Ndërlidhjet

Kontesti i emrit ngec proceset në Maqedoni


Shkup
Shkup

Maqedonia ka humbur shumë kohë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë dhe për pasojë ka ngecur në procesin e anëtarësimit në strukturat euroatlantike, ka deklaruar lideri i Lidhjes Socialdemokrate, Branko Cërvenkovski, duke ftuar institucionet në bisedime thelbësore për zgjidhjen e çështjes së emrit, pa hequr dorë nga identiteti dhe gjuha.

Ai, në arritjen e këtij synimi ofron edhe gjithë ndihmën e nevojshme për kryeministrin Gruevski.

“Maqedonia duhet të hyjë në bisedime thelbësore, me qëllim arritjen e zgjidhjes së përbashkët dhe të pranueshme. LSDM do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe të inkurajojë që të shkojë drejt zgjidhjes së problemit, ndërsa njëkohësisht do t’u përmbahet komenteve publike për çfarëdo lloj propozimesh konkrete, me qëllim që mos të dëmtojë procesin apo të akuzohet nga Gruevski se në këtë mënyrë rrënon pozitën negociuese të shtetit”, tha Cërvenkovski.

Lideri i Lidhjes Socialdemokrate ka komentuar edhe paralajmërimet e Brukselit për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë, duke thënë se liberalizimi i vizave nuk duhet të vlerësohet si arritje madhore, pasi prioritet për vendin, sipas tij, duhet të jetë marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Branko Cërvenkovski
“I bëj thirrje Gruevskit dhe qeverisë që të përqendrohen në çështjet shumë më të rëndësishme, jo se në cilat shtete do të mund të udhëtojnë qytetarët tanë, por se në çfarë shteti do të jetojnë”.

“Në fund të fundit, vetëm një pjesë e qytetarëve do të kenë mundësi të udhëtojnë, ndërsa të gjithë, pa përjashtime, do të duhet të jetojnë prej diçkaje në Maqedoni. Jo liberalizimi i vizave, por marrja e datës për fillimin e bisedimeve është kriteri kyç për përparim në procesin tonë integrues për në Bashkimin Evropian”,
deklaroi Branko Cërvenkovski.

Por, këto prononcime të Cërvenkovskit janë kundërshtuar ashpër nga VMRO-DPMNE-ja, e në veçanti qëndrimi i tij për liberalizimin e vizave.

Partia e kryeministrit Gruevski tha se nuk është e befasuar nga deklaratat e këtilla të Cërvenkovskit, pasi është mësuar me, siç tha, stilin e tij të punës, të mohimit të çdo suksesi apo rezultati pozitiv të Maqedonisë.

“Pyesim Cërvenkovskin se pse deri më tani nuk e pa të arsyeshme të përshëndesë të paktën një vendim të qeverisë, ose një rezultat të punës sonë, por nuk befasohemi, pasi kjo është mënyra e tij e funksionimit, arrogancë deri në maksimum, që tregon se vetëm ai është ai, i cili vlen në këtë shtet”, u shpreh Ilija Dimovski, anëtar i kryesisë së VMRO-DPMNE-së.

“Liberalizimi i vizave është sukses i të gjithë qytetarëve dhe qytetarët duhet të jenë krenarë në atë dhe ky sukses nuk varet nga Branko Cërvenkovski dhe nga përpjekja e tij që këtë sukses ta paraqesë si mossukses. Ky është përfitim historik për qytetarët maqedonas dhe na vjen keq për këtë sjellje të Cërvenkovskit”, deklaroi Dimovski.

VMRO-DPMNE-ja thotë se institucionet nuk janë të ç’kyçura nga procesi i zgjidhjes së çështjes së emrit dhe se ato kanë koncept të qartë për rrjedhën e mëtejme të negociatave dhe arritjen e kompromisit të pranueshëm, që do të zhbllokonte procesin e integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG