Ndërlidhjet

“Kosova rrezikon të shndërrohet në një ‘geto vizash’”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Derisa të gjitha subjektet politike parlamentare, duke filluar nga LDD-ja, AAK-ja dhe AKR-ja, i kanë zhvilluar së fundi kuvendet e tyre zgjedhore në nivelin e përgjithshëm partiak, duke përfshirë edhe zgjedhjet për kupolën partiake, dy partnerët kryesorë në koalicionin qeverisës, PDK-ja dhe LDK-ja, këtë telashe dhe borxh që duhet ta shlyejnë para elektoratit të vet partiak, kanë vendosur ta qesin në sprovë vetëm pas krijimit të rehatisë nga zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte. Agjenda e kuvendeve zgjedhore të këtyre dy subjekteve politike, pa e fiksuar ende datën e saktë, është lënë të përgatitet për vitin 2010. Kjo korrespondon edhe me procesin e konsolidimit të këtyre subjekteve politike për zgjedhjet e reja nacionale që janë “aranzhuar” për vitin 2011...

EXPRESS
Duket se lista me emrat e 157 shtetasve të Kosovës, që vazhdon t’i kërkojë Policia e Serbisë me akuza për krime lufte, ka vite që nuk është përtërirë. Ndër emrat e personave në listë të dërguar Interpolit ka prej tyre që kanë vdekur vite më parë, por ka nga ata që ende konsiderohen të zhdukur. Po ashtu, lista përmban edhe emra të personave, të cilët janë në funksione shumë të larta shtetërore, si dhe të tjerë që kanë kaluar përmes drejtësisë së Tribunalit të Hagës apo drejtësisë vendore... Kjo tregon se Policia e Serbisë nuk ka kërkuar asnjëherë të dhëna nga autoritetet e UNMIK-ut, të cilët kanë qenë përgjegjëse për bashkëpunim me ta, që këta emra të fshihen...

ZËRI
Në shtator të këtij viti, apo në mars të vitit 2010, Kosova do të mund të fillojë me pagesën e borxhit ndaj Bankës Botërore, të cilin e ka pranuar pas anëtarësimit në këtë institucion monetar ndërkombëtar. Mirëpo, pagesa e këtij borxhi, që kap shumën prej 381 dollarësh amerikanë, nuk do të mund të fillojë para se anëtarësimi në BB të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës. Zyrtarët qeveritar sqarojnë se pagesat e borxhit ndaj Bankës Botërore zakonisht bëhen dy herë në vit, në mars dhe në shtator, kështu që nëse anëtarësimi në këtë institucion aprovohet nga Kuvendi së shpejti, atëherë në shtator të këtij viti do të fillohet me pagesën e borxhit...

BOTA SOT
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e rregullt diskutoi në lidhje me procesin e përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, i informoi anëtarët e KQZ-së për aktivitetet e saj. Ajo tha se ka marrë mbështetje nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve. “Më 14 korrik kam pasur takim me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe me disa ambasadorë të ambasadave në Kosovë dhe kemi biseduar se në çfarë aspekti ata mund ta japin kontributin e tyre për organizimin e zgjedhjeve lokale. Gjithashtu, kam pasur takim edhe me KFOR-in dhe kemi marrë mbështetjen e tyre për organizimin e zgjedhjeve në fushën e sigurisë”, tha ndër të tjera Lushta...

EPOKA E RE
Është i mendimit se Kuvendi gjatë këtij sezoni ka bërë punë të mëdha. “Bombardimet” me lloj-lloj akuza për mospunë ka thënë se kanë ardhur nga ata që kanë dhënë shembuj të këqij në qeverisjen gjatë mandateve të shkuara. “Të gjithë ata që tregohen grabitqarë në qeverisje, e grabitjet janë të dukshme edhe nga një pjesë e opozitës së sotme, kanë pak shanse për t’u rikthyer në qeverisje”. Sipas tij, AAK-ja ka ndryshuar profilin politik dhe po e humb perspektivën... Ka treguar se PDK-ja nuk ka bërë deri tash ndonjë përgatitje të veçantë për zgjedhjet e 15 nëntorit... Flet për “Epokën e re” Jakup Krasniqi...

LAJM
Ndërsa Beogradi zyrtar kategorikisht ka mohuar të ketë filluar negociata me EULEX-in, menjëherë ka ardhur pohimi nga misioni evropian në Kosovë se këto negociata tashmë kanë nisur dhe së shpejti do të arrihet marrëveshje për funksionalizimin e plotë të doganave dhe kthimin e gjykatësve vendës në veri të Mitrovicës. Zyrtarët e EULEX-it e kanë pranuar se këto dy çështje nuk mund të tejkalohen pa arritur marrëveshje me Beogradin zyrtar. Sllobodan Homen, sekretar shteti në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë, ka thënë se Beogradi është duke kërkuar së pari të përmbushen disa kushte të caktuara më parë se të fillojnë negociatat për kthimin e gjykatësve të përkatësisë etnike serbe në gjykatat e Kosovës...

KOHA DITORE
Përfaqësues të Shoqërisë Civile të Kosovës u kanë dërguar një apel liderëve kryesorë të Bashkimit Evropian dhe eurodeputetëve, duke u kërkuar që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Në të kundërtën, sipas tyre, Kosova rrezikon të shndërrohet në një “geto vizash” pa kurrfarë rrugëdaljeje. “Ky do të ishte rezultat i pashmangshëm i politikave të propozuara nga Komisioni Evropian, të cilat janë të pakuptimta dhe diskriminuese ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Luan Shllaku, nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, duke e lexuar apelin e adresuar BE-së, të martën, në një konferencë për media në Prishtinë...

INFOPRESS
Nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Berim Ramosajn, duket të mos e kenë dekurajuar qëndrimet e kryetarit Nexhat Daci dhe anëtarëve të tjerë të lartë të LDD-së në lidhje me projektin e tij për bashkim me LDK-në. Daci dhe zyrtarë të tjerë të lartë e kanë kundërshtuar idenë e Ramosajt për bashkim dhe e kanë quajtur atë “lazdran”. Por, Ramosaj beson ende në projektin e tij dhe madje është i bindur se ai veç po realizohet tashmë. Ramosaj nuk dëshiron t’i komentojë shumë qëndrimet e Dacit dhe të tjerëve, pasi i quan ato individuale për dallim nga projekti i tij. Si subjekt, LDD e ka kundërshtuar bashkimin me LDK-në, ndërkaq kjo e dyta ka lënë derën hapur për LDD-në...
XS
SM
MD
LG