Ndërlidhjet

Shënohet 40 vjetori i ecjes në Hënë

  • Nik Krastev

Hënë, 20 korrik 1969.

Hënë, 20 korrik 1969.

Sot u mbushën 40 vjet, kur astronautët amerikanë, Nil Armstrong dhe Baz Oldrin, ecën në Hënë. Presidenti amerikan Barak Obama takon në Shtëpinë e Bardhë ekuipazhin e anijes kozmike, Apollo 11.

- - -

Dyzet vjetori i hapave të parë në Hënë shënohet si datë historike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa presidenti Barak Obama, në Shtëpinë e Bardhë, takohet me ekuipazhin e anijes kozmike, Apollo 11.

“Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin”, pati thënë astronauti Nil Armstrogn, derisa ecte në Hënë më 20 korrik të vitit 1969.

Vlerësohet se afro 500 milionë njerëz në Tokë e patën ndjekur këtë ngjarje në radio dhe televizion.

Astronauti Oldrin thekson se duhet të vazhdohet me kërkime të tjera në gjithësi:

“Mënyra më e mirë për t’i nderuar dhe përkujtuar të gjithë ata, që ishin pjesë e programit Apollo, është që të shkojnë gjurmëve tona, që përsëri të shkojnë në mision të mëdha të kërkimit. Nëse liderët tanë janë të mençur sot, siç ishte presidenti Kenedi në kohën tonë, një program vizionar i gjithësisë përsëri do të na inspirojë për të arritura të mëdha”, tha mbrëmë Baz Oldriun, në një fjalim në Uashington.

Që nga koha kur astronautët amerikanë Nil Armstrong dhe Baz Oldrin ecën në Hënë, më 20 korrik të vitit 1969, janë bërë hapa të mëdhenj në të kuptuarit e ambientit të Hënës.

Në zhvillimet kyçe, misionet robotike kanë identifikuar dëshmi të akullit në polet e Hënës, që paraqet burim potencial të ujit. Kjo gjë mund t’i hapë rrugët për krijimin e një baze të përhershme atje, e cila do ta bëjë më të lehtë eksplorimin e sistemit diellor.

Ndërkohë, misionet përreth orbitës nga satelitët e Kinës, të Japonisë dhe Indisë, janë duke i shtuar njohuritë shkencore.

Drejtori i misioneve eksploruese në NASA, Xhon Olson, thotë se synim i një programi të ri është kthimi në Hënë dhe misioni në Mars.

“Programi Konstellejshën ndryshon nga Apollo në kuptimin se ne po kthehemi me dy herë më shumë anëtarë të ekuipazhit në sipërfaqe të Hënës, që fillimisht do të qëndronin shtatë ditë. Natyrisht, misioni Apollo ishte më i shkurtër se ky. Ne, po ashtu, jemi duke i shikuar mundësitë që të kemi qasje globale në Hënë dhe kthim në çdo kohë”, thotë Olson.

Misionet me njerëz në Hënë do të shërbejnë si bazë për misionet e njeriut në Mars dhe destinacionet e tjera, shprehet Olson.

Përqendrimi kryesor i këtyre aktiviteteve në Hënë do të jetë demonstrimi i kapaciteteve për të bërë kërkime të qëndrueshme në Mars dhe eksplorime më të avancuara të sistemit diellor.

Që prej vitit 2004, kur ish-presidenti Xhorxh Bush paraqiti strategjinë e gjerë të mëtejshme të agjencisë NASA për eksplorimin e kozmosit, ish-astronautët e Apollos janë konsultuar intensivisht nga agjencia e gjithësisë.

Oldrin, i cili së bashku me Armstrongin, të parët ecën në Hënë, në korrik të vitit 1969, është përkrahës i kërkimit në planetin Mars.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Oldrin ka sugjeruar se Marsi është mjedis shumë më miqësor për mbështetjen e njerëzve, sesa Hëna.

“Çdo gjë që ne e dimë, na tregon se është më mirë të përpiqemi t’i mbështesim njerëzit atje, sesa në Hënë. Natyrisht, Hëna është më afër, ne mund të dërgojmë më shumë furnizime”.

“Mund të bëjmë disa gjëra, të cilat janë atraktive në aspektin komercial: mund ta procesojmë akullin në ujë, oksigjen, hidrogjen, karburant për raketa, në mënyrë që të jenë në gjendje të transportojnë njerëz në sistemin Tokë –Hënë dhe të jenë në gjendje të shkojnë në Mars”,
shprehet Oldrin.

Misioni i parë në shekullin 21 për në Hënë do të lansohet deri në vitin 2015. Hëna do të ofrojë ambient për të demonstruar aftësitë për eksplorimin e mëtejshëm të hapësirës nga njerëzit.
XS
SM
MD
LG