Ndërlidhjet

Kosova e paprekur nga virusi H1N1


Qendra Emergjente në Prishtinë
Qendra Emergjente në Prishtinë

Zyrtarë të institucioneve shëndetësore në Kosovë thonë se Kosova ende nuk është prekur nga virusi H1N1. Por, ata konfirmojnë se janë të përgatitur për pranimin e pacientëve, të cilët eventualisht mund të preken nga influenca A, e njohur në opinion si gripi i derrave.


Duke pasur parasysh që ditëve të fundit ka pasur një shtim të rasteve të dyshimta me virusin H1N1 në vendet e rajonit dhe së fundi rast i parë i konfirmuar në Shqipëri, institucionet e Kosovës kanë intensifikuar aktivitetet e tyre monitoruese për mbikëqyrjen e situatës rreth virusit H1N1.

Drejtori i Zyrës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se mbesin në fuqi të gjitha masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, siç janë monitorimi i kufijve, sigurimi i terapisë adekuate për trajtimin e rasteve eventuale, ngritja e nivelit të higjienës nëpër institucionet shëndetësore, si dhe përcjellja e situatës në tërë vendin.

“Në këtë fazë, institucionet e Kosovës kanë siguruar doza të medikamentit të tamiflusë. Për rastet eventuale ekzistojnë 13,500 doza, të cilat janë në depot e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në depot e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”.

“Gjithashtu një sasi e konsiderueshme është shpërndarë edhe në kliniken infektive, si dhe ka kërkesa që ky medikament të shpërndahet edhe në qendrat lokale të shëndetësisë”,
theksoi zoti Hoti.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë kërkesë në Qeverinë e Kosovës që të fillojnë përgatitjet për nisjen e procedurës për sigurimin e vaksinës - vaksinë kjo, e cila ende nuk është në treg, mirëpo shumë shtete të ndryshme të botës thuhet t’i kenë bërë porositë.

“Është kalkuluar se në atakun e parë të virusit A mund të përfshihen rreth 25 për qind e popullatës së Kosovës dhe, në këtë kuptim, Ministria e Shëndetësisë ka bërë përllogaritjen që të sigurohen deri në 500 mijë doza të vaksinave”.

“Afërisht, këto mund të kushtojnë rreth 6 milionë euro për Buxhetin e Kosovës dhe në këtë fazë mbesin kalkulimet se si të sigurohen këto mjete”, shprehet zoti Hoti.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Organizatës Botore të Shëndetësisë në Kosovë vazhdimisht kanë apeluar për marrjen e masave adekuate për parandalimin e këtij virusi. Skënder Syla, përfaqësues i kësaj organizate, thotë:

“Në kuadër të kontakteve të vazhdueshme që OKB-ja ka me Ministrinë e Shëndetësisë, ne kemi rekomanduar që të shtohet niveli i vigjilencës, niveli i mbikëqyrjes në institucionet shëndetësore dhe të vazhdohet me kampanja të ndryshme publike, me qëllim të vetëdijesimit të opinionit”, deklaroi zoti Syla.

Masa adekuate për parandalimin e virusit H1N1 janë marrë po ashtu në të gjitha pikat kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Violeta Elezi, zyrtare në Policinë e Kosovës, thotë se është përgatitur një urdhër operativ, i cili u është dhënë zyrtarëve policorë në të gjitha vendkalimet kufitare, që ka të bëjë me veprimet parandaluese ndaj virusit H1N1.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet tjera, që me rastin e kalimit të kufirit të lajmërohen tek zyrtarët përgjegjës, nëse kanë ndonjë simptomë që është e përcaktuar në udhëzues”,
tha Elezi.
XS
SM
MD
LG