Ndërlidhjet

Prishtina i quan politike fletarrestimet e Serbisë për rreth 160 kosovarë, emrat e të cilëve u zbuluan së fundi në media. Shfuqizimi i tyre s’mund të ndodhë pa anëtarësim të Kosovës në Interpol. Me Interpolin s’ka bashkëpunim as EULEX-i.


Është publikuar në media lista e personave ndaj të cilëve Serbia ka lëshuar fletarrestime në Interpol, kryesisht nën akuzat për krime lufte.

Në mesin e 157 personave gjenden edhe figura të larta politike, si kryeministri Hashim Thaçi, ministri Fatmir Limaj, liderët opozitarë Ramush Haradinaj e Agim Çeku.

Qeveria i quan këto fletarrestime politike dhe kërkon nga Interpoli që t’i shfuqizojë ato. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se qeveria e vetme nuk mund të bëjë shumë, por i duhet ndihma e partnerëve ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës
“Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se kemi probleme në këtë drejtim, sepse nuk jemi anëtar i Interpolit, ndërsa Serbia është. Interpoli funksionon në atë mënyrë që pa marrë parasysh se në cilin shtet anëtar është obligim i nënshkruar me marrëveshjet për anëtarësim në këtë institucion, të respektohen kërkesat që dalin nga Interpoli”.

“Ne po provojmë të gjejmë mënyra, jo vetëm si institucione të Kosovës, por edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, që Interpoli mos t’i respektojë dhe t’i anulojë kërkesat e Serbisë”,
u shpreh Krasniqi.

Në fillim të këtij muaji, Bosnja ka arritur që t’i shfuqizojë fletarrestimet serbe, përmes të cilave kërkoheshin qytetarët boshnjakë. Por, një shfuqizim i tillë duket të mos jetë i mundur aktualisht në Kosovë, për shkak se ajo nuk është anëtare e Interpolit. Megjithatë, Bosnja paraqet shpresë për qeveritarët se ky problem ka zgjidhje.

“Na jep shpresë të mirë që rasti i fundit me pajtimin, për mosrespektimin e fletarrestimeve që kanë të bëjnë me Bosnjën e Hercegovinën, edhe pse pas një periudhe shumë të gjatë kohore për këtë shtet, na bën të kuptojmë se edhe Kosova do të gjejë një zgjidhje të tillë, në mënyrë që këto fletarrestime të mos respektohen”, tha Memli Krasniqi.

Njëri nga të kërkuarit në listën e Serbisë, është edhe Nuredin Ibishi, që njëherësh është edhe konsulent i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme e Siguri.

Ai thotë se në këtë mes nuk janë pa faj edhe institucionet e Kosovës. Sipas tij, duhet një politikë më proaktive e institucioneve, që duhet të dalin në mbrojtje të shtetasve kosovarë.
...duhet të vetëdijesohemi, që nëse kemi mundësi përmes UNMIK-ut, apo tash EULEX-it, ne duhet automatikisht me kohë të reagojmë për të gjitha këto insinuata, fletarrestime dhe çështjet tjera që na adresohen nga Serbia.

“Unë mendoj se nuk janë proaktivë në këtë aspekt. Ata çdoherë reagojnë atëherë kur ndodh rasti. Më në fund duhet të vetëdijesohemi, që nëse kemi mundësi përmes UNMIK-ut, apo tash EULEX-it, ne duhet automatikisht me kohë të reagojmë për të gjitha këto insinuata, fletarrestime dhe çështjet tjera që na adresohen nga Serbia”.

“Mirëpo, çdoherë pritet reagimi. Duhet të arrestohet Agim Çeku për të tretën, katërtën apo pestën herë, apo t’i ndodhë zotit Fatmir Limaj apo dikujt tjetër, pra të ndalohet diku, e mandej të reagohet. Kjo është e vonë”,
u shpreh Ibishi.

Deri më tani, ka qenë vetëm UNMIK-u ai që ka mundur të bashkëpunojë me Interpolin. Meqë përgjegjësitë për fushën e sundimit të ligjit i janë bartur misionit evropian për sundim të ligjit, janë duke u zhvilluar diskutime se si të vendoset komunikimi mes organizatës ndërkombëtare policore dhe EULEX-it.

Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se mbase një vendim eventual mund të merret gjatë asamblesë parlamentare të Interpolit, që pritet të mbahet në tetor.

Mosnjohja nga të gjitha vendet anëtare të Interpolit i pamundëson Kosovës anëtarësimin, rrjedhimisht edhe kërkesat për shfuqizimin e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia mund t’u bëhen shteteve veç e veç, por jo Interpolit.
XS
SM
MD
LG