiqen në këtë universitet.

Sa i përket ligjërimit të profesorëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë, ai thotë:

“Ligjërimi është në nivel shumë të lartë. Në universitetin tim në Rusi nuk ka kurs të arkeologjisë, derisa këtu në Kosovë kam mundësi të studioj dhe të mësoj në këtë fushë. Do të bëjmë një praktikë në qytetin antik ‘Ulpiana’, ku do të kemi mundësi të gërmojmë. Do të jetë një përvojë e mirë për mua”, shprehet Manovsta.

Raportet me studentët nga Kosova, Manovsta thotë se janë mjaft të mira. Ai pohon të ndjehet i sigurt, sikur në vendin e tij.

“Këtu është shumë bukur. Unë kam qenë në Prishtinë edhe dy herë të tjera. Kam marrë pjesë në seminarin e Prishtinës. Kosovarët janë shumë mirëpritës. Gjithashtu, unë mendoj që niveli i studimeve në Kosovë është mjaft i lartë”, thotë ai.

Fatbardhe Qedipia është studente nga Shqipëria. Ajo vlerëson lart nivelin e kurseve, të cilat po mbahen në Universitetin Veror.

Gjithashtu, Fatbardha shpreh bindjen se për tri javë rresht studentëve do t’u mundësohet shkëmbimi i dijes, zgjerimi i njohurive dhe aftësive në fusha të ndryshme.

“Duke pasur parasysh që këtu po marrim njohuri shtesë, pasi që unë e kam kryer një universitet, është një projekt mjaft i pëlqyer nga ne. Po ashtu, ne kemi mundësinë që të takojmë studentë, të cilët vijnë nga mbarë bota dhe të shkëmbejmë përvojat tona”, thotë Fatbardha.

Në programin e sivjetmë do të organizohen gjashtëmbëdhjetë kurse nga fusha e shkencave sociale, juridike, ekonomike, teknike, e inxhinierisë, e bujqësisë etj. Secili kurs do të bashkëligjërohet me nga një profesor ndërkombëtar vizitor dhe një profesor vendës.

Krsitin Koland është ligjëruese në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ajo shpreh opinionin e saj për studentët kosovarë:

“Unë mendoj sa ata janë shumë të interesuar, madje edhe më kanë befasuar. Ata futen në diskutime dhe janë shumë të dhënë pas mësimit. Gjithashtu, ata kanë participuar shumë gjatë ligjëratave të mia. Më kanë befasuar shumë”, shprehet Koland.

Ndërkaq, studentët e këtij universiteti thonë se ky projekt ofron mundësi unike për zgjerimin e njohurive dhe aftësive në fusha të ndryshme të studimit, duke përfituar nga metodologjitë më të reja të ligjërimit, si dhe, siç thonë ata, duke u kënaqur me një atmosferë ndërkombëtare.

Louismongkol Sapkul, student nga Tajlanda, i cili në Kosovë është për herë të parë, shpreh opinionin e tij:

“Kosovën është shumë e vështirë për ta imagjinuar, sepse unë të vetmen gjë që e kam lexuar apo dëgjuar për Kosovën, është lufta, konflikti me Serbinë. Por, tani që jam këtu, po i shoh gjërat ndryshe. Kosova është në rrugë të mirë drejt Bashkimit Evropian”, thotë ky student.

Edhe Fitim Zejnullahu, student nga Kosova, shprehet mjaft i kënaqur që është pjesë e këtij projekti të rëndësishëm, ku, siç thotë ai, ekziston mundësia e shkëmbimit të përvojave me studentë të shteteve të ndryshme.

“Një eksperiencë krejt ndryshe nga ajo që kemi në fakultet. Kam zgjedhur kursin e ekologjisë për të mësuar më shumë rreth kësaj fushe. Është një përvojë e mirë për të gjithë ne studentët”, vlerëson ai.

Ndryshe, Universiteti Veror është projekti më i madh ndërkombëtar që synon të ngrejë nivelin e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës dhe të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë të arsimit në Kosovë dhe në rajon.

Në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës marrin pjesë 400 studentë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG