Ndërlidhjet

Bajden në Ukrainë: Lavdërime dhe kritika


Ukrainë, Kiev, 22 korrik '09.
Ukrainë, Kiev, 22 korrik '09.

Zëvendëspresidenti amerikan, Xhozef Bajden, në mbyllje të vizitës në Ukrainë, me një ton lavdërues dhe kritikues, e përgëzoi sot Ukrainën si njërin nga vendet më demokratike në rajon, por nga elita politika e këtij vendi ka kërkuar ndaljen e armiqësive dhe koncentrim në ekonominë e shkatërruar të Ukrainës.

- - -

Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, u dha mesazhe të ashpra liderëve politikë në Ukrainë, duke kërkuar njëkohësisht prej tyre të tregojnë maturi politike dhe t’i mbajnë premtimet e paraqitura në Revolucionin e Portokalltë, në vitin 2004.

Në një fjalim, i cili nga Shtëpia e Bardhë është cilësuar si fjalim drejtuar popullit ukrainas, Bajden ka ripërsëritur se politika e Uashingtonit për ripërtëritjen e raporteve me Moskën, nuk do të shkojë në dëm të Ukrainës.

Zëvendëspresidenti amerikan e përgëzoi shoqërinë civile të qëndrueshme dhe lirinë e shtypit, që është zhvilluar në Ukrainë prej vitit 2004, kur në qeveri erdhën forcat pro perëndimore.

Por, zoti Bajden gjithashtu ka bërë edhe kritika të ashpra në adresë të elitës politike, duke sugjeruar se politikanët i kanë vënë në plan të parë ambiciet e tyre personale, e jo interesat shtetërore.

Në këtë kuadër, ai e përmendi rastin e poetit dhe humanistit ukrainas, të shekullit 19, Taras Shevqenko, të cilit ukrainasit i referohen si ikonë kombëtare, se ai do të krenohej me “hapjen dhe me pluralizmin” në Ukrainë, por, gjithashtu, ai do të dënonte papjekurinë politike të qeverisë.

“Ukraina, në opinionin tim modest, duhet të marrë mësim nga historia. Një qeveri e përgjegjshme dhe efektive është e vetmja mënyrë për të siguruar një ambient stabil, të parashikueshëm dhe transparent, i cili mund të tërheqë investime, që janë motor i zhvillimi ekonomik”, tha Bajden.

Korrespodenti i Radios Evropa e Lirë, Brajan Vajtmor, i cili raporton për vizitën e zotit Bajden, thotë se ukrainasit, të lodhur nga grindjet politike, ka gjasë se mund ta pranojnë fjalimin e ashpër të zëvendëspresidentit amerikan, Xho Bajden.

“Ai ka thënë se tani është koha e fundit për ta përmbushur premtimin e Revolucionit të Portokalltë. Pra, ishte fjalim shumë i ashpër, i cili do të pranohet mirë në opinionin ukrainas”, tha korrespodenti i Radios Evropa e Lirë, Vajtmor.

Zoti Bajden, gjatë qëndrimit në Ukrainë, është takuar me secilin nga pesë politikanët, të cilët pritet të garojnë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, përfshirë presidentin aktual Viktor Jushçenko, kryeministren Julia Timoshenko, liderin opozitar, Viktor Janukoviq, e të tjerë.
XS
SM
MD
LG