Ndërlidhjet

“Kosova synon hyrjen në OKB brenda pesë vjetësh”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Institucionet e Republikës së Kosovës synojnë që brenda një periudhe pesëvjeçare, Kosova të bëhet anëtari më i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Deklarimi zyrtar për periudhën e aderimit në grupin prej 192 shtetesh anëtare është bërë fillimisht nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ndërkohë ky mision është konfirmuar edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë së Kosovës. “Mbas pesë vjetësh, Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, jam i sigurt... Nuk do të thotë që shkon pesë vjet”, pati thënë ministri i Jashtëm, Hyseni, në një intervistë për “Kohën Ditore”, javën që shkoi. Ndonëse nuk ka dhënë afate kohore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se, me gjithë synimin për anëtarësim sa më shpejt që të jetë e mundur në këtë trupë, kjo nuk do të varet vetëm nga kosovarët, pro nga zhvillimet ndërkombëtare...

INFOPRESS
Ani pse përfaqëson një institucion ndërkombëtar neutral ndaj statusit të Kosovës, disa herë e ka përmendur Kushtetutën e Kosovës dhe zbatimin që i duhet bërë asaj. Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Uerner Almhofer, në një intervistë për “Infopress”, ka thënë, ndër të tjera, se beson se institucionet vendore përgjithësisht janë gati të organizojnë zgjedhjet. Data e caktuar për zgjedhje në vjeshtën e dytë, sipas tij, nuk mund të ndikojë në pjesëmarrjen të madhe apo të vogël të votuesve. Thotë se votimi është individual dhe se në pjesëmarrje të kënaqshme do të ndikojnë ofertat e partive. Është skeptik nëse duhet që të vendosen çdo kund kamera...

KOSOVA SOT
Projekt-strategjia e Qeverisë së Kosovës kundër korrupsionit, e cila ishte kthyer mbrapsht nga ligjvënësit kosovarë në një nga seancat e rregullta në mesin e sesionit pranveror, është rikthyer në Kuvend për rishqyrtim para leximit të parë dhe vlerësimit preliminar në komisionet parlamentare, kjo projekt-strategji e ka të bashkëngjitur si aneks edhe shtojcën si projektplan i veprimit kundër korrupsionit dhe matricën, por që në fakt nuk ndryshon fare nga versioni i parë, i cili ishte rikthyer për rishikim në Qeverinë e Kosovës nga ligjvënësit kosovarë. Përfaqësuesit e pozitës vlerësojnë se dokumenti nuk është dashur fare të refuzohet që në prezantimin e parë, derisa opozita thekson se as në versionin ep arë dhe as në të dytin kjo strategji dhe vetë i ashtuquajturi projektplan me matricën përcjellëse nuk sjell elemente bindëse se Qeveria e vendit ka krijuar plan konkret për eliminimin e korrupsionit nga mekanizmat drejtues të shtetit të Kosovës...

EXPRESS
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ende nuk ka njoftuar se cilat shtete kanë deponuar komente lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, të premten e kaluar, por, sipas burimeve të gazetës Express, në favor të vendit tonë kësaj here janë rreshtuar së paku gjashtë shtete. “Përveç Kosovës, është e sigurt se komentet e tyre i kanë dorëzuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Norvegjia, Sllovenia, Shqipëria, e ndoshta edhe Holanda”, ka thënë për gazetën një zyrtar ndërkombëtar në Prishtinë. Ai beson se ka edhe shtete tjera aleate të Kosovës që mund të kenë dërguar komente në Gjykatë, por këtë nuk ka mundur ta konfirmojë gjatë vikendit.
Njoftimin zyrtar për këtë do ta japë Gjykata, gjatë kësaj jave...

ZËRI
Honeymoon is over. (Muaji i mjaltit ka marrë fund). Ky ishte mesazhi kryesor i Iv de Kermabosë, shefit të EULEX-it, misionit të sundimit të ligjit të BE-së, në njërin prej raporteve të tij konfidenciale, në qarqet më të larta të BE-së në Bruksel, i paraqitur javë më parë. Ish-komandanti i KFOR-it dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në misionin më të rëndësishëm dhe më ambicioz të BE-së në Ballkan, pas përfundimit të luftërave që përcollën shpërbërjen e ish-RSFJ-së, dhanë një vlerësim të qëndrueshëm për rolin dhe pozicionin e EULEX-it në Kosovë, para së gjithash, në veri të vendit, ku EULEX, qysh me rastin e krijimit të rrethanave për rindërtimin e shtëpive në Lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës, u detyruan të konfrontohet me ekstremistët serbë...

BOTA SOT
Të gjitha dosjet e hetimeve për veprime kriminale që kanë “fjetur” me vite të tëra në sirtarët e UNMIK-ut, tash kanë kaluar në duart e hetuesve dhe policisë së EULEX-it. Disa prej këtyre dosjeve tashmë janë rihapur dhe policia e EULEX-it ka filluar hetimet. Madje dhe disa lëndë gjyqësore që kanë qenë pjesë e procesit të “kohës së UNMIK-ut”, tashmë janë rihapur dhe gjykimet e tilla ose kanë marrë formën përfundimtare ose janë në proces e sipër. Rasti i lirimit të Florim Ejupit, i dyshuar se ka vënë eksploziv në një autobus të linjës për në Nish, i cili më parë ishte dënuar me 40 vjet burg, si dhe rihapja e gjykimit të “Grupit të Llapit” janë raste që japin të kuptojnë se EULEX-i gjithçka ia nis prej fillimit. Por, sa bashkëpunojnë hetuesit e EULEX-it me ata vendorë?...

EPOKA E RE
Eqrem Kryeziu e ka përkrahur nismën e Berim Ramosajt për bashkimin e LDK-së me LDD-në. Në një intervistë për “Epokën e re”, nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka thënë se tendenca për bashkimin e dy partive është e natyrshme. Për këtë ide e ka përgëzuar Ramosajn. “E përgëzoj Ramosajn dhe ia njoh për meritë këtë nismë”. Ka treguar se edhe LDK-ja qysh herët pati dalë me ftesë publike në thirrje të anëtarësisë së vjetër. “LDK-ja ka bërë publikisht apelin për kthim dhe të njëjtin e kemi përsëritur disa herë. Apeli ynë që në fillim ka qenë shumë i sinqertë dhe qëndron edhe më tutje”. Kryeziu ka thënë se rruga e bashkimit nuk mund të jetë e vështirë në qoftë se edhe të tjerët në LDK e LDD kanë qasje konstruktive sikurse Ramosaj...

LAJM
Mospërfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave me shtetet anëtare të Bashkimit evropian, ka shkaktuar reagime të ndryshme në Prishtinë. Bazuar në kriteret që duhet përmbushur, siç janë siguria e dokumenteve, migrimi ilegal dhe ripranimi, rendi dhe siguria publike, menaxhimi i kufijve, regjistrimi i popullsisë etj., tregon se Kosova është ende larg këtij procesi. Zyrtarët e Qeverisë e arsyetojnë deri diku vendimin e Komisionit Evropian, por e heqin fajin nga vetja, ndërkaq përfaqësuesit e partive opozitare fajësojnë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilat për nëntë vjet kanë administruar në Kosovë. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, tha për “Lajm” të diëln, se në këtë rast dështimi është i përbashkët, si i institucioneve të vendit, ashtu dhe i atyre ndërkombëtare...
XS
SM
MD
LG