Ndërlidhjet

"Ambasadorët presin pëlqimin"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Radio Televizioni i Kosovës është bërë sebep të hënën që sërish të ketë një debat të ashpër me akuza në Kuvendin e Kosovës, kryesisht në mes anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetë të kësaj të dytës kanë akuzuar Qeverinë dhe drejtues të PDK-së se e kanë “privatizuar” RTK-në, ndërkaq deputetë të PDK-së kanë thënë se gjendja e keqe në RTK, nepotizmi dhe korrupsioni rrjedhin nga koha e qeverisjes së AAK-së. Fjalë të këqija në debatin për gjendjen në RTK kanë thënë edhe deputetë nga partitë tjera opozitare, LDD dhe AKR...

KOSOVA SOT
Menaxhimi i integruar i kufijve mbetet një nga kriteret bazë të KE-së për vendet e rajonit për procesin e liberalizimit të vizave. Kjo vlen sidomos për ato vende që janë përfshirë në listën e bardhë të Shengenit, si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, por në një të ardhme të afërt edhe Republika e Kosovës. megjithatë, një nga parakushtet mbetet çështja e demarkacionit të kufijve. Kosova ka Ligjin për menaxhimin e integruar të kufijve dhe bordin mbikëqyrës. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thekson se të gjitha përgjegjësitë që dalin nga kjo strategji dhe ligji, autoritetet e Kosovës do t’i kryejnë...

EXPRESS

Liderët kosovarë, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, janë pajtuar për emrat e 18 ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar për “Express” burime nga Presidenca e Kosovës. Emrat e 18 të nominuarve për ambasadorë janë dërguar javën e kaluar në qeveritë e shteteve ku Kosova ka vendosur t’i ketë ambasadat e para. Të gjithë këta kanë gjasa reale që të marrin titullin ambasador, sapo të kthehet agrimani, përkatësisht pëlqimi nga qeveritë e shteteve nikoqire. Kjo procedurë mund të zgjasë përafërsisht katër javë...

ZËRI
Menaxhimi i kufijve, lëshimi i kontrolluar i pasaportave, si dhe bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë – policisë, si kushte që Bashkimi Evropian u ka vënë vendeve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, mund ta shtyjnë Serbinë që të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me EULEX-in. Edhe pse do të ishte e logjikshme që kjo marrëveshje të nënshkruhej me Prishtinën, përderisa Beogradi të mos e njohë Kosovën e pavarur, është pak e besueshme që firma në këso lloj marrëveshje teknike të jetë edhe nga dora e autoriteteve qeveritare të vendit...

BOTA SOT
Sikur të gjitha vendet e rajonit, edhe Kosovën e ka prekur kriza financiare, por përkundër kësaj, gati të gjitha çmimet e produkteve në vend janë të larta, në krahasim me shtetet tjera. Kosova, defektin e çmimeve të shtrenjta e ka, për arsye se nuk prodhon produkte dhe është e varur ekskluzivisht nga importi dhe shumica e importeve janë në mëshirën e pak tregtarëve të mëdhenj, thonë ekspertë të ekonomisë. Ramiz Kelmendi, nga “Elkos Grup” ETC, thotë se zakonisht çështja e formimit të çmimeve bëhet në kohën kur s’ka pasur krizë financiare. Tash edhe nëse zvogëlohen çmimet në kohën e krizës financiare, atëherë paraqiten dy kriza, edhe kriza e jashtme, edhe e brendshme...

EPOKA E RE
Shteti i Kosovës është themeluar si synim historik i popullit shumicë, shqiptarëve, të cilët vetëm nëpërmjet shtetit mund ta ndjejnë lirinë dhe të ardhmen. Nuk janë qytetarët pronë e shtetit, por shteti është pronë e qytetarëve. Shteti është ai, i cili me të gjithë mekanizmat demokratikë po punon, po vepron për t’i realizuar aspiratat e përditshme të qytetarit. Kështu ka thënë në një intervistë për “Epokën e re”, prof dr Agim Zogaj, shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Zogaj në një pjesë të intervistës është shprehur i zhgënjyer me politikën e BE-së, e cila i ka shpërblyer Serbinë dhe Malin e Zi me heqjen e vizave...

LAJM
Është shtyrë për një ditë tjetër dëgjimi publik i Projektligjit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, për shkak të vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës. miratimi i këtij projektligji, sipas kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Bahri Hyseni, do t’u mundësonte institucioneve të shtetit kontrollin më të mirë të zyrtarëve të lartë. Hyseni tha se, përveç serbëve, tashmë gati të gjithë zyrtarët publikë kanë raportuar pasuritë e tyre. “Gati të gjithë deputetët e Kuvendit kanë bërë deklarimin e pasurisë, në përjashtim të atyre, të cilët nuk kanë pasur pasuri në emër të vetin”...

KOHA DITORE
Standardi i sundimit të ligjit në vend është sfiduar në mënyrë serioze në Komunën e Vitisë, në relacionet ndërmjet pushtetit lokal dhe gjyqësorit. Ndërkohë, organet përkatëse, as në nivel qendror, as në nivel lokal, nuk kanë ndonjë ide se di të dalin nga situata e krijuar e konfliktit të kompetencave ndërmjet pushtetit komunal dhe gjykatës. Një vendim i gjykatës për shoqatën e gjuetarëve “Drenusha” ka qenë ai që i ka prishur raportet ndërmjet këtyre dy mekanizmave, duke çuar deri në shkelje serioze të ligjit. Gjykata e Qarkut në Gjilan ia ka njohur kësaj shoqate të drejtën për të shfrytëzuar objektin në të cilin kishte qëndruar që nga paslufta, e që i ishte marrë nga Komuna në fillim të vitit 2008...
XS
SM
MD
LG