Ndërlidhjet

logo-print

Evropa Lindore: Letër për presidentin Obama


Një grup i ish liderëve të Evropës Qendrore dhe Lindore i ka dërguar presidentit amerikan, Barak Obama, një letër publike në të cilën kanë shprehur shqetësimet për politikën e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Në letër, ndër të tjera, thuhet se NATO-ja është bërë e parëndësishme në nevojat e tyre strategjike dhe nga administrata e presidentit Obama kërkohet të marrë një qëndrim të vendosur karshi Rusisë “revizioniste”.

Letra gjithashtu vë në pah rëndësinë e ndërtimit të mburojës raketore në Poloni dhe Çeki nga ana e SHBA-ve duke thënë se “braktisja e programit ose përfshirja e Rusisë tepër thellë në të, mund të dëmtojë besueshmërinë në Shtetet e Bashkuara në gjithë rajonin."

Në mesin e autorëve të letrës janë ish lideri i Polonisë, Leh Valensa, ai i Çekisë, Vacllav Havell, i Lituanisë, Valdas Adamkus, ish presidenti i Letonisë, Vaira Vike-Frajberga dhe ai i Rumanisë, Emil Konstantinesku, pastaj ish kryeministri i Estonisë, Mart Lar dhe disa ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes së vendeve të rajonit.
XS
SM
MD
LG