Ndërlidhjet

"Veteranët në 'luftë' - Qeveria do t'i ndëshkojë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
I gjithë personeli i ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës është evakuuar të enjten pasdite nga vendet e tyre të punës. Kjo për shkak se në oborrin e Qeverisë janë hedhur dy mjete shpërthyese, të cilat besohet së i kanë hedhur protestuesit, disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët, në shenjë pakënaqësie për mostrajtimin e tyre nga institucionet e Kosovës, kanë protestuar që nga e mërkura. Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se policia dhe KFOR-i e kanë bllokuar ndërtesën e Qeverisë dhe atë të Kuvendit për shkak se në oborrin e të parës janë hedhur mjete shpërthyese...

KOHA DITORE

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të dhënë në koncesion për 40 vite minierën e Sibovcit është cilësuar si vendim i dëmshëm për ekonominë e Kosovës, i cili e kufizon edhe sovranitetin e saj, nga shoqëria civile dhe opozita. Ky vendim, i cili njëherësh ka qenë pika kryesore kontestuese në projektin për termocentralin e ri dhe që është mbajtur gjatë jashtë agjendës së diskutimit të Komitetit Drejtues për “Kosovën e Re”, ka nxitur reagime të ashpra një ditë pas kumtimit të tij nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë, shoqëria civile në Kosovë, të mërkurën, nuk ka protestuar ndaj këtij vendimi në kohën e marrjes së tij, të enjten përfaqësues të saj kanë paralajmëruar se nëse nuk dëgjohet zëri i tyre, ata janë të gatshëm të dalin në rrugë për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës...

INFOPRESS
Punimet në realizimin e projektit nacional Vërmicë-Merdare pritet të fillojnë gjatë muajit nëntor të këtij viti... Adem Grabovci, zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, për “Infopress”, të enjten, ka njoftuar se qeveria ka ndarë 55 milionë euro për fillimin e pjesës së parë të punimeve të autostradë Vërmicë-Merdare, kurse për pjesën tjetër të autostradës ai ka pohuar se janë duke bërë përpjekje që te gjejnë forma të tjera të financimit, në mënyrë që mos të ngarkohet buxheti i Kosovës me këtë autostradë. Ndërkaq, kostoja për përfundimin e të gjithë projektit ende nuk dihet, edhe pse shifrat e para për koston e projektit shkojnë rreth 700 milionë euro...

KOSOVA SOT
Nuk ka asgjë që mund ta justifikojë dhunën, pas një proteste të ligjshme, paqësore. Në një vend demokratik, “kallja e kerreve të Kryeministrisë”, hedhja e shisheve me benzinë në oborrin e Qeverisë, nuk mund të jetë kurrsesi një lajm i mirë. Flakët në dyert e ekzekutivit janë të turpshme për ata që i ndezin, janë të tilla për Kosovën, sigurisht, ky s’është mesazhi që na duhet. Reagimi kryeministror, si të gjitha reagimet kohët e fundit, nuk i shpirton konotacionit politik. “Pushteti nuk fitohet me dhunë”. Ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk po kërkojnë të kandidohen për Parlament, as për kryetarë komunash. Thjesht, si gati gjysma e popullatës së këtij vendi që jeton në varfëri, edhe ata duan kushte më të mira materiale... Këtë javë, Qeveria e drejtuar nga ish-drejtuesi politik i UÇK-së, miratoi vendimin për lirimin nga dogana për të gjithë veteranët...

EXPRESS
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka hyrë një mënyre të re, në përpjekje për të mos e lënë mandatin aktual të institucioneve qendrore të Kosovës të zgjasë deri në vitin 2011. Duke parë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka shans që ta trajtojë lëndën ndaj presidentit Sejdiu brenda parashikimeve kohore të partisë, AAK është orientuar për ta vënë në zbatim Planin B - krijimin e një situate, në të cilën kreu i shtetit do ta ndiente “për obligim” t’i thërrasë zgjedhjet për pranverën e vitit 2010. AAK ka paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ndaj presidentit Fatmir Sejdiu, duke pretenduar se ai në janar të këtij viti “ka shtyrë zgjedhjet parlamentare” për dy vite. Gjykata tashmë është kompletuar në përbërjen e vet, por shqyrtimi i lëndëve nuk pritet të bëhet para muajit shtator...

ZËRI
Kosova rrezikon të mbetet vendi i fundit i rajonit i papërfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Ndërsa Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina të paktën presin që t’i përmbushin kriteret teknike gjatë vitit 2010, Kosova nuk e ka të qartë nëse problemet e saj janë vetëm teknike apo edhe politike, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të BE-së. Qeveria e Kosovës shpreson se ky proces do të sqarohet nga Komisioni Evropian gjatë vjeshtës së këtij viti. Ndërkaq, opozita dhe analistët thonë se vendimi i Brukselit vjen edhe si rezultat i performancës së dobët të Qeverisë në aspektin e sundimit të ligjit, menaxhimit të kufijve dhe vendimit për të mos lëshuar pasaportën biometrike...

BOTA SOT
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka kryer auditimin e pasqyrave financiare të Ministrisë për Ekonomi dhe Financa (MEF) për vitin 2008. Në raportin e ZAP-it thuhet se auditori ka shpalosur disa dobësi që kanë të bëjnë me ekzekutimin e buxhetit dhe sistemin e kontrollit të brendshëm. Pagesa e avansit për ndërtimin e objektit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në Prizren është bërë 30% e jo deri në 20%, siç lejohet me “Rregullat Financiare dhe Udhëzimet e Thesarit 02”. Gjithashtu kjo pagesë është bërë pa aprovimin e ministrit të Financave, pasi që është bërë pas datës se mbylljes së pagesave për atë vit. Zyra e Auditorit ka gjetur edhe raste të mosdeklarimit dhe mospagim të tatimit në të ardhura personale nga anëtarët e Bordit Kosovar mbi Standardet për Raportimin Financiar (BKSRF) dhe Bordi i Pavarur për Shqyrtim të Ankesave Tatimore...

EPOKA E RE
Institucionet Private të Arsimit të Lartë (IPAL) ende nuk e kanë shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin e ri akademik, pasi ende janë në pritje të vendimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për akreditim. Disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve të arsimit presin t’u lejohet pranimi i më shumë studentëve, e jo vetëm 500 sa ka rekomanduar Agjencia Kosovare për Akreditim. Ata janë shprehur se, pavarësisht numrit të studentëve që do të pranojnë, nuk do të ketë ngritje të çmimit të studimeve. Rrahman Paçarizi, nga Kolegji “AAB – Riinvest”, ka thënë se ky institucion ende nuk e ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj pasi janë në pritje të vendimit të MASHT-it...
XS
SM
MD
LG