Ndërlidhjet

Krasniqi: Partitë mos të jenë në shërbim të anarkisë


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

"Partitë politike që përfaqësohen në Kuvend, duhet të jenë në shërbim të ndërtimit të demokracisë dhe jo të një anarkie e gjuhe joparlamentare", thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, si në Kuvend, ashtu dhe jashtë tij, po vazhdojnë akuzat, kritikat e ndërsjella në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ku çon kjo gjuhë e ashpër politike?

JAKUP KRASNIQI
Ka kohë që vërtet kam kërkuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, që ta kenë një kulturë të komunikimit, se Kuvendi përbëhet nga pozita dhe opozita, por partitë politike që përfaqësohen në Kuvend, duhet të jenë në shërbim të ndërtimit të demokracisë dhe jo të një anarkie e gjuhe joparlamentare.

Do të thotë, kam bërë kërkesë që partitë politike vërtet të tërhiqen nga gjuha joparlamentare.

RADIO EVROPA E LIRË
Një gjuhë e tillë, a mund të ndalohet të paktën në këtë organ?

JAKUP KRASNIQI
Nuk është e lehtë. Realisht, unë po përpiqem që të gjitha grupet parlamentare ta respektojnë rregulloren, ta respektojnë rendin e ditës.

Nëse grupet parlamentare do ta respektonin rregulloren e punës që është e miratuar në Kuvend, mbi bazë të së cilës punon Kuvendi, dhe do ta respektonin rendin e ditës, sigurisht që nuk do të ndodhnin gjuhë dhe gjuajtje të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Shkas i akuzave të fundit ka qenë protesta e ish-veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqë keni qenë edhe vetë në UÇK, mendoni se këta ish-pjesëtarë po trajtohen në mënyrën e duhur?

JAKUP KRASNIQI
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është demobilizuar, se është transformuar. Ajo është transformuar në forcë politike, ka diçka pjesë të saj në Policinë e Kosovës. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë të organizuar edhe në shoqata, edhe në organizata të luftës.

Sigurisht që mundësia e institucioneve të Kosovës, e sidomos Ministria Financiare nuk është për t’i zgjidhur hallet e të gjithë nevojtarëve që i ka Kosova. Kosova dhe institucionet e saj kanë përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, jo vetëm ndaj kategorive të veçanta.

Por, konsiderojmë se ky ishte një grup i dalë nga të gjithë organizmat që janë transformuar të UÇK-së dhe TMK-së; ishte një grup i kufizuar dhe konsiderojmë që kërkesat e tyre ishin agresive dhe ishin të padrejta.

Në fund të fundit, në Kosovë nuk ka vetëm veteranë të UÇK-së, në Kosovë ka veteranë të lëvizjes kombëtare, që konsideroj se institucionet e Kosovës dhe mundësitë që i ka buxheti i Kosovës nuk i kanë kryer obligimet ose nuk mund t’i kryejnë obligimet e tyre më së miri.

Mendoj që mënyra se si është reaguar ka qenë mënyrë e dhunshme dhe si e tillë për mua është shumë e papranueshme, për faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është krijuar për t’i luftuar institucionet e Republikës së Kosovës, por për t’i ndërtuar këto institucione.

Dhe, natyrisht ky ishte një deformim i kërkesave të një grupi, që rezultuan në një dhunë të pakuptimtë dhe të papranueshme për çdo qytetar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Deputetët e partive opozitare në Kuvend kanë deklaruar se në Kuvendin e Kosovës nuk po lejohet të thuhet fjala e lirë. Cili është mendimi juaj?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, nuk e di çka mendojnë me fjalën e lirë, por unë edhe sot e thashë që nuk kam shkuar në ulësen e kryetarit të Kuvendit me paramendimin që dikujt t’ia marr ose t’ia ndërpres fjalën.

Grupet parlamentare e dinë rregulloren e punës së Kuvendit, grupet parlamentare nuk janë duke respektuar rregulloren e punës së Kuvendit. Grupet parlamentare dhe opozita nuk janë duke respektuar të drejtat, nuk janë duke shfrytëzuar dhe të drejtat e veta që kanë me rregulloren e punës.
Nga paaftësia për të bërë kërkesa siç i kërkon rregullorja e punës, ata janë duke shkelur rregulloren e punës, duke bërë kërkesa veç sa për të folur para opinionit dhe për të folur në seancë, për t’u transmetuar seanca. Kjo për mua është e jashtëligjshme.

Nuk ka mbështetje në rregulloren e punës dhe jam i bindur që grupet parlamentare, edhe të opozitës, nuk janë duke shfrytëzuar të drejtat e veta që kanë me rregullore të punës. Ata po dalin jashtë rregullave të rregullores së punës dhe unë, si drejtues i Kuvendit, kam obligim që të respektoj rregulloren.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur kritika edhe se Kuvendin e udhëheq ekzekutivi kosovar. A po imponohet agjenda legjislative nga qeveria?

JAKUP KRASNIQI
Unë disa herë e kam thënë këtë. Realisht, punën e Kuvendit shumë e orienton dhe e udhëheq në një formë qeveria, por me ligjet që i proceson, me punën që bën, në fund të fundit si ekzekutiv i vendit, qeveria edhe me Kushtetutë dhe ligje e ka atë drejtë.

Megjithatë, Parlamenti është i krijuar nga pozita dhe opozita. Pozita ka për obligim t’i mbrojë kërkesat e qeverisë dhe të mbrojë qeverinë dhe kështu Parlamenti funksionon në gjithë vendin.

Natyrisht, opozita ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e veta, por opozita nuk mund ta drejtojë as Parlamentin, as pozitën dhe as qeverinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, zoti Krasniqi, Kushtetuta dhe disa nga ligjet e miratuara në Kuvend nuk po zbatohen ende tërësisht. Pse ndodh një gjë e tillë?

JAKUP KRASNIQI
Në rend të parë, mendoj se Kosova ende nuk ka ndërtuar kapacitete administrative për ta zbatuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë në Kosovë.

Ne konsiderojmë se kjo është mungesa e traditës, mungesa e kapaciteteve administrative dhe ndoshta në këtë drejtim ne mund të themi që edhe gjyqësori, edhe sistemi i drejtësisë, që ka përgjegjësinë për të qenë mbrojtësi kryesor i ligjshmërisë dhe i kushtetutshmërisë në Kosovë, nuk janë duke funksionuar më së miri.

Jemi duke ndërtuar institucionet, duke ndërtuar kapacitete dhe mendoj se në shumë aspekte është mungesa e kapaciteteve administrative në Kosovë, por natyrisht nuk mund të themi se ka mungesa të vullnetit politik për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në proces e sipër është shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çfarë prisni?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, ne presim që përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare, nëse nuk është në favorin e pavarësisë së Kosovës, që konsideroj se është në kuadër të të gjitha normave ndërkombëtare, atëherë mund të presim një përgjigje që të mos jetë pozitive as për kërkesën e Serbisë, as për pavarësinë e shqiptarëve.

Në fund të fundit, këshilla e Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë nuk është obligative për asnjërën palë.
XS
SM
MD
LG