Ndërlidhjet

Debate që gjallërojnë apo tensionojnë skenën politike


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë parlamentare në Kosovë e shohin në mënyra të ndryshme fjalorin e ashpërsuar politik në Kuvend. Për PDK-në, gjithçka është në suaza të normales, ndërkaq LDK dhe AAK shprehin shqetësime lidhur me këtë.




Seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës kanë sjellë si risi edhe ashpërsimin e gjuhës politike, akuzat dhe kundër-akuzat në raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Partitë parlamentare i vlerësojnë në mënyra të ndryshme këto zhvillime në jetën politike të Kosovës.

Për partinë më të madhe në Kuvend, Partinë Demokratike të Kosovës, komunikimi i tillë është në suaza të normales dhe nuk devijon nga hapat e parë të demokracisë që po i mëson Kosova.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka filluar ta gjallërojë jetën politike dhe debatet.

Ai rikujton se Kuvendi, fillimisht kishte trashëguar praktikat e kaluara të sistemit komunist, kur vetëm votoheshin vendimet e komitetit pa pasur guxim për debat. Andaj, sipas Halitit, jeta parlamentare në Kosovë tashmë po fillon.
Lufta në mes rivalëve politikë, mendoj që nuk i ka tejkaluar normat e pranueshme. Besoj se është mirë që ka filluar një debat politik...

“Lufta në mes rivalëve politikë, mendoj që nuk i ka tejkaluar normat e pranueshme. Besoj se është mirë që ka filluar një debat politik dhe shpresoj që në të ardhmen do të ketë edhe më shumë debat”.

“Po ashtu, shpresoj që do ta ndryshojmë klishenë e instaluar gabimisht, që të kemi dy seanca në muaj. Do të duhej që të ketë së paku dy seanca në javë, njëra prej tyre të ketë debat të madh”,
thotë Haliti.

Ndryshe nga PDK-ja, e cila konsideron se jeta politike në Kosovë po dinamizohet, partia partnere e saj në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se fjalori i ditëve të fundit është më i ashpër dhe pjesë e një zhargoni jo të pëlqyer dhe jo të praktikuar në Kosovë.

Lutfi Haziri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, thotë se akuzat nuk shtrihen vetëm në raportet pozitë - opozitë. Ai ia zë për të madhe edhe partisë partnere në koalicion, për shkak të akuzave të vazhdueshme në llogari të ish-Qeverisë së Kosovës, ku LDK dhe AAK ishin partnere.

Kjo, sipas Hazirit, shkakton dëme politike dhe tregon për tendencën që çdo qeveri ta identifikojë vetveten me të gjitha të arriturat, kurse dështimet t’ua mveshë qeverive të kaluara.
Shihet një lloj tendence vazhdimisht, që të shkëputet kontinuiteti institucional dhe kontinuiteti i proceseve...

“Nuk do të thotë që vetëm në raport me opozitën, sepse kemi të bëjmë edhe me akuzat që pozita nxjerr për qeveritë e kaluara, duke mos kursyer fjalë e terminologji të rënda, që shpeshherë pa vetëdije lëndojnë procese dhe lëndojnë atë unitet politik dhe institucional, që në Kosovë është vendosur në kuadër të definimit të procesit të statusit final të Kosovës”.

“Shihet një lloj tendence vazhdimisht, që të shkëputet kontinuiteti institucional dhe kontinuiteti i proceseve”,
deklaron Haziri.

Në fjalorin e ashpërsuar ndërmjet pozitës dhe opozitës, vërehet një rivalitet sidomos në raportet ndërmjet PDK-së dhe AAK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, fajin për këtë gjendje ia mvesh qeverisë dhe partisë më të madhe.

Sipas Gjinit, ishte PDK-ja ajo e cila u ka ikur temave dhe i ka nxitur debatet e ashpra, pasi që nuk ka qenë në gjendje të ballafaqohet me realitetin jo të mirë të zhvillimeve në Kosovë.
Me këtë qeverisje, e cila nuk pranon kurrfarë debati konstruktiv, frikohem se do të jemi dëshmitarë të një gjuhe të tillë edhe në vazhdim...

“Me këtë qeverisje, e cila nuk pranon kurrfarë debati konstruktiv, frikohem se do të jemi dëshmitarë të një gjuhe të tillë edhe në vazhdim, sepse Aleanca në vazhdim ka ngritur tema, për të cilat qeveria nuk ka qenë e gatshme të bisedojë dhe e ka shndërruar debatin në aspekte personale të këqija dhe të padenja për demokracinë”.

“Mendoj se tendenca për ta kontrolluar çdo pore të jetës në Kosovë, duke filluar nga tenderët deri te mediat, po fillon të pëlcasë, dhe mendoj se kjo qeveri do të ketë probleme të mëdha në vazhdim”,
thekson Gjini.

Sidoqoftë, fjalori i ashpërsuar politik dhe akuzat shihen edhe si pjesë e fushatës parazgjedhore, marrë parasysh se këtë vjeshtë mbahen zgjedhjet e para lokale në Kosovën e pavarur.

Fushatat e kaluara politike kishin megjithatë disa pika të përbashkëta si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe ato parlamentare, pasi që partitë politike synim kryesor proklamonin pavarësinë.

Ndërkaq tash, partitë përpiqen t’i plasojnë ofertat dhe projektet e tyre, edhe pse në raste të caktuara debatet janë kthyer dhe shndërruar edhe në akuza dhe tensione politike.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG