Ndërlidhjet

Mbi 50 milionë euro për politikat sociale


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Politikat sociale, të cilat pritet të trajtohen në projektin e quajtur ‘Letra e bardhë’, kryesisht do t’i përkrahin shtresat më të varfra dhe pensionistët, ndërkohë që implementimi i rekomandimeve kryesore të këtij projekti do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 50 milionë euro. Kështu thonë përpiluesit e këtij projekti. Por, ekspertët e ekonomisë janë skeptikë sa i përket zbatimit të tij.


Rritja e skemave pensionale dhe përfitimeve sociale, si dhe ndihma që do t’i jepet shëndetësisë kosovare për rimëkëmbjen e saj, janë përfitimet kryesore, të cilat do të mund t’i presin qytetarët e Kosovës nga realizimi i politikave sociale të qeverisë, të paraqitura në ‘Letrën e bardhë’.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh pjesëmarrës në hartimin e këtij projekti, thotë se me qëllim të adresimit të nevojave të shtresave sociale, në bashkëpunim me ministritë tjera, është marrë iniciativa për hartimin e ‘Letrës së bardhë’ mbi politikat sociale.

“Ky është një projekt madhor, ku janë të ngërthyera problemet sociale, që, në njëfarë forme, janë grumbulluar me vite. Në këtë dokument të quajtur ‘Letra e bardhë’, është trajtuar mënyra e zgjidhjes. Ky projekt ka një kosto të lartë financiare, pasi që në të pritet të trajtohen shumë probleme sociale, me të cilat ballafaqohen qytetarët”,
u shpreh zoti Gaxhiqi.

Përpiluesit e këtij dokumenti janë ithtarë të asaj që me këtë pako do të mund të zgjidhen problemet sociale të qytetarëve. Zoti Gaxhiqi bën të ditur se ky dokument i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për miratim.

“Zgjidhja e këtyre problemeve është paraparë konform asaj se cili do të jetë prioritet i parë dhe prioritet i dytë. Ne kemi disa ligje që do të kërkojnë modifikime, plotësime dhe ndryshim të kritereve, sidomos tek Ligji për skemat sociale dhe po ashtu edhe për pensione. Dhe, në këtë formë është paraparë zgjidhja e tyre”, tha zoti Gaxhiqi.

Megjithatë, sipas tij, implikimet buxhetore të të gjitha propozimeve për përkrahjen e shtresave sociale do të mund të dihen pas miratimit të këtij dokumenti nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Flamur Keqa, vlerëson lart hartimin e këtij dokumenti, por ai shprehet mjaft skeptik sa i përket zbatimit të tij.

“Unë kam frikë që, si zakonisht që ndodh në Kosovë, projektet e tilla mbesin vetëm në letër dhe ato nuk gjejnë zbatim për t’iu dalë në ndihmë kategorive të tilla. Arsyeja pse ndodhin këto, zakonisht është mungesa e mbështetjes financiare”, vlerësoi zoti Keqa.

Ai thotë se rruga më e mirë për të përkrahur këtë kategori të qytetarëve të Kosovës, është që të ndihmohet ekonomia kosovare dhe të lehtësohet puna e bizneseve.

Zoti Keqa pohon se përmes zhvillimit ekonomik do të mund të gjenerohen të hyra, të cilat do të futen në buxhetin e Kosovës dhe kjo, sipas tij, do të ndihmonte me shpërndarjen e këtyre të hyrave edhe për këto kategori.

“Theks i veçantë duhet t’i jepet stimulimit ekonomik të Kosovës, sepse nëse shikohet vetëm në drejtim të përkrahjes së shtresave sociale, pa e pasur një burim të mjeteve të caktuara, me të cilët ato do të përkraheshin, atëherë edhe kjo strategji do të ishte e kotë”, tha zoti Keqa.

Sipas raportit të fundit, të vitit 2007, të Bankës Botërore, vlerësohet se rreth 45 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri, prej tyre 15 për qind në varfëri të skajshme, ndërkohë që papunësia është e lartë dhe përfshin rreth 43 për qind të popullatës.

Mbrojtja sociale, programet e përfitimeve në Kosovë, si pensionet dhe ndihmat sociale, sipas të dhënave, mbulojnë rreth 325, 000 persona, apo rreth 15 për qind të popullsisë.
XS
SM
MD
LG