Ndërlidhjet

Kthimi i gjykatësve në veri me pëlqim të Beogradit


Gjykatat në veri

Gjykatat në veri

EULEX-i ka paralajmëruar kthimin e gjykatësve në veri. Por, zyrtarë të këtij misioni thanë se para kësaj, duhet marrëveshje me Beogradin, për të cilën lënë të kuptohet se është në proces e sipër.



Funksionalizimi i plotë i doganave dhe kthimi i gjyqtarëve vendës në veri nuk mund të bëhet pa marrëveshje me Beogradin.

Kjo është pohuar nga zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, i cili tha se bisedimet për çështje teknike të stafit të EULEX-it me zyrtarë të Beogradit po vazhdojnë që nga muaji mars. Bashkëpunimi me Beogradin, sipas tij, është i pashmangshëm.

“Është i domosdoshëm, është vazhdimësi e vizitës së Kermabonit në Beograd, më 19 mars. Që atëherë, ne kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm teknik në tri fusha, për të cilat jemi të mandatuar - drejtësi, dogana dhe polici”.

“Pra, kemi njerëz nga të gjithë komponentët, që shkojnë në Beograd për të diskutuar çështjet teknike, për të cilat duam të marrim pajtimin e Beogradit dhe Kosovës”,
tha Lamfalusi.

Doganat në veri ende nuk funksionojnë tërësisht, sikurse që nuk funksionon tërësisht as Gjykata Komunale dhe ajo e Qarkut. Lamfalusi thotë se po punohet për normalizim të gjendjes.
...tash jemi në proces të bisedimeve me Beogradin e Prishtinën për kthimin e gjyqtarëve serbë dhe shqiptarë në Mitrovicë. Mirëpo, është shumë herët për të folur, sepse na duhet marrëveshja finale për këtë.

“Është një qasje, hap pas hapi, që kemi zbatuar nga muaji i kaluar. Ne po shkojmë mirë në dogana, po përmirësojmë shërbimet doganore në veri të Mitrovicës”.

“Gjykata në veri po funksionon; tash jemi në proces të bisedimeve me Beogradin e Prishtinën për kthimin e gjyqtarëve serbë dhe shqiptarë në Mitrovicë. Mirëpo, është shumë herët për të folur, sepse na duhet marrëveshja finale për këtë”,
tha Lamfalusi.

Por, me asnjërën nga këto nuk janë informuar vetë punonjësit e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale, të cilët vazhdojnë të kryejnë pjesërisht punën nga qyteti i Vushtrrisë.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut, Kapllan Baruti, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk është në dijeni për ndonjë lëvizje për kthimin e stafit në objektin e gjykatës në veri.

“Unë jam i informuar se disa subjekte relevante ndërkombëtare po angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por sa i përket informatave të fundit, nuk kam kurrgjë zyrtare dhe krejt çka di është nga mjetet e informimit”, deklaroi Baruti.

Që nga trazirat e marsit të vitit të kaluar, kur pati mbetur i vdekur një polic ukrainas, stafi vendor i gjykatave nuk ka mundur të kthehet në vendet e tyre të punës. Sipas Barutit, aktualisht në Gjykatën e Qarkut në veri punojnë vetëm 3 gjyqtarë të misionit evropian për sundimin e ligjit.

Situatë jo e mirë mbretëron edhe në fushën e doganave. Malli që hyn nga Serbia në Kosovë nuk zhdoganohet në pikat doganore 1 dhe 31, por vetëm regjistrohet. Edhe kjo punë po përcillet me protesta të vazhdueshme të serbëve, të cilët herë pas here bllokojnë rrugët afër këtyre pikave doganore.

Veprimet e tilla shihen si përpjekje për të mos lejuar vendosjen e sundimit të ligjit në veri.

Kreu i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Mitrovicës, Nebojsha Joviq, thotë se EULEX-i nuk e ka kryer atë që është detyrë e tij. Por, ai mendon se prania e tij është e domosdoshme.

“Do të ishte gabim i madh ndërprerja e çfarëdo kontakti me EULEX-in. Në situatën kur nuk mund të bashkëpunosh me UNMIK-in, kur institucionet e Serbisë nuk veprojnë në Kosovë dhe kur bashkëpunimi me institucionet shqiptare kushtëzohet me njohjen e pavarësisë, atëherë EULEX-i mbetet si e keqja më e vogël, me të cilin duhet bashkëpunuar për t’i zgjidhur problemet”,
tha Joviq.

Por, kritika për punën e EULEX-it nuk vijnë vetëm nga serbët. Analisti për çështje politike nga Instituti KIPRED, Ilir Deda, mendon se misioni evropian nuk ka bërë sa duhet për të kthyer gjendjen në normalitet.
Ngjallet pikëpyetja, a dëshiron, a është ky mision në funksion të mbajtjes së unitetit të Kosovës apo jo? ...

“Ky mision nuk ka bërë asgjë që ta ndryshojë realitetin atje, por i është përshtatur këtij realiteti. Ngjallet pikëpyetja, a dëshiron, a është ky mision në funksion të mbajtjes së unitetit të Kosovës apo jo?”,
u shpreh Deda.

Me këtë nuk pajtohet zëdhënësi i misionit evropian, Kristof Lamfalusi.

“Nuk është e vërtetë, nuk mund t’i bindni serbët në Mitrovicë me forcë, duhet t’u sillni atyre argumente, duhet t’u dëshmoni se është në interes të tyre bashkëpunimi me EULEX-in dhe me Kosovën. Ne jemi në proces të bindjes së tyre”, theksoi Lamfalusi.

EULEX-i ka zbarkuar në Kosovë në dhjetorin e vitit të kaluar. Në muajin prill ka deklaruar se është bërë plotësisht operativ.

Sidoqoftë, fushat, të cilat është i mandatuar t’i mbikëqyrë ky mision - drejtësia, policia e doganat - sipas analistëve, lënë shumë për të dëshiruar, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG