Ndërlidhjet

Këmbimi tregtar - në rritje


Autostrada Durrës-Kukës-Morinë

Autostrada Durrës-Kukës-Morinë

Pas funksionalizimit të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, është rritur numri i qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave të ndryshme që hyjnë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Kështu pohojnë zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe përfaqësues të biznesit, sipas të cilëve, në muajt e ardhshëm pritet që në masë më të madhe të rritet qarkullimi komercial.


Më pak se një muaj që nga funksionalizmi i autostradës Durrës-Kukës, kalimet kufitare të njerëzve dhe mallrave janë rritur dukshëm. Kështu pohojnë zyrtarë në Doganat e Kosovës dhe përfaqësuesit e bizneseve.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se për shkak të sezonit të verës, është rritur dukshëm fluksi i udhëtarëve, të cilët udhëtojnë në të dyja anët.

“Kosovarët shkojnë drejt bregdetit, ka një rritje të automjeteve. Ende nuk ka ndonjë rritje të theksuar të qarkullimit të mallrave, pra të qarkullimit komercial. Por, trendi tregon se është duke shkuar drejt rritjes”, pohon Stavileci.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se nuk mohohet fakti se funksionalizmi i autostradës Durrës-Kukës do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare, por, sipas tij, aktualisht është rritur trendi në sektorin e turizmit.

“Në këtë sezon të verës, trendi që mund të theksohet dhe mund të vlerësohet është i turizmit, sepse shumë qytetarë kosovarë kanë bërë zgjedhje që t’i kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, për arsye se infrastruktura tash është shumë më e avancuar, kohëzgjatja e udhëtimit është shkurtuar”.

“Të gjitha këto janë pa ndonjë shpenzim shtesë të siguracioneve të veturave dhe të pasagjerëve dhe kjo e bën tregun e turizmit shqiptar më të kërkuar nga shqiptarët”,
thotë Shahini, duke shprehur bindjen se, muajt e ardhshëm, do të rritet në përqindje më të lartë qarkullimi i mallrave nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Shkëmbimet tregtare do të fillojnë dhe do të rriten, sepse shumë mallra nga vjeshta do të fillojnë të barten nga Porti i Durrësit, për shkak të shkurtimit të rrugës, për shkak të shkurtimit të shpenzimeve të transportit dhe kjo do të jetë më konkurrente vetëm për transport afër 40 për qind”, vlerëson Shahini.

Doganat e Kosovës, edhe pse ende nuk kanë të përgatitura statistikat mbi qarkullimin e mallrave dhe udhëtarëve për periudhën njëmujore, kur edhe është lëshuar për qarkullim autostrada, Adriatik Stavileci pohon se nga Shqipëria në Kosovë hyjnë mallra nga më të ndryshmet.

“Llojllojshmëria e mallrave, të cilat hyjnë përmes Shqipërisë në Kosovë, ose përmes Kosovës në Shqipëri, është e ndryshme. Kjo është për arsye se Shqipëria, për shkak të porteve detare, importet e ndryshme i bën përmes porteve”, thotë Stavileci.

Ndryshe, për pritjen e fluksit të madh të mallrave të ndryshme, të cilat priten të kalojnë transit në Kosovë, Doganat e Kosovës, gjatë këtij viti, parashohin të rrisin numrin e stafit, si dhe zgjerimin e terminalit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG