Ndërlidhjet

Rritet numri i vetëvrasjeve


Numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka filluar të rritet, thonë organet e rendit dhe ekspertë të shëndetit mendor. Sipas tyre, ky fenomen ka filluar të bëhet shqetësues për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.

Sipas statistikave të policisë, prej vitit 2000 deri në vitin 2008, vetëvrasje kanë bërë 526 persona. Mosha a atyre që kanë kryer këtë akt është prej 21 deri në 30 vjeç, ndërkaq pjesëtarët e gjinisë mashkullore kanë kryer disa herë më shumë vetëvrasje, sesa pjesëtarët e gjinisë femërore, por e kundërta e kësaj paraqitet tek rastet e tentim-vetëvrasjeve.

Vetëm deri në muajin mars të këtij vitit, vetëvrasje kanë bërë 20 persona, kurse tentim-vetëvrasje 74, thotë Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës.

Është një dukuri apo fenomen për të cilin vërtet duhet të shqetësohemi. Është një numër i madh i personave që kryejnë këtë akt, duke ia marrë vetës jetën. Janë metodat dhe mjetet më të ndryshme që ata i përdorin për të kryer këtë akt”.

Metodat që i kryejnë vetëvrasjet janë: varje në litar, përdorim i armëve të zjarrit, ndërsa tek rastet e tentim-vetëvrasjeve më se shumti janë përdorur medikamentet mjekësore dhe preparatet kimike”, tha Kamberi.

Ndryshe, ekspertë të shëndetit mendor tregojnë se faktor mjaft ndikues në rritjen e vetëvrasjeve, përveç gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, është edhe moskujdesi për identitetin dhe mirëqenien shpirtërore në këtë kohë krize sociale e ekonomike.

Neuropsikiatri Ferid Agani pohon se edhe mungesa e perspektivës për të ardhmen, ka ndikuar që të rinjtë të marrin një vendim të tillë.

Në qoftë se ky individ në moshën e hershme, në fëmijëri, ka abuzime të ndryshme, keqpërdorime nga më të moshuarit deri tek prindërit e tij, ose abuzime seksuale, ose jeton në varfëri të skajshme, e përfundon fakultetin dhe nuk ka perspektivë, nuk ka asnjë ardhmëri, ose ka ndonjë sëmundje të rëndë trupore, një sëmundje të pashërueshme, atëherë ky individ mund t’i realizojë potencialet e tij”, thotë Agani.

Agani thotë se edhe traumat e luftës kanë ndikim të madh në këtë fenomen, pasi që, siç shprehet, tradicionalisht numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka qenë simbolik deri në përfundimin e luftës, më 1999, kur statistikat e vetëvrasjeve janë shtuar dukshëm.

Stresi kronik psiko-social i paraluftës, traumat e rënda të luftës, shkatërrimi ekonomik i qindra-mijëra familjeve shqiptare, e ka shtuar ndjeshmërinë e popullatës, që t’i manifestojë potencialet që kanë ekzistuar”.

Prandaj, mendoj se në këtë rrafsh zhvillohen të gjitha ato ngjarje që po i shohim, me pasoja shqetësuese, të cilat po përmblidhen me tre apo katërfishim të numrit të vetëvrasjeve në Kosovë”, deklaroi Agani.

Për parandalimin e vetëvrasjeve duhet të jepet një kontribut i shtuar nga të gjitha segmentet e shoqërisë, thotë ai, duke shtuar se për parandalimin e kësaj dukurie, nuk ka ndonjë veprim institucional.

Megjithatë, Agani rekomandon se futja e lëndes së edukatës fetare në programin arsimor, do të ndikojë dukshëm në zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve në Kosovë..

Një lëndë, e cila zbatohet në të gjitha shtetet e Bashkësisë Evropiane, në përjashtim të një pjesë të Sllovenisë dhe Francës, të gjitha shtete tjetra e zbatojnë këtë lëndë si lëndë obligative dhe një pjesë fakulteteve”.

Pse? Sepse, kuptojmë që përmes zbatimit të kësaj lënde fuqizohet personaliteti i të riut dhe i jepet të riut një mundësi që të ballafaqohet në mënyrë më stabile me sfidat e jetës. Fuqizohet egoja e të riut dhe kuptohet se problemet, me të cilat ballafaqohet, janë të natyrës kalimtare dhe kuptimi i jetës është më i plotë“, thotë Agani.

Rajonet më të prekura nga vetëvrasjet janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë.
XS
SM
MD
LG