Ndërlidhjet

Protesta e veteranëve dhe e invalidëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë që në seancën e sotme të Kuvendit të shkëmbehen akuza dhe kundërakuza mes deputetëve të PDK-së e atyre të AAK-së.


Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë polemizuar ashpër në Kuvend, pas akuzës së PDK-së, se AAK-ja qëndron pas protestës së dhunshme të veteranëve dhe invalidëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit hodhën dje kokteje molotovi dhe mjete shpërthyese në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Ka qenë deputeti i PDK-së, Gani Buçinca, ai i cili akuzoi AAK-në se qëndron prapa protestës.

Buçinca ka kërkuar nga deputetët që ta dënojnë protestën e djeshme, duke ftuar që këtë ta bëjnë edhe kolegët nga AAK-ja, megjithëse, siç ka thënë ai, kjo parti ka festuar sulmin ndaj qeverisë.

“Besoj që këtë akt vandal, ketë dhunë, politikë të re të dhunës, do ta dënojë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në vend që të shtrojë dolli dhe gosti për vandalistët, falangistët, të cilët dëshirojnë të dhunojnë institucionet dhe vullnetin e qytetarëve”,
deklaroi Buçinca.

I menjëhershëm ka qenë kundër-reagimi i AAK-së. Shefi i Grupit Parlamentar, Ardian Gjini, kërkoi nga PDK-ja dhe Kuvendi që të distancohen nga deklaratat e Buçincës, gjë që nuk ndodhi në seancë. Gjini ka akuzuar kryeministrin si nxitës të fjalorit të dhunës në Kosovë.

“Ne jemi indinjuar me fjalën e zotit Buçinca, por jemi indinjuar edhe me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk gjeti kurajë për t’u distancuar prej asaj fjale shumë irrituese, të padrejtë edhe të pandershme”, tha Gjini.

Ndërkohë, Lirim Haxholli, anëtar i Kryesisë së Këshillit Organizativ të Protestave, i tha Radios Evropa e Lirë se veprimet e djeshme nuk kanë qenë të nxitura nga asnjë grup interesi, apo subjekt politik.

Ai tha se protesta është bërë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj mospërkujdesjes së institucioneve të Kosovës për ish-luftëtarët e UÇK-së.
Ai ka pranuar se protestuesit kanë hedhur koktej molotovi në oborrin e qeverisë, por jo edhe granata dore.

“Sa i përket disa shantazheve se gjoja veteranët e luftës dje kanë hedhur granata dore, ato kanë qenë shantazhe, të cilat bëhen nga persona, që për momentin ne nuk i dimë. Ne kemi hedhur koktej molotovi në shenjë revolte dhe pakënaqësie që kemi pasur”, pohoi Haxholli.

Sidoqoftë, policia tashmë ka nisur hetimet. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, thotë se aktualisht po hetohet një grup më i gjerë, për të zbuluar se mbi kë bie përgjegjësia e sulmit ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës.

“Qysh dje, policia, e mbështetur edhe nga prokurori, ka iniciuar hetimin kriminal për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Tani për tani, janë duke u zhvilluar hetimet në një rreth më të gjerë, për të parë se mbi cilët persona mund të rëndojë përgjegjësia”, tha Borovci.

Ndërkohë, veteranët dhe invalidët e ish-UÇK-së kanë bërë të ditur se nuk do t’i ndërpresin tërësisht protestat, për të cilat kanë paralajmëruar se do të jenë më radikale.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG