Ndërlidhjet

Edhe liberalizimi i vizave përçan serbët


Serbët e Kosovës kanë mendime të ndara në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Ata, edhe pse mund të pajisen me pasaporta serbe, nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian. Disa nga politikanët e tyre e quajnë këtë përpjekje për spastrim etnik të serbëve nga Kosova. Të tjerët e përshëndesin.


Serbëve të Kosovës u është hequr e drejta e udhëtimit pa viza me pasaporta serbe, pavarësisht se me Kushtetutën e Kosovës ata gëzojnë të drejtën e dyshtetësisë.

Komisioni Evropian tashmë ka vendosur që qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, nuk mund të udhëtojnë pa viza sikur qytetarët e Serbisë, edhe pse mund të kenë të njëjtat pasaporta.

Ky fakt ka shkaktuar pakënaqësi te disa serbë të Kosovës, veçmas pas propozimit të Komisionit Evropian, që Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë t’u lejohet udhëtimi pa viza që nga janari i vitit të ardhshëm. Por, ka edhe të atillë që e mbështesin.

Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviq, ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian, duke theksuar se 130 mijë serbët e Kosovës nuk mund t’i mbajnë si peng serbët tjerë dhe Serbinë.

“Të jem e sinqertë, ky është një lajm i mirë për 6 milionë banorët tjerë të Serbisë dhe jam plotësisht e vetëdijshme me realitetin që është i vështirë për ne serbët, që nuk jemi përfshirë në këtë ofertë”.

“Unë e kuptoj se 130 mijë serbët e Kosovës nuk mund t’i mbajnë si peng serbët tjerë dhe Serbinë. Dhe, në këtë kuptim, unë mendoj se vendimi është vërtet i mirë”,
tha Trajkoviq.

Por, kështu nuk mendojnë serbët, që jetojnë në veri të lumit Ibër.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanioviq, tha se ky vendim është edhe një diskriminim tjetër për serbët që jetojnë në Kosovë, e që, sipas tij, mund të çojë në spastrim etnik të serbëve nga Kosova.

Ai ka thënë se ky vendim vetëm sa forcon pavarësinë e Kosovës, meqë serbët do të kërkojnë jetë më të mirë në Serbi, duke ndryshuar kështu gjendjen demografike në vend.

“Natyrisht që një pjesë e serbëve në Kosovë, veçanërisht të rinjtë, ekspertët, për shkak të udhëtimit të lirë dhe për t’ia lehtësuar vetes jetën, do të shkojnë për të jetuar në pjesët tjera të Serbisë”, tha Ivanoviq.

Komisioni Evropian ka saktësuar se me pasaportat e Serbisë mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari vetëm ata që adresën e përhershme e kanë në Serbi.

Serbët e veriut kanë deklaruar se nga ky vendim, Beogradi do të obligohet që të vendosë dogana në kufi me Kosovën dhe t’i respektojë ligjet e shtetit kosovar.

Vendimin e Komisionit Evropian, që qytetarët e Kosovës të mos mund të udhëtojnë lirshëm me pasaporta serbe, e kanë përshëndetur institucionet e Kosovës, duke e vlerësuar këtë si një hap për forcimin e shtetit.

Por, ndërkohë, lënia anash e Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave është kritikuar ashpër nga shoqëria civile në vend, e cila ka vlerësuar se Kosova po bëhet një geto e Evropës.
XS
SM
MD
LG