Ndërlidhjet

logo-print

FT: “Nxitje me viza për Ballkanin”


"Financial Times"


Qytetarët e Serbisë, Maqedonisë, dhe Mali të Zi, në bazë të rekomandimeve të miratuara nga Komisioni Evropian, do të udhëtojnë në shumicën e vendeve të Evropës që nga fillimi i vitit të ardhshëm, pa pasur nevojë për viza.

Këtë masë, Komisioni e mori si një nxitje për rajonin juglindor, që është i ndjeshëm etnikisht, të cilit blloku 27- shtetesh i ka premtuar anëtarësim eventual në Bashkimin Evropian.

Zhak Baro, Komisionari për Dejtësi dhe Punë të Brendshme në BE, ka thënë se “ky është moment historik në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Vendimi pritet të aprovohet nga vendet anëtare të BE-së, si dhe nga Parlamenti Evropian deri në fund të vitit, në mënyrë qe t’u jepet fund pritjeve të gjata në radhë për të marrë viza në ambasadat perëndimore në Beograd, Shkup dhe Podgoricë.

"Heqja e vizave ishte pritur me shpresa të mëdha në Ballkanin Perëndimor”, thotë mes tjerash zoti Baro.

Por, ky lajm i mirë për tri ish-republikat jugosllave, me rreth 10 milionë banorë, mund t’i rrisë pabarazitë rajonale.

Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova, tash për tash janë lënë prapa.

“Kosova nuk i plotëson kushtet për shkak të shqetësimeve të sigurisë " ka thënë Oli Ren, Komisionari për Zgjerim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij Kosova nën rezolutën 1244, nuk është pjesë e dialogut aktual për liberalizimin e vizave.

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina thjesht dështuan të lëvizin shpejtë në dhënien e pasaportave biometrike, në mënyrë që edhe këto vende t’i bashkohen “listës së bardhë Shengen”, nga 1 Janari i vitit të ardhshëm.


"Në qoftë se plotësohen të gjitha kushtet, Komisioni mund të bëjë një propozim të ri, i cili do të përfshijë ato vende nga mesi i vitit 2010," tha Oli Ren.

Megjithatë, të gjelbrit në Parlamentin Evropian mund t’i shtrojnë vërejtjet për penalizimin e boshnjakëve, grup ky që më së shumti vuajti në shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë në vitet e 90-ta.

Boshnjakët myslimanë në masë të madhe i fajësojnë serbët për ngadalësimin e reformave.
Kryeministri i Bosnjës, Nikola Spiriq, i cili i takon komunitet serb, ka bërë të ditur se pasaportat e reja biometrike do të fillojnë të lëshohen nga 1 Janari i vitit të ardhshëm.

Së bashku me pasaportat biometrike dhe menaxhimin e kufijve, negociatat për liberalizimin e vizave u përqendruan edhe në respektimin për të drejtat themelore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Serbia dhe Mali i Zi ende do duhet t’i plotësojnë kushtet e mëtejshme në muajt e ardhshëm.

Zona Shengen përfshin 22 vende të BE-së së bashku me Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën. Pesë anëtarët e BE-së, Britania, Irlanda, Rumania, Bullgaria dhe Qipro nuk janë të përfshira.

Diplomatët thonë se skema për liberalizim ka mbështetje të gjerë në mesin e 27 anëtareve të BE-së, të cilat formalisht do ta miratojnë marrëveshjen në muajin tetor, megjithë rezervat fillestare të Holandës për Serbinë dhe të Greqisë në lidhje me mospajtimin për emër me Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG