Ndërlidhjet

Shala: Qeveria po shpërqendron vëmendjen nga problemet reale


Blerim Shala

Blerim Shala

“Ekziston një qasje, për bindjen time krejtësisht e paqëndrueshme e shmangies së vëmendjes dhe përqendrimit prej rasteve konkrete në "përplasjet" midis PDK-së dhe AAK-së”, thotë nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Shala, një nga temat për të cilat po flitet shumë këto ditë është një marrëveshje eventuale mes EULEX-it dhe Beogradit për gjyqësi, dogana e polici. Si e shihni ju këtë zhvillim?

BLERIM SHALA
Parimisht janë çështje që janë tejet delikate për shtetin e Kosovës, për Republikën e Kosovës. Ne insistojmë me të drejtë që të respektohet Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës në fuqi e Marrëveshja e Ahtisarit.

Në këtë kontekst bashkëpunimi i komunitetit serb të Kosovës, me autoritetet e Kosovës, por edhe i Beogradit me EULEX-in dhe eventualisht me autoritetet e Kosovës, mund të jetë dobiprurës, vetëm nëse këto marrëveshje do ta konfirmojnë vlerën e Kushtetutës së Kosovës, validitetin e saj, të ligjeve dhe të pakos së Ahtisarit.

Çdo devijim në këto marrëveshje prej këtyre vlerave që i përmenda, sjell kokëçarje të madhe për Kosovën, si për kohën e sotme, ashtu edhe për zhvillimet afatmesme dhe afatgjata.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, plani i Ahtisarit tashmë dihet që është i papranueshëm për Beogradin. Është thënë disa herë publikisht. Mendoni se nuk do ketë devijim nga ky plan, nëse do të ketë marrëveshje Beograd-EULEX?

BLERIM SHALA

Beogradi, keni të drejtë, maksimalisht po përpiqet, ta dëmtojë, apo edhe ta shkatërrojë pakon e presidentit Ahtisaari. Ju kujtohet që ministri i jashtëm Vuk Jeremiq kohë më parë pat thënë madje se propozimi i presidentit Ahtisaari është i varrosur.

Për ne janë zhvillime shqetësuese në parim, sepse me të vërtetë nuk mund të ndërmarrim asnjë hap, as ne, as EULEX-i, as ICO-ja, që do ta dëmtonte propozimin e Ahtisaarit. Kosova nuk ka opsion rezervë. Nuk ka plan B.

Plani i vetëm për integrimin e komuniteti serb dhe për stabilizimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës është propozimi i presidentit Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
A është i domosdoshëm pëlqimi i Beogradit, siç kanë thënë zyrtarë të EULEX-it, për të bërë që të ketë sundim të ligjit në veri, kur dihet se strukturat paralele serbe sponsorizohen nga vetë Beogradi?

BLERIM SHALA

Pyetja juaj na kthen mbrapa në një çështje shumë madhore. Ju e dini se statusi i Kosovës është vendosur pa pëlqimin e Beogradit. Përndryshe, sikur të pyetej Beogradi, ne kurrë nuk do të bënim pavarësinë.

Unë disa herë e kam përmendur edhe në takime me diplomatë, edhe në shkrimet e mia- është paradoksale nëse Beogradi nuk është pyetur për statusin e Kosovës, që ka qenë vendim i drejtë i perëndimit dhe i yni, e tash Beogradi të pyetet për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm të shtetit të Kosovës.

Aq më parë, plotësisht keni të drejtë, kur Beogradi po provon që përmes strukturave paralele të dëmtojë shtetin e Kosovës, dhe ta mbajë situatën pezull. Koncepti strategjik i Beogradit sa i përket Kosovës është, që ta mbajë situatën pezull edhe sa i përket statusit edhe sa i përket zhvillimeve.
Ndërsa situata pezull është tepër e rrezikshme si për ne ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, keni shprehur një qëndrim të ashpër ndaj BE-së, për shkak të anashkalimit të Kosovës nga procesi i liberalizimit. Ka pasur gjasa Kosova të përfshihet pa përmbushur kriteret?

BLERIM SHALA
Realisht ne i dimë procedurat e hyrjes së Kosovës në këtë proces dhe fitimit të së drejtës për liberalizimin e vizave. Megjithatë, t’u them të drejtën, po të mos ishin organizatat joqeveritare në Perëndim, institutet e ndryshme, e edhe ne, doli që BE as që ka diskutuar për këtë çështje fare.

Edhe tash ne bashkërisht po themi se është një lloj avancimi i pozicionit të Kosovës sepse tash Kosova është në të ashtuquajturën “listën e zezë” të Shengenit. Shikoni pra, Kosova nuk është trajtuar fare.

Ne i dimë problemet dhe pengesat brenda BE-së sa i përket vendimmarrjes, për arsye se pesë shtete të BE-së akoma nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Por, ju e dini gjithashtu se në 10 vjetët e fundit është përsëritur pa ia nda nga Brukseli, se Kosova ka perspektivë evropiane.

Ne duam ta shohim nga ana e Brukselit, çfarë domethënie konkrete ka perspektiva evropiane, si do të zhvillohet procesi i integrimit të Kosovës në BE.

Ndërsa ne faktikisht e dimë shumë mirë se cilat janë obligimet dhe detyrat tona. Brukseli deri më sot, kemi drojën se nuk ka qenë i vullnetshëm, që fare ta shqyrtojë këtë çështje si çështje problematike.

RADIO EVROPA E LIRË
A është paradoksal mosplotësimi i kritereve për liberalizim në Kosovë, kur përgjegjësitë e misionit të BE-së lidhen pikërisht me fushën e sundimit të ligjit?

BLERIM SHALA

Keni të drejtë. Sic e dini, BE është në Kosovë që nga vitit ’99, jo prej vitit 2008 kur EULEX u vendos në Kosovë. Po, ashtu keni të drejtë, se Kosova sipas dokumenteve të BE-së të dhjetorit të 2007-ës dhe të janarit të 2008-ës është kualifikuar si prioritet i BE-së.

Më në fund kemi thënë shpesh herë së bashku që, Kosova akoma nuk është anëtare e BE-së, por, BE disi është anëtare e Kosovës; është pjesë përbërëse e Kosovës, e vendimmarrjes, e të gjitha proceseve që kanë luajtur rol të dorës së parë.

Pse është EULEX-i në Kosovë? Mund ta shtrojmë këtë pyetje konkrete. Pikërisht për ta forcuar rendin dhe ligjin- kritere që lidhen me liberalizimin e vizave.

Prandaj, në parim është një detyrë e përbashkët e autoriteteve të Kosovës dhe BE-së që t’i përmbushin katër kriteret e njohura për liberalizimin e vizave, pos kisha përjashtuar shtypjen e pasaportave biometrike gjë të cilën kemi mundur ta bëjmë qysh nga viti i kaluar, por për shkak të procedurave te komplikuara vendimmarrëse të autoriteteve të Kosovës kemi humbur kohë dhe para pa kurrfarë nevoje.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, keni deklaruar se Kosova nuk është asnjë gjysmë të rrugës drejt OKB-së, marrë parasysh këtu njohjet vetëm nga 62 shtete, por edhe procesi në GJND. Si mund të ndryshojë situata?

BLERIM SHALA
Situata mund të ndryshojë duke e pranuar realitetin. Shikoni, te autoritet e Kosovës ka një mungesë kronike kisha thënë, për ta pranuar realitetin. Parimisht nuk mund të thuhet se është dështim që na kanë pranuar 62 shtete të OKB-së, gjithsesi është një arritje.

Por, ne akoma nuk kemi strategjinë e mirëfilltë B, se çfarë duhet të bëjmë, si diplomaci kosovare që të anëtarësohemi në OKB. Anëtarësimi në OKB sic po shihet është kusht pa të cilin nuk bën, edhe për t’u marrë me sport sportistët kosovarë në arenën ndërkombëtare; pa anëtarësim në OKB nuk bën edhe për të hyrë në proceset tjera, të bëhesh anëtar i OSBE-së dhe i strukturave tjera shumë të rëndësishme evropiane dhe botërore.

Prandaj, ne duhet të bëjmë çmos, së pari po shpresoj, duke fituar rastin para GJND-së, e pastaj edhe me një diplomaci shumë më intensive që të mbërrijmë numrin e kualifikuar që Kosova të aplikojë dhe të pranohet në OKB sa më parë që është e mundur.

Sa më parë që është e mundur po shpresoj se mund të bëhet brenda 3 apo 4 vjetësh, për arsye se nga vetë autoritetet e Kosovës kohët e fundit dëgjuam se kjo nuk mund të pritet as në 5 vitet e ardhshme, gjë që është megjithatë, një lajm depresiv për qytetarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, t’u kthehemi shkurtimisht, zhvillimeve të brendshme. Kohët e fundit ka pasur një gjuhë të ashpërsuar mes subjektit tuaj dhe partisë në pushtet PDK-së. Ku çon kjo gjuhë?

BLERIM SHALA
Realisht skena politike e Kosovës duhet të njihet me problemet, që ekzistojnë në shoqërinë e Kosovës.

Derisa në rastin e AAK-së është në preokupimin e me këto tema, me këto çështje, me këto probleme, në rastin e PDK-së dhe të qeverisë së Kosovës, ekziston një qasje, për bindjen time krejtësisht e paqëndrueshme e shmangies, e spostimit të vëmendjes dhe përqendrimit prej rasteve konkrete në të ashtuquajturat përplasje midis PDK-së dhe AAK-së.

Përplasjet e tilla nuk i nevojiten Kosovës. Kosovës, dhe para se gjithash qeverisë së Kosovës i nevojitet që të trajtojë problemet shumë konkrete të cilat faktikisht kanë filluar ta vërshojnë Kosovën.

Ju e përmendet problemin e liberalizimit të vizave, të anëtarësimit në OKB, problemin e statusit ndërkombëtar të Kosovës, problemin e marrëveshjeve eventuale EULEX-Qeveri e Serbisë, po ashtu kemi rastin e “Kosovës së Re” apo të ndërtimit të kapaciteteve të reja të energjisë, problemin me dhomat e dëshmimit në polici, etj.

Të gjitha këto probleme kërkojnë një trajtim serioz prej Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Nuk kemi kohë ne për të humbur disa ditë me një deklaratë të kotë të një deputeti, pa marrë parasysh kënd e përfaqëson ai, por Kosova duhet e tëra të përqendrohet në problemet konkrete.

Prandaj, mendoj që Kuvendi i Kosovës do të duhej të shndërrohej në një vend ku debatohen problemet, ku trajtohen çështjet kyçe dhe ku bëhen vendimet kryesore për çështjet me rëndësi strategjike për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova është para zgjedhjeve lokale, ndërkohë që emri juaj është lakuar si kandidat i mundshëm për kryeqytetin. Çka ka të vërtetë në këtë mes?

BLERIM SHALA
Ne jemi në proces të konsultimeve brenda partisë, në procesin vendimmarrës për të gjitha komunat e mbetura, ju e dini që i kemi përcaktuar 15 kandidatë për kryetarë të komunave, prandaj edhe në këtë kontekst jemi duke e shqyrtuar edhe rastin e Prishtinës, i cili është rast i veçantë, e dini se çfarë rëndësie ka kryeqyteti i Kosovës. Por, aktualisht, AAK akoma nuk ka vendosur për kandidatin e saj për kryetar të komunës së Prishtinës.
XS
SM
MD
LG